Legalizimi, formulari që duhet të plotësojnë pronarët e objekteve në bregdet
Laureta Rryçi
Ministria e Transportit publikon formularin që duhet të plotësojnë të gjithë pronarët e objekteve në bregdet që duan të rifitojnë aktin e pronësisë për truallin. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm, formularët dhe kërkesa që duhet plotësuar për të nisur procesin e legalizimit për këto objekte të ndërtuar në zona me përparësi turizmi. Ligji “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin” parashikon që truallin ka të drejtë ta blejë ose pronari i objektit të ndërtuar në tokën shtetërore që është i interesuar për të privatizuar këtë truall, ose personi i stimuluar, i cili është ai person që ka marrë me qira tokën shtetërore dhe ka ndërtuar objekte në të. Në rastin kur trualli i shitet personit të interesuar, çmimi paguhet në masën 80% të vlerës prej subjektit, 20% të kësaj vlere nga personi i stimuluar. Personat e interesuar për privatizimin e truallit duhet të paraqesin, brenda një afati 60-ditor, dokumentacionin që do të publikohet nga Agjencia Kombëtare e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale. Gjatë këtij procesi, ALUIZNI ka si detyrim bashkërendimin e punës me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për verifikimin e të dhënave për pronat shtetërore në zonat turistike të dhëna me qira. Blerja e truallit të njësisë së ndërtimit bëhet në bazë të kërkesës së paraqitur nga subjekti i interesuar, që mund të jetë pronari i objektit ose personi i stimuluar, pra ai që ka marrë me qira truallin shtetëror. Ndërkaq, çmimi i truallit do të jetë në proporcion me sipërfaqen në funksion të njësisë së ndërtimit. Trualli kalon në bashkëpronësi të detyrueshme në tërësi të personit që gëzon objektin e ndërtuar brenda një zone të stimuluar, që është zona turistike e ndërtuar në truall shtetëror. Kontrata e shitjes ndërmjet ALUIZNI-t dhe subjektit të interesuar lidhet vetëm pas pagimit të plotë të çmimit të shitjes. Vetëm pas nënshkrimit të kontratës, subjekti i interesuar ka të drejtë që ta regjistrojë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kontratën për fitimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtimit. Projekti parashikon se më parë do të realizohet çregjistrimi i objekteve private të ndërtuara në truallin shtetëror, pasi regjistrimi i tyre është i paligjshëm. Në projekt parashikohet se procesi i regjistrimit fillestar të këtyre objekteve në ZRPP do të kryhet nga ALUIZNI. Ndërsa për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për të drejtën e pronësisë ndërmjet subjekteve të interesuara, projektligji parashikon se ALUIZNI ka të drejtë të lidhë kontratën e shitjes me subjektin e interesuar që paraqet kontratën më të hershme për kryerjen e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale të pronësisë.
Formularët
Kërkesat e subjektit të interesuar/personit të stimuluar, për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin e njësisë së ndërtuar, paraqiten respektivisht sipas formularit 1 dhe formularit 2, që i bashkëlidhen këtij udhëzimi. Këto dy formularë përmbajnë: Gjeneralitetet e subjektit të interesuar/personit të stimuluar, për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin;
Të dhëna mbi marrëveshjen e qirasë/zhvillimit; Vendndodhjen e njësisë së ndërtuar dhe emërtimin e zonës së stimuluar; Të dhënat ndërtimore të njësisë së ndërtuar, si dhe të dhëna të tjera lidhur me funksionin dhe sipërfaqen e truallit për të cilën kërkohet kalimi i së drejtës së pronësisë. Dokumentacionin që disponon subjekti i interesuar/personi i stimuluar, në përputhje me kërkesat e nenit 4 dhe 5 të ligjit nr.10 186/2009. Në këtë dokumentacion përfshihen kontrata e lidhur me personin e stimuluar për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtuar (vetëm në rastin e subjektit të interesuar); marrëveshjen e qirasë apo të zhvillimit të lidhur ndërmjet personit të stimuluar dhe qiradhënësit (vetëm në rastin e personit të stimuluar); lejen e ndërtimit për njësinë e ndërtuar (vetëm në rastin e personit të stimuluar); planimetrinë dhe sipërfaqen në m2 të njësisë së ndërtuar; dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtuar, nëse ka; kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar. Nënshkrimin, adresën e subjektit të interesuar/personit të stimuluar, si dhe një numër kontakti.
Kërkesat
Kërkesat për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin e njësisë së ndërtuar, shoqërohen nga dokumentacioni financiar që vërteton shlyerjen e tarifës së aplikimit dhe paraqiten pranë Drejtorisë Qendrore të ALUIZNI-t, ku regjistrohen. Të dhënat e përftuara nga administrimi i kërkesave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, pasqyrohen në formularin e të dhënave, që i bashkëlidhet këtij udhëzimi, i cili plotësohet, administrohet dhe ruhet nga një format dixhital. Formulari i të dhënave do të përmbajë elemente që lidhen me: Datën e paraqitjes së kërkesës. Të dhëna mbi personin e stimuluar, apo gjeneralitetet e subjekteve të interesuara. Të dhënat e tipit të marrëveshjes së lidhur me qiradhënësin. Adresën e zonës së stimuluar/njësisë së ndërtuar. Të dhënat e gjendjes ndërtimore të njësisë së ndërtuar. Indeksin e dokumentacionit të pronësisë që disponohet për njësinë e ndërtuar. Të dhëna të tjera të karakterit ndihmës. Të dhënat e mbledhura shërbejnë për verifikimin e gjendjes juridike dhe në terren të truallit të njësive ndërtimore.
17 Korrik 2010