AMC-ja rikonstrukton tri shkolla të dëmtuara në Gërdec
AMC-ja kontribuoi për lehtësimin e pasojave të tragjedisë nga shpërthimi në Gërdec, duke ndërmarrë një sërë nismash e fushatash ndërgjegjësuese. Pasi vlerësoi nevojat e komunitetit, AMC-ja vendosi të marrë përsipër rikonstruksionin e shkollës nëntëvjeçare dhe asaj të mesme të Vorës, si dhe të shkollës nëntëvjeçare të fshatit Marikaj. Të tria këto shkolla pësuan dëmtime të rënda, duke e bërë të pamundur zhvillimin e mësimit për 2000 nxënës. Për të parë punimet e përfunduara shkuan dje në Vorë dhe Marikaj drejtori i Përgjithshëm i AMC-së, Stefanos Oktapodas dhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Halit Shamata, të cilët u shoqëruan nga kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili. Drejtori i AMC-së, Oktapodas, pasi shprehu keqardhjen e tij për tragjedinë e Gërdecit, theksoi se “AMC-ë është pjesë e shoqërisë shqiptare dhe si e tillë e ndjen si detyrim të gjendet pranë komunitetit. Ne ndihemi krenarë që mundësuam rikthimin e nxënësve në këto shkolla. AMC-ë do të vazhdojë të jetë pranë këtij komuniteti, në mënyrë që pasojat e shpërthimit të Gërdecit të minimizohen dhe situata t’i kthehet normalitetit”. Edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Shamata, falënderoi AMC-në për përgjigjen e menjëhershme për të rikonstruktuar shkollat e dëmtuara të kësaj zone. Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit e këtyre shkollave, Oktapodas, u njoh me nevojat që ata kanë për të përmirësuar procesin mësimor. Ai premtoi se së shpejti AMC do të ngrejë bibliotekat për secilën shkollë, si dhe do të marrë pjesë në projektin e ndërtimit të kompleksit sportiv në shkollën 9- vjeçare të Marikajt. Përveç rikonstruksionit të shkollave të dëmtuara nga shpërthimi, AMC-ë i dha përparësi nevojës urgjente për gjak duke bashkëpunuar me Ministrinë e Shëndetësisë, me një mesazh sensibilizues për abonentët e saj, duke u bërë thirrje të dhuronin gjak për të plagosurit nga shpërthimi. Edhe punonjësit e AMC-së organizuan një fushatë brenda kompanisë për dhurimin e gjakut. Më tej AMC filloi një fushatë për mbledhjen e fondeve me anë të SMS-ve, ku shumës totale iu shtua edhe kontributi i punonjësve të saj. Shuma e grumbulluar prej 1 milion lekësh iu dhurua Fondit për Mbështetjen dhe Rindërtimin e Gërdecit.
25 Prill 2008