AMC prezanton ofertën më të re për abonentët me kontratë
Për herë të parë në tregun e telefonisë celulare ofrohet plani tarifor mujor zero për të gjithë abonentët e AMC-së me kontratë. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të kësaj kompanie, e cila kësaj radhe vjen me një paketë të re dhe të pa aplikuar më parë, duke hequr pajtimin mujor. “Abonentët e kësaj kategorie të re përfitojnë tarifa akoma më të ulëta drejt çdo numri brenda vendit. Ata mund të flasin me vetëm 24.11 lekë/min me të gjithë numrat AMC dhe mund të komunikojnë me 37 lekë/min me rrjetet e tjera brenda vendit”, - thuhet në njoftimin për shtyp. Sipas saj. “kjo ofertë nga AMC nuk është kufizuar vetëm me eleminimin e pajtimit mujor, por ka parashikuar edhe uljen e tarifave të komunikimit për abonentët që do të aplikojnë për paketën tarifore Zero Pajtim Mujor. Për të gjithë abonentët që do të zgjedhin paketën AMC Zero Pajtim Mujor përfitimet nuk mbarojnë me kaq. Çdo ditë nga ora 23:00 deri në 06:00, si edhe të shtunën e të dielën gjatë 24 orëve, abonentët e kësaj kategorie mund të flasin me 8 lekë/minutë me të gjithë miqtë, kolegët familjarët apo të dashurit e tyre brenda rrjetit të AMC. Për më tepër, çdo abonent i planit tarifor AMC Pajtim Mujor Zero mund të formojë një grup me tre abonentë të tjerë Consumer dhe të komunikojë gjithmonë me ta për vetëm 9 lekë/minutë gjatë gjithë ditës. Ky program i ri i AMC është krijuar për t’i ofruar çdokujt fleksibilitet dhe lehtësi në komunikim. Oferta e radhës së kompanisë më të madhe të tregut celular në Shqipëri, vjen në prag të nisjes së sezonit të verës.
2 Qershor 2009