Radhë të gjata në sportelet e kartave dhe pasaportave
Vijojnë radhët e gjata pranë zyrave të aplikimit për pasaporta biometrike dhe karta identiteti në Vlorë. Ditët e fundit aplikantët ankohen për vonesa që krijojnë vetë zyrat, pasi punohet me një sportel, ndërkohë që nga brenda zyrave nuk ka asnjë konfirmim zyrtar, pse është reduktuar numri i sporteleve. “Kemi zënë radhë qysh në orën 04.00 të mëngjesit”, thotë një nga qytetarët që prisnin në radhë. Ai e vlerëson jonormale këtë që ndodh pranë zyrave, ku tashmë që po aplikojnë të gjithë qytetarët për pasaporta, duhej të kishte rritje të këtij shërbimi, qoftë edhe në mënyrë sezonale. “Asnjëherë nuk janë kujdesur për të dhënë shërbimet e duhura. Kërkojnë të paguajmë taksa, por kur vjen puna për zbatimin e procedurave të tilla duhet të jemi gjithmonë nën trysninë e radhëve, madje edhe të konflikteve që krijohen këtu”, tha një tjetër qytetar. Pranë zyrave të aplikimit për pasaportat biometrike në Vlorë, problemi i radhëve të gjata është i njohur, ndërsa nuk kanë munguar edhe rastet kur njerëz të ndryshëm kanë krijuar situata të pakëndshme në to.
#