E Shtunë, 31 Tetor 2026

ITU: Shqipëria e përdor internetin në masën 43,5%

Shqiptarët janë të etur pas internetit, megjithatë sipas statistikave, ata nuk e arrijnë standardin mesatar të vendeve të rajonit. Sipas Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (ITU), përdorimi i internetit në Shqipëri ka arritur në shifrën 43.5%. Statistikat zyrtare, të publikuara nga ky union, për vitin 2010 tregojnë se penetrimi i internetit në Shqipëri është dy-fishuar. Sipas ITU, Shqipëria është një ndër vendet me rritjen më të shpejtë të përdorimit të internetit në Europë dhe numri i përdoruesve për vitin 2010 ishte 1.3 milionë persona. ITU thotë se përsa i përket statistikave, vendi ynë për penetrimin e internetit i afrohet gjithnjë e më shumë Malit të Zi. Vendi fqinj, sipas unionit në fjalë, regjistron 44.1% të personave që janë përdorues të rregullt të internetit. Statistikat e ITU tregojnë se Serbia, Maqedonia dhe Kroacia kryesojnë klasifikimin rajonal të përdorimit të internetit. Këto vende kanë një normë penetrimi mesatar më të lartë se 50%. Përsa i përket Kosovës, ITU nuk ka publikuar statistika të kohëve të fundit. Në lidhje me përdoruesit e internetit në Kosovë, statistikat datojnë që në vitin 2008. Në atë vit, qytetarët kosovarë e përdornin internetin në masën 20.8% të totalit të popullsisë. Në numër personash ishin rreth 380 mijë përdorues të internetit. Ndërsa nëqoftëse do të bënim një qasje krahasuese me vendet e Bashkimit Europian, penetrimi mesatar i internetit për të gjithë BE-në është 67.6% dhe shteti që kryeson përdorimin në masë të internetit është Suedia me 92.6% të popullsisë, që janë përdorues të internetit. Megjithatë, Shqipëria ka bërë hapa përpara në lidhje me përdorimin e internetit. Edhe një nga qëllimet e qeverisë është shpallur interneti në çdo shtëpi. Vitet e fundit është vënë re një numër i konsiderueshëm kompanish në treg, të cilat, përveçse shërbimit telefonik, ofrojnë edhe shërbimin e internetit, wirless ose/dhe kabllor. Madje edhe qendrat e internet caffe’ janë shtuar në masë, gjë që tregon një përdorim në rritje të shërbimit të internetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›