E Shtunë, 31 Tetor 2026

ANTOLOGJIA “SHPIRTI I FJALËS”, Poetët shqiptarë botohen në Bukuresht



Baki Ymeri
Krijuesi i mirëfilltë e di të vërtetën se fjala ka shpirt, peshë, dritë dhe forcë. Në epokën e globalizmit, gjuha e Europës është përkthimi, ndërsa nevoja për fjalë është domosdoshmëri e kohës që nga krijimi i botës. “Dëshira për t’u marrë me poezi, - thekson Visar Zhiti, - është e hershme, aq sa ç’është i hershëm dhe njeriu, madje dhe ikja e tij në kërkim të vendeve të tjera, mbase në fund të fundit është kërkimi i poezisë së vetvetes, i thelbit, zbulim i së bukurës. Nëse përsëritet shpesh thënia e Dostojevskit se e bukura do ta shpëtojë botën, mua më pëlqen të shtoj se poezia është ajo që na shpëton ne nga kotësia dhe zvetënimi i gjërave dhe na jep emocionin e duhur, aftësinë për t’u mrekulluar”. “Shpirti i fjalës” në ballinë, dhe Shpirti i fjalëve në brendi. Kjo është antologjia e pestë poetike me maxhorancë shqiptare dhe minorancë të huaj, që doli këto ditë në Bukuresht.
Pas poezisë medalion “Shqiponjat” të poeteshës rumune Emilia Dabu, e shkruar në vigjilje të bombardimeve të NATO-s kundër holokaustit serb në Kosovë (1999), defilojnë vargjet e dy poetëve rumunë (Victor Sterom dhe Florian Hutanu), të një poeteshe gjermane që digjet për Shqipërinë (Silke Liria Blumbach) dhe të disa poetëve shqiptarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Kështu, Shqipërinë e përfaqësojnë me vargje Natasha Lako (shqip/rumanisht) dhe poeti i ri dhe i talentuar, Petrika Grosi, gazetar i së përditshmes “Albania”, vjershat e të cilit botohen në gjuhën shqipe e atë frënge. Kosovën e përfaqësojnë me frymëzime brilante Ali Demë Jasiqi, Halil Matoshi dhe Begzat Baliu, Maqedoninë Puntorie Ziba, ndërsa diasporën shqiptare Ylli M. Dilo nga Greqia, Agim Gashi nga Gjermania dhe Raimonda Moisiu me poeteshën e re Angela M. Dilo nga Amerika. Ky botim u mundësua falë përkrahjes nga Eduard M. Dilo, nip i eruditit Ilia Dilo Sheperi dhe shoqatës së gruas italo-shqiptare “Ecim së bashku”. Redaktor i librit është një dashamirës i madh i poezisë shqipe (Mihai Antonescu). E ndiejmë si detyrim që të theksojmë se lënda dhe kriteriumet janë të përziera: Një numër poetësh defilojnë në faqet e librit me poezi bilingve (shqip/rumanisht), disa autorë rumunë apo shqiptarë prezantohen me vargje vetëm në gjuhën shqipe, një poete gjermane vetëm në gjuhën rumune, ndërsa Angela Dilo edhe në gjuhën angleze. Qëllimi është që të gjithë ta gjejnë vendin e vet aty ku e kanë, në faqet e një libri me vlera të larta e të mesme, duke e eliminuar në këtë kontekst sintagmën “të ulëta”, ngase me rëndësi është cilësia e jo sasia. Poet është edhe ai që ka krijuar veç një poezi gjatë gjithë jetës së tij. Meqë libri del në diasporë, misioni ynë është mbajtja gjallë e shpirtit shqiptar përmes këtij komunikimi antologjik. Antologjia në fjalë nuk botohet për fitime dhe as për t’u shitur, ajo u adresohet dhe u dërgohet falas gazetarëve e kritikëve, bibliotekave të ndryshme, studiuesve e poetëve, të gjithë atyre që kanë për zemër letrat dhe gjuhën shqipe.

9 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›