E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Itali, nënshkruhen tri marrëveshje për rrjete të përbashkëta gazi dhe energjie



Ervin KOÇI

Shqipëria dhe Italia u hapin rrugën investimeve të mëtejshme të prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike. Në Tiranë, të dy ministrat e Ekonomisë, ai shqiptar Genc Ruli dhe homologu i tij italian Klaudio Skajola, nënshkruan tri marrëveshje për integrimin e sistemit të gazit dhe atij energjetik, me vlerë 60 milionë euro. Ministri Skajola tha se pas 40 viteve të ardhshme, nevojat e planetit për energji do të rriten me 2,5 herë, prandaj duhet prodhuar më shumë energji, por pa dëmtuar mjedisin. Sipas tij, Italia e konsideron Shqipërinë si një partner strategjik në Ballkan në planin energjetik, për krijimin e interkonjeksionit me Italinë me synim Bashkimin Europian. “Kjo strategji është në vazhdim të programit të mbështetur nga qeveria ‘Berluskoni’ për një rrjet energjetik mesdhetar”, - ka deklaruar ministri italian Skajola. Marrëveshja e nënshkruar parashikon ngritjen e një grupi koordinues mes dy ministrive tona në funksion të zhvillimit të impianteve energjetike në kohë shumë të shkurtër.

Marrëveshjet

Firmosja e tri marrëveshjeve të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë dhe energjisë mes Shqipërisë dhe Italisë janë firmosur dje në Tiranë nga ministri shqiptar i Ekonomisë Genc Ruli dhe homologu i tij italian Klaudio Skajola, i cili shoqërohej në këtë vizitë nga një grup i madh investitorësh italianë. Marrëveshja synon realizimin e linjës nënujore të interkonjeksionit dhe gazsjellësit mes dy vendeve tona, e cila do të kalojë nëpër Adriatik. Ministri Ruli, në konferencën e organizuar me investitorët italianë, tha se rrjeti shqiptar bëhet kështu pjesë e sistemit rajonal të energjisë. “Realizimi i linjës së re 400 kilovolt Tiranë-Elbasan, si dhe ngritja e dispeçerisë së kontrollit janë ndër investimet më kryesore”, - deklaroi ministri i Energjetikës, Ruli. Ai shtoi më tej se, “në këtë kuadër, marrëveshja e nënshkruar sot në sektorin elektroenergjetik merr një rëndësi të veçantë për zhvillimin bashkëkohor të këtij sistemi”. Nga ana e tij, ministri Skajola u ndal në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në të gjitha sferat mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe u shpreh interesimi i përbashkët për thellimin dhe intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Korridori 8

Ministri italian i Ekonomisë, Skajola, gjatë një takimi me ministrin shqiptar të Transporteve Sokol Olldashi, garantoi mbështetjen e Italisë për Korridorin 8, si dhe bashkëpunimin mes postave të të dy vendeve për t’u mundësuar studentëve shqiptarë në Itali transferta parash drejt atdheut me koston e vetëm një sms-je. Ai vlerësoi disa prej zhvillimeve të ekonomisë shqiptare sipas standardeve të tregut të lirë, gjë që ilustrohet edhe nga prania e madhe e mjaft sipërmarrësve të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj në vendin tonë, të cilët kanë investuar dhe zhvillojnë aktivitetet e tyre në prodhimin e çimentos, tekstileve, mekanikës, si dhe shprehu besimin në ecurinë pozitive të mëtejshme ekonomike të vendit, duke u bazuar në resurset ekonomike, natyrore dhe njerëzore që Shqipëria disponon. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Genc Pollo, përfaqësues të biznesit elektroenergjetik të të dy shteteve etj.

Sektori i energjetikës, i rrezikuar nga ndryshimet klimatike

Sektori i energjetikës në Shqipëri është i rrezikuar nga ndryshimet klimatike. Banka Botërore ka organizuar një seminar për rreziqet klimatike dhe prekshmërinë e sektorit energjetik të Shqipërisë. Kjo ka si qëllim të ndihmojë në mbështetjen e zhvillimit të politikave dhe projekteve në Shqipëri, të cilat janë të qëndrueshme ndaj pasigurive klimatike. Sipas ministrit të Mjedisit, Lufter Xhuveli, qeveria shqiptare ka programuar politika për mbrojtjen e vendit në rastet e ndryshimeve klimatike. Ky seminar sjell së bashku shumë nga grupet kyçe të përfshira në sektorin e energjisë në Shqipëri, duke përfshirë ministritë dhe agjencitë shtetërore, shërbimet publike dhe korporatat, kompani private, specialistë, konsulentë dhe ekspertë të sektorit të energjisë.

Komisioni i Ekonomisë voton blerjen e trojeve nga kompanitë

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me votat e shumicës projektligjin e qeverisë që u jep të drejtën 100 shoqërive private me aksioner edhe shtetin të blejnë përfundimisht tokat që u janë dhënë në përdorim. Sipas draftit, bizneset do ta blejnë tokën që e kanë në përdorim me çmimet mesatare të përcaktuara nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në hartën e çmimeve. Ligji parashikon se nëse shoqëritë nuk duan ta blejnë tokën, atëherë ajo do të shitet në ankand dhe të ardhurat e përfituara do të përdoren për të kompensuar ish-pronarët. Sipas listës së paraqitur nga Ministria e Ekonomisë, një pjesë e mirë e këtyre bizneseve që kanë në përdorim tokë shtetërore nuk kanë aktivitet dhe ndodhen në procese gjyqësore ose likuidim e sipër. Deputetët e opozitës kanë votuar ndërkohë kundër projektligjit.

11 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›