“Amnesty International” në krah të Dobjanit, dënohet ashpër dhuna policore
“Amnesty International” ka dënuar ashpër dje dhunën policore të regjistruar kohët e fundit në Shkodër dhe në Sarandë. Rastet e shumëpërfolura edhe në media u dënuan edhe nga Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ndërsa reagimi i një jave më parë i Dobjanit për pak sa nuk e ktheu këtë histori në një përplasje të egër mes institucioneve përkatëse. Megjithatë, “Amnesty International” nuk ka asnjë dilemë se është policia ajo që duhet të reflektojë dhe të marrë masa urgjente në respektimin e të drejtave të njeriut. “Në dritën e fakteve të bëra publike kohët e fundit, “Amnesty International” shprehet e shqetësuar për shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut dhe i bën thirrje ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të garantojnë dhe të instruktojnë vartësit e tyre për të mos guxuar të shkelin të drejtat e njeriut të cilitdo individi që arrestohet nga autoritetet dhe të garantojnë mospërdorimin e dhunës ndaj cilitdo qytetar që arrestohet”, - shkruhet në deklaratën e “Amnesty International”. Më tej, kjo organizatë e mirënjohur dhe autoritare ka mbështetur rolin shumë të rëndësishëm të institucionit të Avokatit të Popullit në zbardhjen dhe dënimin e këtyre rasteve, ndërsa ka kërkuar hetimin deri në fund të këtyre rasteve nga zyrtarët përkatës shqiptarë. Rasti më i fundit i denoncuar nga Avokati i Popullit në Shkodër shkaktoi një “betejë” me akuza dhe kundërakuza mes tij dhe policisë. Kjo e fundit u ankua se Avokati i Popullit kishte “penguar” hetimet, ndërsa Dobjani kishte denoncuar pak më parë se nga ana e oficerëve policorë po ushtrohej dhunë çnjerëzore. “Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, na prishi hetimet që po bënim për zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në vitin 1997. Zoti Dobjani dhe komisionarët që e shoqëronin ndërhynë në mënyrë arbitrare në zyrat e Policisë Gjyqësore", - kështu ka reaguar pak ditë më parë Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës, e cila nga ana e saj nuk tha asnjë fjalë mbi faktin nëse ishte ushtruar apo jo dhunë mbi personin e arrestuar.
26 Nentor 2008