AMC-ja mundëson vaksinimin e fëmijëve të fshatit SOS
Fëmijët e fshatit SOS pajisen me vaksinën antigrip, që u është dhuruar nga kompania “AMC”. Kjo kompani ka ndërmarrë një nismë për vaksinimin e të gjithë fëmijëve të fshatit SOS, për të parandaluar shfaqjen dhe prekjen nga virusi i gripit. Stinët më të ftohta të vitit gjithmonë shoqërohen me shfaqjen e formave të ndryshme të virusit të gripit. Fëmijët janë ata që preken më lehtësisht nga virusi i gripit. AMC-ja ka vendosur t’i dhurojë fshatit SOS sasinë e nevojshme të vaksinave antigrip për të gjithë fëmijët e qendrës. Fëmijët e vaksinuar janë të moshave të ndryshme, nga 2 deri në 15 vjeç. Me marrjen e vaksinës antigrip të 70 fëmijët e kësaj qendre do të jenë të imunizuar përgjatë gjithë stinës së ftohtë nga gripi. Drejtuesit e AMC-së kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur fshatin SOS jo vetëm në këtë rast, por edhe në të ardhmen, duke ndihmuar sa më shumë fëmijët që banojnë në këtë fshat. Njëkohësisht, AMC-ja ka ideuar dhe mbështetur edhe më parë nisma në dobi të fëmijëve dhe kryesisht atyre në nevojë, ku ka kontribuar në përmirësimin e kushteve të disa shkollave në vend duke i rikonstruktuar, në vizitat e herëpashershme që organizon në shtëpitë e foshnjave dhe të fëmijëve apo në publikime si manuali “Për shëndetin e fëmijës”, i mundësuar nga një bashkëpunim me UNICEF-in.
26 Nentor 2008