Suedia financon dixhitalizimin për regjistrimin e pronës
Qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Suedisë nënshkruan dje një marrëveshje bashkëpunimi, e cila ka si qëllim binjakëzimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri dhe Lantmateriet (Autoriteti Kombëtar Suedez për Kadastrën, Hartat dhe Regjistrimin). Marrëveshja u nënshkrua për palën shqiptare nga ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, dhe për atë suedeze nga drejtoresha e SIDA-s (Organizata Qeveritare për Dhënien e Ndihmës së Huaj) në Shqipëri, Elisabeth Stam. Marrëveshja parashikon asistencë teknike për ZRPP-në në fushën e IT-së për një periudhë katërvjeçare (nëntor 2008-prill 2012) me një fond prej 450 000 eurosh. LANTMATERIET merr përsipër që të projektojë sistemin e kompjuterizuar për ZRPP-në dhe të testojë funksionimin e tij në të paktën një prej ZVRPP-ve. Sipas specialistëve, ekspertët do të punojnë në katër drejtime kryesore: Disenjimin e zhvillimit të sistemit të kompjuterizuar bazuar në metodën RUP; ndërtimi dhe përpunimi i fazës tranzitore nga sistemi analog në sistemin e kompjuterizuar; udhëzimi dhe monitorimi i zhvillimit të sistemit; zbatimi i proceseve dixhitale të punës në zyrat e regjistrimit; hartimi i strategjisë dhe ndërtimi i kapaciteteve për zhvillimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të IT-së. Zbatimi i tij do të përmirësojë kontrollin e ZRPP-së mbi informacionin që administron, do të sjellë përmirësimin dhe përditësimin e të dhënave dixhitale dhe analoge si dhe krijimin e mundësive për shkëmbimin e informacionit të pasurive, pra akses më të lehtë në informacionin e ZRPP-së.
26 Nentor 2008