E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulja e temperaturave shkakton një të vdekur në Elbasan



Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit janë bërë shkas për një tjetër viktimë. Pas ngjarjes së ndodhur në Durrës tri ditë më parë, një tjetër shtetas, i alkoolizuar, ka humbur jetën si pasojë e infarktit në orët e vona të mbrëmjes së dy ditëve më parë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se dje në mëngjes është gjetur nga kalimtarë të rastësishëm buzë rrugës trupi i pajetë i shtetasit Ardian Kodheli. Sipas të dhënave të para, dyshohet se viktima, 45 vjeç, banor i lagjes “Syrja Dylgjeri” të qytetit të Elbasanit, e kishte kaluar gjithë natën në lokal dhe më pas, në gjendje të dehur është nisur drejt shtëpisë së tij, por e ka lënë zemra. Ekspertët mjeko-ligjorë kanë konstatuar një sasi të lartë alkooli në trupin e viktimës dhe ataku kardiak mendohet të jetë provokuar edhe nga temperaturat e ulëta natën e së hënës. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se hetimet vazhdojnë për të zbardhur plotësisht shkakun e vdekjes së 45-vjeçarit, trupi i të cilit është dërgua në morgun e spitalit të qytetit. Burimet policore sqarojnë se viktima nuk ka pasur goditje në trup. Ulja e ndjeshme e temperaturave gjatë javës së fundit ka ndikuar në pakësimin e lëvizjes në akset rrugore të vendit tonë. Kjo është konstatuar në pikat e kalimit kufitar mes Shqipërisë e Kosovës. "Gjatë 48 orëve të fundit fluksi i lëvizjes në të dy anët e kufirit ka një rënie të ndjeshme: nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri 717 njerëz, ndërsa në Kosovë nga Shqipëria kanë kaluar 600 njerëz me rreth 320 mjete",- tha drejtori i Drejtorisë Kufitare të Qarkut të Kukësit, Ylber Zyberi, duke pohuar se për shkak të të ftohtit e ngricave në dy ditët e kaluar, fluksi i lëvizjes në të dy anët e kufirit ra në mënyrë të ndjeshme. "Edhe gjatë ditëve me dëborë e ngrica, në të gjitha akset rrugore që lidhin Shqipërinë me Kosovën nuk u shënua asnjë aksident automobilistik", - thotë Zyberi.

Prangosen 3 të rinj, në mjetin e tyre u gjet marijuanë e gatshme për konsum

GJIROKASTËR – Tre të rinj kanë rënë në pranga, pasi gjatë një kontrolli në mjetin që po udhëtonin është gjetur një sasi lënde narkotike e llojit marijuanë. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 19:00, është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve Henerik dhe Sejdo Beqiri, të afërm me njëri-tjetrin. 20-vjeçari Beqiri ka lindur dhe është banor në Këlcyrë të Përmetit, ndërsa kushëriri i tij 25-vjeçar ka lindur dhe banon në Memaliaj.
Arrestimi i dy personave është bërë pasi të njëjtën ditë, rreth orës 14:30, policia ka ushtruar një kontroll në vendin e quajtur Viroi, në rrugën nacionale Gjirokastër - Tepelenë, të automjetin tip “Volkwagen, me targa PR 1833 B, ku u gjetën 40 gramë marijuanë. Lënda narkotike u gjet e fshehur në një letër gazete brenda në motorin e makinës, që drejtohej nga Henerik Beqiri. Burimet policore raportojnë se në makinë u gjetën dhe u sekuestruan edhe 2 zarfe me letër duhani, të cilat shërbenin për të përdorur këtë lëndë narkotike. Në këtë automjet udhëtonte edhe shtetasi Sejdo Beqiri, të cilit, gjatë kontrollit fizik të bërë nga policia, iu gjetën në xhepin e xhupit 3 gramë marijuanë. Materialet në ngarkim të tre personave i kaluan prokurorisë, pasi ata akuzohen për “prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

26 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›