E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, kostoja e kurimit shëndetësor jashtë vendit

Kategoritë që e përfitojnë falas apo pjesërisht shërbimin. Përfitimet shëndetësore që kanë ushtarakët nga statusi që mbajnë

Emanuela Sako

Personat që mbajnë statusin e ushtarakut dhe që kanë probleme shëndetësore kanë të drejtë të kurohen jashtë vendit me shpenzimet shtetërore. Të gjithë këta persona duhet që të kenë dokumentacionin përkatës nga mjekët që kanë kryer ndjekjen shëndetësore. Sipas ligjit, ushtarakët e Forcave të Armatosura dhe pjesëtarët e familjeve së tyre, bashkëshorti ose bashkëshortja dhe fëmijët, përfitojnë kurim jashtë vendit në masën 100 për qind. Lehtësirat për këtë kategori bëhen në bazë të protokoll-marrëveshjeve me ushtritë e huaja, prandaj dhe shpenzimet e udhëtimit të përballohen në masën 100 për qind nga shteti.
Ndërsa kur ushtarakët rezervë dhe punonjësit civilë të Forcave të Armatosura dërgohen për diagnostikim dhe kurim jashtë shtetit, shpenzimet e udhëtimit të përballohen në masën 70 për qind nga shteti dhe 30 për qind nga ata vetë. Efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.
Kategoritë
Të gjithë personat që mbajnë statusin e ushtarakut kanë të drejtë të kurohen falas apo me lehtësira, për pagesën në spitale për shkak të profesionit të tyre. Ndërsa përsa u përket rimbursimit të barnave, kjo kategori trajtohet e njëjtë me kategoritë e tjera. Për ushtarakët që janë në pension barnat u rimbursohen në masën 100 për qind, sipas rregullave të ISKSH-së për pensionistët.
Kategoritë e ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura (oficerë, nënoficerë, ushtarë me pagesë/profesionistë), ushtarëve të shërbimit të detyrueshëm ushtarak aktiv, oficerëve që kanë dalë në rezervë dhe lirim, e vërtetuar kjo me dokumentin e “Identifikimit ushtarak”, u rimbursohen në masën 80 për qind për çdo alternativë. Ndërsa për ushtarakët që dëmtohen gjatë operacioneve ushtarake ndërkombëtare u rimbursohen barnat në masën 100 për qind, deri në riaftësimin e tyre, sipas vërtetimit të institucionit shëndetësor që ka kryer trajtimin e ushtarakut.
Ndërsa përjashtohen nga përfitimet ushtarakët që dalin në lirim për shkak të dënimit me burg për krime, me vendim gjykate të formës së prerë. Ndërkohë që ushtarakët me sëmundje të rënda, me shtesat e reja të listës së këtij viti do të bëhen pjesë e përfitimeve të barnave të shtrenjta për sëmundjet e rënda.
Institucioni
Ministria e Mbrojtjes derdh kontribute pranë Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për mbulimin e diferencës ndërmjet masës së mbulimit të çmimit të barnave të përcaktuar në këtë vendim dhe masës së mbulimit të çmimit të alternativave sipas listës së barnave që rimbursohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Nga ana tjetër, ISKSH-ja rimburson farmacitë e tregtimit me pakicë të barnave, të cilat kanë kontratë me të për diferencën e çmimit për kategoritë e ushtarakëve përfitues. Por, kjo ndodh vetëm kur ata identifikohen nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe vërtetohet me dokumentin “Identifikimi ushtarak”, se u përkasin këtyre kategorive. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi përballohen nga fondi që derdh çdo vit Ministria e Mbrojtjes për këtë qëllim në buxhetin e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Kategoritë që përfitojnë kurimin falas
Sipas ligjit, ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura, oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist dhe pjesëtarët e familjes në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit të detyrueshëm aktiv përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile ose në qendrat mjekësore private brenda vendit. Por jo vetëm kaq, për të njëjtët persona është përcaktuar në ligj që kur dërgohen për t'u kuruar ose për t'u diagnostikuar jashtë vendit, sërish shërbimi ndaj tyre të jetë falas dhe të mbulohet nga buxheti i shtetit.
Ushtaraku në rezervë, në lirim ose në pension, oficer, nënoficer dhe pjesëtarët e familjes që janë në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit rezervë, kur sëmuren në shërbim ushtarak duhet të përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile brenda vendit.
Ushtaraku në rezervë, në lirim ose në pension, oficer, nënoficer dhe pjesëtarët e familjes në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit rezervë, kur sëmuren në shërbim ushtarak, gëzojnë të drejtën për t’u kuruar ose për t’u diagnostikuar në institucionet mjekësore shtetërore jashtë vendit, duke përfituar ndihmë mjekësore falas. Nga përfitimet e mësipërme janë përjashtuar ushtarakët që dalin në lirim për shkak se janë dënuar me burg për krime me vendim gjykate të formës së prerë.

Përfitimet shëndetësore për ushtarakët
1. Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura, oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist dhe pjesëtarët e familjes në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit të detyrueshëm aktiv përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile ose në qendrat mjekësore private brenda vendit.

2. Ushtaraku aktiv i Forcave të Armatosura, oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist) dhe pjesëtarët e familjes që janë në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit të detyrueshëm aktiv përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile ose në qendrat mjekësore private kur dërgohen për t'u kuruar ose për t'u diagnostikuar jashtë vendit.

3. Ushtaraku në rezervë, në lirim ose në pension, oficer, nënoficer dhe pjesëtarët e familjes që janë në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit rezervë kur sëmuret në shërbim ushtarak, përfitojnë ndihmë mjekësore falas në institucionet mjekësore shtetërore ushtarake dhe civile brenda vendit.

4. Ushtaraku në rezervë, në lirim ose në pension oficer, nënoficer dhe pjesëtarët e familjes në ngarkim të tij, si dhe ushtari i shërbimit rezervë kur sëmuret në shërbim ushtarak, gëzojnë të drejtën për t'u kuruar ose për t'u diagnostikuar në institucionet mjekësore shtetërore jashtë vendit, duke përfituar ndihmë mjekësore falas.

5. Nga ky nen nuk përfitojnë ushtarakët, të cilët dalin në lirim për shkak se janë dënuar me burg për krime me vendim gjykate të formës së prerë.

Përfitimi i barnave
Ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura, oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist, ushtarit të shërbimit të detyrueshëm aktiv, oficerit, të cilët kanë dalë në rezervë, në lirim ose në pension pleqërie, u rimbursohen barnat në masën 80 për qind në rast se në akte të tjera nuk parashikohet një përqindje më e lartë.

Ushtaraku që ka marrë pjesë në operacionet ndërkombëtare përfiton rimbursim të plotë të barnave kur shëndeti është dëmtuar gjatë operacioneve të tilla dhe kompensimi zgjat për aq kohë sa të bëhet riaftësimi shëndetësor.

Nga ky nen nuk përfitojnë ushtarakët që dalin në lirim për shkak se janë dënuar me burg për krime me vendim gjykate të formës së prerë.

2 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›