E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albtelecom kundër “Të drejtës së kalimit për rrjetin e komunikimeve elektronike”

Ministria e Novacionit dhe Teknologjisë së Informacionit është përballur dje me kundërshtimet e Albtelecom, në lidhje me projektligjin për ““Për të drejtën e kalimit në pronë të shtetit dhe private, për ndërtimin e rrjetit të komunikimeve elektronike” në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese. Dje është zhvilluar seanca dëgjimore, ku përfaqësues të Albtelecom kundërshtuan disa pjesë të projektligjit, veçanërisht pjesën që parashikon përcaktimin e tarifave, për të drejtën e kalimit të një operatori tjetër në infrastrukturën e një operatori tjetër. Sipas Albtelecom, projektligji nuk i përfshin të gjitha kostot që duhen llogaritur dhe gjithashtu bie ndesh me ligjin bazë të sektorit, atë për Komunikimet Elektronike. Gjithashtu, Albtelecom vërejti se përcaktimet e projektligjit në fjalë mbi linjat ekzistuese, të cilat i cilësojnë dispozita me fuqi prapavepruese, bien në kundërshtim me kushtetutën e vendit. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka administruar vërejtjet e shprehura nga Albtelecom dhe pritet të shprehet rreth tyre gjatë kësaj jave. Projektligji në fjalë, shënon për herë të parë në Shqipëri, ndërtimin e rrjeteve të Komunikimeve elektronike me ligj. Ky projektligj synon të legalizojë në një farë mënyre, pra t’i japë të drejtën kompanive të komunikimeve elektronike, të përdorin tokën dhe godinën e shtetit, ose privatit për të kryer me cilësi shërbimin ndaj klientëve. Ky projektligj do të rregullojë si ndërtimet ekzistuese, ashtu edhe ato që do të vijojnë. Në këtë mënyrë, në asnjë komunë apo bashki nuk do të vërehet më kaos telash.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›