EUROSTAT: “Shqipëria e para në Europë për shpenzimet për ushqim”
Ervin KOÇI
Shqipëria është vendi i parë në Europë, shtetasit e së cilës në pjesën dërmuese harxhojnë mbi 90 për qind të të ardhurave të tyre mujore për t’u ushqyer. Ky konstatim habitës për europianët por aspak i çuditshëm për ne, konfirmohet nga EUROSTAT, i cili prej disa vitesh na ka marrë në patronazh për sa i përket analizave statistikore. Sipas raportit të tij më të fundit, të ardhurat e shqiptarëve në pjesën më të konsiderueshme shkojnë vetëm për t'u ushqyer. Mjafton t’i hedhësh një sy raportit të fundit të EUROSTAT lidhur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit për vitin 2009 për gjithë Europën dhe me lehtësi konstaton shifrat që flasin për Shqipërinë. Instituti i Statistikave i Bashkimit Europian rendit vendin tonë si një vend që ka çmime relativisht të kripura për sa i përket produkteve ushqimore. Kështu, për të blerë produktet kryesore të konsumit si buka, djathi, veza mishi një shqiptari i duhet të paguajë me një mesatare të thjeshtë sa 72 për qind e një europiani. Është e vërtetë që çmimet nuk janë më të shtrenjta, por balanca prishet nëse u referohemi të ardhurave. Në këtë pikë Shqipëria lë për të dëshiruar.
Statistikat
Një muaj më parë EUROSTAT publikoi raportin që lidhej me GDP-në për frymë sipas standardit të fuqisë blerëse, ku vendi ynë ishte i pozicionuar i fundit me një nivel 27 për qind nga 100 për qind i mesatares europiane. Raportet e fundit të EUROSTAT-it shpalosin faktin që shqiptarët janë më të varfrit në Europë, por jetesa e tyre është po aq e shtrenjtë sa pjesa më e madhe e Europës, çka e thellon edhe më shumë varfërinë. Me një nivel të tillë të ardhurash dhe çmimesh shqiptarët janë të predispozuar që të shpenzojnë vetëm për gjërat elementare siç është ushqimi, ndërsa të ashtuquajtura shpenzime luksi janë pothuajse të papërballueshme. Kështu, Maqedonia ka një nivel çmimesh konsumi sa 52 për qind e BE-së, Polonia 64 për qind, Rumania 66 për qind, Serbia 70 për qind. Por ka dhe vende të tjera të rajonit ku çmimet janë më të shtrenjta se në Shqipëri, ku mes të tjerash Mali i Zi me 79 për qind, Bosnjë-Hercegovina 77 për qind, Kroacia 94 për qind. Por ajo që në këtë rast bën diferencën është fakti i të ardhurave që kanë qytetarët e këtyre vendeve dhe nëse i hedhim një sy rrogës mesatare të qytetarëve europianë sipas Institutit të Vjenës për Studime Ekonomike shifrat do të na bëjnë pesimistë. Gjatë 2009-ës Shqipëria renditet me një rrogë mesatare 242 euro, ndërkohë që Mali i Zi ka një rrogë mesatare 643 euro dhe Maqedonia 488 euro. Ecja në përpjesëtim të zhdrejtë e të ardhurave me çmimet krijon hendekun që shqiptarët me të ardhurat e tyre të përballojnë vetëm ushqimin dhe energjinë.
Tabela///////////////////////////
EUROSTAT & Instituti i Vjenës
Vendet Shpenzimet Të ardhurat Paga
për ushqim për frymë mesatare
BE-27 100% 100%
Maqedonia 52% 35% 488 euro
Polonia 64 61% 717 euro
Rumania 66% 45% 445 euro
Bullgaria 68% 41% 303 euro
Shqipëria 72% 27% 242 euro
Serbia 70% 37% 470 euro
Bosnja 77% 30% 615 euro
Mali i Zi 79% 43% 643 euro
Kroacia 94% 64% 1051 euro
METE përzgjedh italianët si konsulent për kaskadën e Vjosës
Kompania e njohur italiane, “Eversheds Bianchini”, ka fituar të drejtën për të qenë konsulentja e Ministrisë së Ekonomisë për dhënien me koncesion të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Vjosë. Lajmi raportohet nga mediat italiane, duke e cilësuar projektin si më gjigantin në Europë. Kompania do t’i shërbejë palës shqiptare në përgatitjen e dokumenteve të garës, hapjen e garës dhe më pas negocimin e kontratës me ofertuesin fitues të tenderit final për dhënien me koncesion të hidrocentraleve në kaskadën e Vjosës. Referuar ministrisë, për këtë shërbim ishin ofruar 13 milionë lekë, por nuk dihet me saktësi se cila ishte shifra finale e rënë dakord me konsulentin. Konsulenti do të punojë për 14 muaj për ta ndihmuar qeverinë në organizimin e një tenderi dhe zgjedhjen e një partneri strategjik për të kryer investimet e nevojshme. Në vitin 2008, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare shpenzoi rreth 1 milion euro dhe punësoi një kompani franceze për të kryer matjet paraprake mbi këtë lum. Në fund, korporata njoftoi se, sipas studimit, Vjosa është në gjendje të plotësojë 30% të kërkesës aktuale për energji elektrike në Shqipëri. Lumi Vjosë është i dyti më i madhi në Shqipëri pas Drinit. Me një gjatësi të përgjithshme prej 272 km, prurjet mesatare janë 195 metra kub për sekondë. Drini ka prurje mesatare prej 350 metra kub për sekondë.
17 Korrik 2010