Gjimnazistja plagos kambistin, e mashtroi duke e çuar në shtëpi
KORÇË – Një tjetër kambist ka mbetur i plagosur në tentativën për t’u grabitur, por kësaj radhe autore i ngjarjes është një gjimnaziste, e cila është arrestuar. E pamaskuar, vajza, e cila mendohet të jetë e moshës 17-vjeçare, e ka mashtruar duke i thënë se kishte një sasi eurosh, të cilat duhej t’i konvertonte në lekë, duke e çuar në shtëpinë e saj dhe më pas e ka plagosur në shpatull. Burimet zyrtare të Policisë bëjnë të ditur se kambisti i plagosur është 55-vjeçari Tahir Mëhalla, ndërsa autorja e ngjarjes një 17-vjeçare me inicialet K. D. Sipas policisë, vajza është nxënëse në shkollën e mesme "Themistokli Gërmenji" në këtë qytet. Nga dëshmitë e dhëna prej kambistit në polici, adoleshentja arriti ta tërheqë kambistin në një vend pa shumë kalimtarë, e më pas në një pallat, në përpjekje për ta grabitur, duke e qëlluar me thikë. Vetë i dëmtuari, pasi ka dalë nga spitali, ka rrëfyer ngjarjen, duke pranuar se ka rënë pre e mashtrimit të vajzës. Ai tregon se ajo i është afruar dhe i ka thënë se donte të këmbente një shumë prej 10 mijë eurosh. Por, duke qenë një shumë e madhe, nuk i kishte me vete, pasi kishte frikë mos e vidhnin. Kambisti thotë se e ka pyetur i habitur për gjithë atë shumë që kishte vajza, ndërkohë që ajo i është përgjigjur e bindur se paratë ia kishin dhënë të afërmit. “E ndoqa vajzën nga pas, por ajo më dukej paksa e hutuar. Jemi ngjitur në një pallat, që ndodhet në qendër të qytetit të Korçës, në katin e tretë, dhe teksa bënte të hapte çantën, pasi më tha që këtu ishte shtëpia e saj, krejt papritur nxori një thikë me një teh 10 centimetra të gjatë dhe ma nguli në shpatull”, - tregon ai. Në këto kushte, edhe pse i plagosur, ai e ka zënë për fyti dhe e ka nxjerrë nga hyrja. I ka kërkuar ndihmë një polici rrugor që ka parë në rrugë e më pas është njoftuar policia. Sipas tij, të dy janë shoqëruar në polici, ndërkohë që ai më pas është transportuar në spital. Nga ana e saj policia ka hedhur dyshimet se vajza në gjithë këtë ka pasur bashkëpunëtor, por nuk bën me dije të tjera detaje. Sa për motivin, sipas policisë, mendohet se është një tentativë grabitjeje.
26 Nentor 2008