BKT merr notën AAA nga JCR Eurasia Rating
Për të tretin vit radhazi, Banka Kombëtare Tregtare vlerësohet me notën AAA (Alb) nga JCR Eurasia Rating (JCR-ER duke rikonfirmuar kështu potencialin e kësaj banke ndërkohë që një tjetër vlerësim bëhet edhe për situatën, e cila konsiderohet si “e qëndrueshme” në terma afatgjatë në nivel kombëtar. Ky vlerësim tregon nivelin më të lartë të investimit. Në të njëjtën kohë, JCR Eurasia Rating ka vlerësuar Republikën e Shqipërisë me notën BB në terma afatgjatë. Të gjitha vlerësimet tregojnë një situatë “të qëndrueshme”. JCR Eurasia Rating është filiali Euroaziatik i Agjencisë Japoneze të Vlerësimit, një nga agjencitë më prestigjioze të vlerësimit në botë. AAA (Alb) është nota më e lartë e mundshme brenda një tregu vendas dhe tregon që BKT është institucioni bankar më i besueshëm dhe më i fortë financiarisht në Shqipëri. JCR-ER ka vërejtur se BKT, me 15.62% pjesë të tregut në aktive, është institucioni i dytë më i madh bankar në Shqipëri, me një nivel të lartë likuiditeti dhe një strukturë afatgjatë të depozitave që kanë një bazë të gjerë të llogarive individuale. Gjatë vitit 2010, në krahasim me sektorin bankar në Shqipëri, BKT ka arritur të tregojë rezultate shumë më të larta te treguesit kryesorë të rritjes së aktiveve, kredive, depozitave, kapitalit aksioner dhe fitimit. Ky vlerësim bëhet menjëherë pasi BKT fitoi çmimin si “Banka e vitit 2010 në Shqipëri” nga revista prestigjioze angleze “The Banker”.