E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e buta, Shqipëria e humbet të drejtën pas qershorit 2008

Ndërkombëtarët nuk e konsiderojnë më vendin si të varfër. Kreditë tregtare ndikojnë në thellimin e borxhit të jashtëm

Ervin Koçi

Këtë vit, ose më saktë në muajin qershor, Shqipëria do t’u thotë “lamtumirë” kredive të buta të dhëna nga donatorët e huaj për projektet e ndryshme zhvilluese të vendit. Që këtej e tutje qeverisë shqiptare dhe qeverive në vazhdim do t’i mbetet si rrugë e vetme aplikimi për kredi tregtare te bankat e huaja, njësoj si të gjithë klientët e tjerë persona fizikë apo juridikë, individë apo biznese. Kjo nënkupton që normat e interesit dhe të gjitha komisionet e tjera bankare për kreditë që do të tërheqë qeveria shqiptare, do të jenë jo më të përgjysmuara dhe me afate mjaft të gjata shlyerje. Këtë gjë e ka deklaruar dje në Kuvend ministri i Financave, Ridvan Bode, i cili tha se Shqipëria tashmë ka krijuar kushtet dhe mundësitë për të luajtur drejtpërdrejt në tregun e kredive. “Nga qershori i vitit 2008 Shqipëria nuk do të ketë më pjesë në kreditë e buta, pasi të ardhurat për frymë dhe Prodhimi i Brendshëm Bruto, e kanë graduar nga një vend me të ardhura të ulëta, në një vend me të ardhura mesatare”, - tha Bode. Kjo gjë vjen pas vendimeve të mara nga donatorët e huaj, kryesisht nga FMN-ja dhe BB-ja, të cilët nuk e konsiderojnë më vendin tonë si një vend nën nivelin e zhvillimit, por si një vend në zhvillim. Një gjë e tillë lidhet dhe me përpjekjet për reforma, si dhe projektet e mëdha infrastrukturore që Shqipëria po realizon bashkë me ndihmën e donatorëve të huaj.

Borxhi i jashtëm

Marrja e kredive tregtare me norma të larta interesi nga bankat e huaja do të ndikojë në thellimin e borxhit të jashtëm të vendit. “Në perspektivë niveli i huamarrjes publike në raport me PBB-në do të vijë në rënie dhe për këtë arsye, niveli i borxhit në Shqipëri nga 79 për qind e PBB-së që ka qenë në vitin 2000-2001, ka zbritur në nivelin e 52 për qind të PBB-së në vitin 2007”, - tha dje ministri i Financave, Ridvan Bode. Sipas kreut të Financave, investimet publike që ne mbështesim me këto lloj kredish janë investime me karakter ekonomik. “Infrastruktura rrugore përbën rreth 80 për qind të investimeve publike, ku rreth 700 milion euro është vëllimi i investimeve publike të kontraktuara për vitin 2008”,- tha Bode. Sipas tij, në të ardhmen nevojat e financimit të investimeve publike në Shqipëri do të përballohen nëpërmjet procedurave konkurruese të tregut. “Ne kemi pasur një marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtar në një limit trevjeçar të kontraktimit të kredive në nivelin 680 milionë euro dhe këto tërësisht për mbështetjen e vendit me investime publike”. Bode theksoi se, që nga viti 2006 investimet publike nuk financohen vetëm me borxhe, por edhe me të ardhurat nga tatimet dhe taksat . Sipas tij, nga viti 2006 niveli i financimit të investimeve vetëm me fondet tona, është më i lartë se 3 për qind e PBB-së.

Kredia tregtare

Hapin e parë në marrjen e një kredie tregtare vendi ynë dhe qeveria shqiptare e ka hedhur me aplikimin dhe marrjen e kredisë për rrugën “Durrës-Kukës”, pjesë e korridorit Durrës-Kukës-Prishtinë. Përsa i takon procedurave për marrëveshjen e huas për financimin e segmentit rrugor “Rrëshen-Kalimash”, kreu i Financave, Bode, sqaroi se, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të të gjitha ofertave të ardhura nga bankat rezultoi se oferta e përbashkët e “Alpha Bank” dhe “National Bank of Grece”, ishte oferta më e mirë përsa i përket termave të kreditimit dhe të sigurimit të shumës së kërkuar të kredisë. Termat e kredisë së dhënë nga këto dy banka janë, principali 230 milion euro, maturimi 15 vjet, periudha pa pagesë principali- 5 vjet, shlyerja që është parashikuar me 10 këste të barabarta vjetore, ndërsa interesi është euribor plus 1.25 për qind. Sipas Bodes, interesi i ofruar nga këto banka është i përafërt me ato që ofrojnë institucionet financiare ndërkombëtare për zhvillim, si BERZH-i, BB-ja, etj. Bode shtoi se, në tenderin e organizuar shprehën ofertën për pjesëmarrjen në financimin e projektit banka të mirënjohura si: Raiffeisen Bank, City Group, Deutch Bank, BNP Parisbas, Alpha Bank, National Bank of Greece, Banka e Pireut, ABA, ICB, ICM, HSCB etj.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›