AMC, konferencë për ecurinë e shitjeve dhe planet për të ardhmen
Kompania “AMC” organizoi “Konferencën e Parë të Shitjeve”, tema qendrore e së cilës ishte rrjeti i dyqaneve të kompanisë. Mbi 100 përfaqësues nga dyqanet “AMC” në mbarë vendin diskutuan rreth shërbimeve cilësore që u ofrohen abonentëve dhe qëndrimit sa më pranë nevojave të tyre. Drejtori i Përgjithshëm i saj, drejtuesit e Departamenteve të Shitjeve me Pakicë e të Shitjeve të Biznesit, të Departamentit të Shërbimeve, Produkteve e Marketingut dhe të Departamentit të Kujdesit ndaj Abonentit, dhanë një përshkrim të përgjithshëm të kompanisë, ecurisë së saj, sfidave të kaluara gjatë vitit që u mbyll, si dhe planeve për vitin 2009. Vëmendje e veçantë iu kushtua strategjisë së “AMC”-së për të përmirësuar më tej cilësinë e shërbimit në rrjetin e dyqaneve dhe lançimin e mëtejshëm të produkteve të reja dhe interesante për konsumatorët vendas. Më pas, drejtuesit e “AMC”-së bashkëbiseduan me pjesëmarrësit, përfaqësues të 120 dyqaneve “AMC” në Shqipëri, duke iu përgjigjur gjithashtu edhe interesit të tyre për çështje të ndryshme me të cilat ata përballen në terren. Gjatë konferencës u prezantuan disa dyqane të sapohapura, kurse dyqanet ekzistuese garuan për çmimin e “Dyqanit me rezultatet më të mira gjatë vitit 2008”. Në mbyllje të konferencës, të pranishmit u njohën me disa shërbime të reja, ndër to Interneti nëpërmjet celularit dhe shërbimi “Zlango”, ose mënyra e re e komunikimit me mesazhe. “AMC” zotëron pjesën më të madhe të tregut celular në Shqipëri dhe gjithashtu ka rrjetin më të madh të dyqaneve - 120 dyqane në të gjithë vendin (sa dyfishi i kompanisë që renditet e dyta përsa u përket numrit të dyqaneve). Dyqanet “AMC” ofrojnë lehtësi dhe shërbime unike, p.sh. shërbime online, pagesa të faturës online dhe falas, rimbushje online të numrave me parapagesë, etj. “AMC”, gjatë vitit 2009, synon të ruajë pozicionin e liderit në treg dhe të vazhdojë të kënaqë abonentët e vet me produktet dhe shërbimet e saj. Filozofisë së “AMC”-së për orientimin drejt abonentit i shtohet gatishmëria për të ndarë suksesin me bashkëpunëtorët që ndodhen më afër me abonentët e kompanisë.
11 Mars 2009