Banka Botërore, strategji të e re 4 vjeçare Partneriteti me Shqipërinë
Bordi i Drejtorëve i Grupit të Bankës Botërore diskutoi dje Strategjinë e re të Partneritetit të Vendit për Shqipërinë, e cila përbën platformën e asistencës për Shqipërinë për vitet 2011-2014. Sipas zyrtarëve të Bankës Botërore, Strategjia e re është plotësisht në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Shqipërisë për Zhvillimin dhe Integrimin dhe bazohet në një dialog gjithëpërfshirës dhe të vazhdueshëm me qeverinë e Shqipërisë dhe në këshillimet me të gjithë partnerët e zhvillimit. Strategjia e re e përbashkët e BB-së dhe Korporatës Ndërkombëtare Financiare parashikon financime deri në 275 milionë dollarë nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe nga 120 në 150 milionë dollarë nga Korporata Financiare për periudhën katër vjeçare në fjalë. “Shqipëria është një histori zhvillimi të suksesshëm në shumë drejtime, pasi ka bërë hapa të lavdërueshëm përpara në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik gjatë dekadës së fundit”,- tha Jane Armitage, Drejtoreshë e Bankës Botërore për vendin dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore. Zonja Armitage theksoi se, “Strategjia e re e Partneritetit synon të mbështesë intensifikimin e ritmit të rritjes ekonomike të Shqipërisë përmes shtimit të konkurrencës si rezultat i një sistemi arsimor dhe shëndetësor më të mirë, si dhe përmes forcimit të rrjetit të mbrojtjes sociale. Veç kësaj, Strategjia do ta ndihmojë Shqipërinë të përballojë sfidat e reja të ndryshimeve klimatike, duke mbrojtur dhe menaxhuar më mirë burimet e ujit dhe duke rritur shkallën e përgatitjes në rast fatkeqësish”.
Analiza
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, vënë në dukje zyrtarët e Bankës Botërore, Shqipëria ka qenë një nga vendet me rritjen më të shpejtë në Evropë, mesatarisht 6 për qind në vit, e shoqëruar me ulje të shpejtë të varfërisë. Pavarësisht nga kriza globale financiare dhe ekonomike, Shqipëria është ndër vendet e pakta në Evropë që ruajti nivele pozitive të rritjes dhe stabilitet financiar në vitin 2009. Ndërsa përfaqësuesja e BB-së për Shqipërinë, Camile Nuamah, ka thënë për mediat në lidhje me këtë strategji të re se: "Jemi konsultuar me qeverinë, por edhe me sektorin privat, e kemi parashtruar atë edhe në parlament me përfaqësues të opozitës dhe të qeverisë, si dhe kemi kryer konsultime me komunitetin e donatorëve, dhe shoqërinë civile. Ne kemi një strategji të re me tri nivele. E para lidhet me ndihmën që do t’i jepet Shqipërisë për të rifituar normat e saj të rritjes duke përmirësuar aftësinë e saj konkurruese. Kjo sigurisht është një deklaratë e madhe. Ne do të mbështesim krijimin e një kornize të shëndoshë makro për ta pajisur barkën me radar dhe në veçanti, në mungesë të FMN-së, mendojmë se ky është një rol shumë i rëndësishëm për Bankën për të diskutuar si me qeverinë, ashtu edhe me parlamentin për strategjinë fiskale dhe monetare, e cila do të na çojë përpara".
Strategjia
Strategjia e sapomiratuar mbështet rimëkëmbjen e ritmeve të rritjes së Shqipërisë nëpërmjet përmirësimit të konkurrueshmërisë, arsimit, shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale dhe klimës së biznesit. Në të planifikohen financime në energjetikë, rrugë, furnizimin me ujë dhe mjedis. Po ashtu synohet një program huamarrjeje i fokusuar në infrastrukturën bashkiake, furnizimin me ujë, menaxhimin e mbetjeve të ngurta etj. Shqipëria ka një bashkëpunim me Bankën Botërore që prej vitit 1991. Nga atëherë janë zbatuar 68 projekte me një total prej 1.4 miliardë dollarë. Aktualisht në Shqipëri ka 15 projekte aktive në sektorë të ndryshëm të zhvillimit.
17 Korrik 2010