E Diel, 1 Nëntor 2026

Linja 400 kilovolt Tiranë-Prishtinë, KfW gati fizibilitetin



Banka gjermane KfW do të realizojë studimin e fizibilitetit të projektit për ndërtimin e linjës 400 kV Tiranë-Prishtinë. Ndërtimi i kësaj linje përfshihet në projektet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit të Energjisë, por dhe nga pala kosovare. OST-ë bënë të ditur, se “banka gjermane KfW ka marrë përsipër shqyrtimin e fizibilitetit të projektit për ndërtimin e kësaj linje”. Pas këtij procesi, parashikohet që të nisin procedurat për financimin e linjës, që është mjaft e rëndësishme për të dy sistemet energjetike, por dhe për tregun rajonal të energjisë, pasi mbetet pikë e rëndësishme e interkonjeksioneve rajonale. Koha e përfundimit të këtij projekti, vlerësohet rreth 2 vjet, aq sa janë procedurat standarde botërore në këto investime. Linja 400 kV e interkonjeksionit Tiranë-Prishtinë vlerësohet, si një "autostradë" energjetike, pasi realizohet optimizimi midis dy sistemeve energjetike, i cili bazohet në dy burime të ndryshme të prodhimit të energjisë.
Ndërsa sistemi ynë bazohet në prodhimin e energjisë nga HEC-et, ai në Kosovë mbështetet në prodhimin e saj nga TEC-et me qymyr. Këtë vit pritet të nisë në Kosovë ndërtimi i një TEC-i me kapacitet të madh, që do të shërbejë si burim i pasur për shkëmbimet e energjisë për gjithë rajonin e Ballkanit.

25 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›