AMC ndihmon rikonstruksionin e Shkolla Kombëtare të Koreografisë
AMC ka mbështetur përmirësimin e një pjese të infrastrukturës të Shkollës Kombëtare të Koreografisë në kryeqytet, e cila ka pësuar rikonstruksion të plotë. Për realizimin e këtij projekti u punua mbi dy muaj dhe tani në të gjithë ambientin e shkollës mund të punohet në kushte normale. Kujdes i veçantë i është kushtuar sallave të baletit ku nxënësit bëjnë shumicën e ushtrimeve praktike. Shkolla Kombëtare e Koreografisë ka hyrë në 50 vjetorin e dytë të ekzistencës si institucion edukues që merret me zhvillimin e talenteve në fushën e baletit në Shqipëri. E themeluar që në vitin 1957 prej kësaj shkolle kanë dalë një numër i madh artistësh të skenës në vite duke përfshirë edhe brezin më të ri si Klejdi Kadiu, Ambeta Toromani, etj. Falë investimit të stafit pedagogjik, si edhe vetë nxënësve pritet që në të ardhmen të kemi akoma më shumë protagonistë të skenës europiane nga Shqipëria. Sot në këtë shkollë studiojnë e përgatiten për t’u bërë balerinë mbi 220 nxënës të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm. Stafi akademik i shkollës, i përbërë nga 33 mësues kujdeset që këto nxënës të përgatiten jo vetëm si balerinë, por formohen edhe me kulturën e nevojshme.