E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Dita e modës 2010”, AMC mbështet sfilatën e punimeve të studentëve



Departamenti i Tekstilit dhe Modës në Universitetin Politeknik të Tiranës organizoi aktivitetin e përvitshëm “Dita e modës 2010”. Është viti i gjashtë që ky aktivitet organizohet nga Universiteti Politeknik i Tiranës dhe këtë vit aktiviteti u organizua nga një bashkëpunim i ngushtë më kompaninë më të madhe të komunikimit celular në Shqipëri, AMC. “Dita e modës 2010” është një aktivitet që organizohet nga studentët e viteve të fundit të studimeve pranë degës së Inxhinierisë Tekstile dhe Modës. Aktiviteti ka për qëllim të paraqesë në formën e një sfilate veshjesh që janë ideuar, stiluar, skicuar, prera dhe qepura nga vetë studentet të cilat ndërthurin tendencat e modës, shijet personale dhe informacionin që ata marrin në këtë degë. Një pjesë e këtyre veshjeve janë projektet e kurseve që këta studentë zhvillojnë gjatë vitit akademik në lëndën “Modelim Veshjesh”. Departamenti i Tekstilit dhe Modës është njësi mësimore dhe shkencore e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike në Universitetin Politeknik të Tiranës i cili mbulon një degë të veçantë të këtij fakulteti, atë të “Inxhinierisë së Tekstileve dhe Modës”. Të pranishëm në këtë mbrëmje ishin të ftuar përfaqësues nga AMC, nga industria e tekstileve, veshjes, të atelieve të modës, shoqatave të stilistëve, studentë dhe staf akademik i Universitetit Politeknik. Ashtu si edhe në fusha të tjera, AMC i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për të përkrahur nismën e studentëve të Universitetit Politeknik.

17 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›