E Shtunë, 31 Tetor 2026

Privatizimet: Në proces 32 asete shtetërore

Procesi i privatizimit të shoqërive sh.a shënon 32 asete shtetërore. Burime nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës tregojnë se nga 2000 e ca asete, që do të privatizohen, 28 të tilla nga lista e zotëruar, deri më tani janë objekte jo strategjike dhe 4 janë objekte strategjike. Në vazhdim të këtij procesi, si dhe në zbatim të Urdhrit të Kryeministrit nr. 77 “Për marrjen e masave për identifikimin e aseteve shtetërore që do të përfshihen në procesin e privatizimit”, për të siguruar transparencë maksimale të këtij procesi, është rishikuar baza ligjore për privatizimin që ky proces të realizohet në një periudhë sa më të shkurtër, duke shmangur burokracirat e panevojshme. Kështu, Këshilli i Ministrave në vendimin e “Për kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet dhe për procedurën e shitjes” ka përcaktuar që Dega e Shoqërive Publike, me fillimin e vlerësimit të një objekti, vendos një njoftim në objekt, si dhe në mjediset e organit të qeverisjes vendore, në territorin e të cilit ndodhet objekti përkatës. Sipas burimeve nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, janë në procedurë vlerësimi 370 objekte. Kjo ministri u ka kërkuar të gjitha ministrive informacion për asetet që do të përfshihen në procesin e privatizimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›