Vizion Plus. Mos humbni humorin e “Bypass”-it sonte në 20:10
Minibashkia 10, e cila drejtohet nga Gert Bogdani, ka kërkuar shkëputjen nga Bashkia e madhe e Tiranës. Hapi i parë ka qenë një faqe më vete interneti, por edhe një stemë krejt e ndryshme nga ajo e Bashkisë qendrore. Simboli i Njësisë Bashkiake të Bogdanit përfaqësohet nga një çati me një mëllagë dhe një kumuri. Lajmi i mësipërm është pjesërisht i stisur dhe i përket emisionit të përjavshëm “Bypass”, të cilin mund ta ndiqni në Vizion Plus të dielave në orën 20:10. Parodia e pavarësisë së Minibashkisë së Bogdanit, sipas “Bypass”-it, vazhdon me përpjekjen për të gjetur himnin e këtij institucioni. Si kandidatët më të mundshëm piketohen këngët “Lule të bukura ka Tirona” dhe “ǒpo knon kumrija mi goce”. Për të mos iu larguar institucioneve lokale, “Bypass”-i ndalet kësaj jave edhe te debati mbi buxhetin në Këshillin Bashkiak. Debati sillet me një format krejt ndryshe dhe interlokutori i tij bëhet moderatori i Bypass-it, Agim Bajko. Pas gjullurdisë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, emisioni fokusohet sërish te rritja ekonomike, e cila, në fjalorin e kryeministrit, i është nënshtruar një perifrazimi të ri, “rreth 6 për qind, që mund të jetë edhe 12 për qind”. Një kronikë e sajuar e Bypass-it e sqaron edhe këtë teknikë të re marketingu të shefit të qeverisë. “Kryeministri, në një letër për FMN-në, ka deklaruar se rritja ekonomike është rreth 6 për qind. Në letër shefi i qeverisë sqaronte se pasi kishte pyetur rreth e rrotull, i rrethuar nga opozita dhe me rrathët e syve të rënë nga lodhja kishte kuptuar se politika ishte si një rrethrrotullim. Më pas kryeministri shtonte se kishte zgjedhur t’i binte rreth e rreth derisa të trulloseshin të gjithë dhe të pranonin se rritja ekonomike ishte dyshifrore”. Bypass-i, për të sqaruar jo vetëm rritjen ekonomike, por edhe shumë gjëra të tjera, e ka ftuar kryeministrin në një intervistë ekskluzive në panelin e tij të përmuajshëm, “Soft Talk”. Aty Berisha sqaron se ai u konsiderua si shpirti i Davosit nga pjesëmarrësit në takimin e mbajtur në qytetin zviceran. Në intervistën për Bypass-in kryeministri deklaron gjithashtu se rritja ekonomike e Shqipërisë në vitin 2009 do të jetë më e madhe se 300 për qind.
Një tjetër e intervistuar e emisionit “Bypass” të kësaj të diele është edhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Ajo e quan kryeprokuroren Ina Rama si “të egër dhe fondamentaliste”, ndërkohë që rrëfen se marrëdhëniet me zotin Berisha janë “si një nga historitë më të dhimbshme”. Marrëdhëniet e qeverive të djathta me institucionin e Prokurorisë, sipas Topallit, janë aq të komplikuara sa “ia kalojmë edhe Bashkimit Sovjetik”. Sa i takon ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, kryeparlamentarja pranon se ai “është delikat” dhe se përplasjet me të “do të jenë të shumta e të pafundme”. Për herë të parë zonja Topalli deklaron për Bypass-in se zgjedhja e Topit president erdhi vetëm sepse PD-ja kishte dy deputetë të rrjedhur.
Bypass-i i orës 20:10 i kësaj të diele në Vizon Plus ka edhe surpriza të tjera.
9 Shkurt 2009