Udhëzimi i Bodes, ja si do të deklarojnë shqiptarët të ardhurat
Qoftë edhe në mënyrë formale, individët tashmë janë të detyruar të plotësojnë deklaratën vjetore të deklarimit të të ardhurave dhe shpenzimeve. Ministria e Financave ka bërë gati udhëzimin për këtë qëllim, i cili së shpejti do të botohet në fletoren zyrtare. Sipas përcaktimeve ligjore, shqiptarët duhet t’i deklarojnë të ardhurat deri më 30 prill të vitit 2012. Udhëzimi i financave përmban modalitetet e hollësishme për mënyrën sesi do të plotësohet formulari, ku merret, si dorëzohet dhe çfarë duhet të kihet parasysh gjatë këtij procesi. Udhëzimi i Bodes përcakton se çdo deklaratë vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal të letërnjoftimit të individit. Deklarata individuale vjetore e të ardhurave plotësohet nga individët rezidentë shqiptarë, për të ardhurat e realizuara brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë; dhe individët rezidentë të huaj, për të ardhurat e realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë. Deklarata individuale vjetore e të ardhurave dorëzohet në Drejtorinë Rajonale Tatimore, e cila mbulon vendbanimin e individit deklarues, dorazi, me postë apo në rrugë elektronike, jo më vonë se data 30 prill, që pason periudhën tatimore për të cilën bëhet deklarimi. Detyrimi i parë i deklarimit bëhet brenda datës 30 prill 2012 për vitin fiskal 2011. Nëse nga plotësimi i deklaratës rezulton se individi deklarues duhet të paguajë tatim, bazuar në rubrikën “Totali për t’u paguar të Deklaratës individuale Vjetore të të Ardhurave”, individi plotëson formularin ”Dokument i pagesës së tatimit mbi të ardhurat individuale”, bashkëlidhur këtij udhëzimi dhe brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së deklaratës vjetore të të ardhurave, bën pagesën e tatimit ne bankë. Në rast të plotësimit të gabuar të deklaratës, kjo e fundit mund të korrigjohet nga individi duke plotësuar një deklaratë të re, duke vendosur shenjën “X” në kutinë përkatëse, brenda tre muajve nga data e dorëzimit të deklaratës së parë. Për mosdeklarimin në afat të deklaratës individuale vjetore të të ardhurave zbatohen sanksionet administrative. Kryefamiljari plotëson deklaratën vjetore individuale të të ardhurave, në të cilat përfshin edhe personat nën kujdestari të cilët nuk krijojnë të ardhura. Individët brenda familjes që kanë të ardhura nga burime të ndryshme me përjashtim të të ardhurave të përcaktuara në nenin 8/1, të ligjit ”Për tatimin mbi të ardhurat”, janë të detyruar të deklarojnë individualisht. Në rastin kur individi brenda familjes nuk ka aftësi për të plotësuar deklaratën, kjo e fundit plotësohet nga kryefamiljari ose personi që e ka nën kujdestari dhe nënshkruhet nga të dy. Ja sesi mund të deklarojë një familje që është e përbëre nga kryefamiljari, bashkëshortja dhe 3 fëmijët. Kryefamiljari ka realizuar të ardhura individuale vjetore gjithsej për 700 000 lekë, bashkëshortja ka realizuar të ardhura individuale vjetore gjithsej për 600 000 lekë, ndërsa fëmijët nuk kanë të ardhura individuale. Në zbatim të nenit 13 të ligjit, detyrimin për dorëzimin e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave e ka kryefamiljari dhe gruaja në deklarata të veçanta, sipas modelit të miratuar, duke plotësuar rubrikat respektive të deklaratës individuale vjetorë të të ardhurave. Meqenëse kryefamiljari për periudhën tatimore ka realizuar të ardhura individuale vjetore 700 000 lekë, pra më pak se kufiri 800 000 lekë, ka të drejtën të përfitojë nga njohja e shpenzimeve të zbritshme. Për fëmijët, meqenëse nuk kanë realizuar të ardhura, ata duhet të deklarohen në deklaratën e kryefamiljarit dhe atë të gruas duke plotësuar kutitë përkatëse. Nëse fëmijët realizojnë të ardhura individuale gjatë periudhës tatimore, ata duhet të deklarojnë individualisht këto të ardhura nëpërmjet plotësimit të deklaratës. Nëse kryefamiljari realizon të ardhura vjetore mbi kufirin 800 000 lekë, ai nuk do të përfitonte nga shpenzimet e zbritshme. Të punësuarit në institucione buxhetore dhe jobuxhetore, të cilët përveç te ardhurave me burim nga punësimi realizojnë edhe të ardhura nga burime të tjera, duhet të plotësojnë këtë deklaratë. Nëse nga plotësimi i Deklaratës individuale Vjetore e të Ardhurave rezulton diferencë negative, pra individi deklarues ka derdhur më shumë tatime nga sa rezulton nga llogaritja sipas deklaratës, administrata tatimore (drejtoria rajonale tatimore) duhet t’i kthejë individit deklarues shumën e tatimeve të paguara me tepër me kërkesën e tij. Me kërkesën me shkrim të deklaruesit, kjo shumë mund të kalohet për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme për vitin tatimor vijues.
Të ardhurat që deklarohen nga individët
1- Të ardhurat bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit, vërtetim nga punëdhënësi mbi të ardhurat vjetore dhe tatimet e mbajtura mbi pagën.
2- Fitimin nga zhvillimi i veprimtarisë së biznesit të vogël, që rezulton nga Deklarata e të Ardhurave Personale të Biznesit të Vogël për të vetëpunësuarit, kopje të Deklaratës vjetore Tatimore, sipas nenit 12/6, të ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe mandatpagesës së tatimit mbi të ardhurat personale.
3- Të ardhurat bruto nga dividenti për pjesëmarrje në shoqëri tregtare apo nga veprimtaritë e biznesit, kopje të Vendimit të Asamblesë së Ortakëve për miratimin e rezultatit financiar dhe destinimin e fitimit, ku specifikohet dividenti i shpërndarë dhe kopje të mandatpagesës së bërë të tatimit mbi dividentin nga personi juridik.
4-Të ardhurat bruto nga qiraja dhe fitimet kapitale nga shitja e pasurisë së paluajtshme, në pronësi të deklaruesit, kopje të kontratës së qirasë/shitjes dhe dokumentit që vërteton pagesën e tatimit mbi të ardhurat.
5-Të ardhurat bruto nga interesa bankare, dokumentin bankar që vërteton këto të ardhura.
6-Për fitimin kapital neto, të krijuar nga investimet në tituj apo në pasuri të paluajtshme, kopje të kontratës së investimit dhe mandatpagesës së tatimit.
7-Për shumat bruto të fituara nga lotari apo lojëra të tjera të fatit, kopje të vërtetimit të organizatorit të lojës për fitimin e shumës së fituar të parave dhe kopje të mandatpagesës nga organizatori të tatimit në burim si diferencë midis shumës së fituar dhe shumës së luajtur nga lojtari.
8-Për të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuri të tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike, kopje të licencave/lejeve dhe mandatpagesës të tatimit në burim.
9-Për fitimin kapital nga dhurimi, kopje të dokumenteve vërtetues për justifikimin e origjinës së të ardhurave dhe mandatpagesës së tatimit të paguar.
10-Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, çdo dokument vërtetues për justifikimin e origjinës së të ardhurave dhe tatimit të paguar.
11-Për të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart, çdo dokument që justifikon realizimin e të ardhurave.
Dokumentet që duhet t’i bashkëngjiten deklaratës, për justifikimin e shpenzimeve të zbritshme
1-Për pjesën e shpenzimeve për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe kontributet vullnetare të pensioneve, sipas përcaktimeve në ligjin për fondet e pensionit vullnetar, kopje të kontratës së fondit të pensionit me shoqërinë administruese dhe kopje të pagesave të bëra.
2-Për shumat e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, kopje të kontratës me bankën brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ku të jetë e specifikuar se kredia e marrë është për shkollim, si dhe kopje të mandatpagesave të interesave bankare të paguara gjatë vitit.
3-Për justifikimin e shpenzimeve të zbritshme për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, kopje të faturave dhe mandatpagesave të bëra për mjekim në institucionet shëndetësore deri në shumën e përcaktuar sipas VKM nr. 94, datë 9.02.2011. Në rastin e plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari ose bashkëshortja, deklaratës i bashkëlidhet kopja e certifikatës familjare, lëshuar nga zyrat e gjendjes civile, në vitin e plotësimit të deklaratës.
4-Në rast të plotësimit të deklaratës nga individi (jo kryefamiljar), shpenzimet vjetore për mjekim, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8 532 lekë.
5-Në rast të plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari, të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, shpenzimet vjetore për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8 532 lekë për secilin anëtar të familjes, por jo më shumë se 32 000 lekë.