Goja dhe gëzhoja…
Një deputet nga Lezha bëri pushimet në plazhin e Shëngjinit. Për t’u dobësuar, vraponte çdo mëngjes bregut të detit nga ish-kampi i punëtorëve deri poshtë tek Ura e Dajlanit. Herë-herë e ndalonin shokët e miqtë e tij.
- Hë, kam rënë ndonjë çikë? Po më ikën barku? - i pyeste i merakosur dhe fuste barkun brenda, duke gënjyer veten se për çdo 100 apo 200 metra vrap, mund t’i binte dhjamosja e viteve deputetore.
Një ditë, pasi ia bëri të njëjtat pyetje një shokut të vet të hershëm, ky i përgjigjet me të qeshur:
- Dëgjo, zoti deputet, barku yt nuk është strajcë që bie rrugës edhe pa dashje.
* * *
- Erdhe edhe ti në Tiranë, erdhe se ke Zemrijen, ka klinikën ajo, se përndryshe!.. - po i thoshte një ditë si me përçmim e me tallje një deputet shokut të vet, i cili nuk kishte bërë dot përpjetë, po deri atëherë kish mbetur mësues në katundet e rrethit N. - Kështu pra, erdhe, por t’ia dish për nder Zemrijes! - rifilloi avazin deputeti.
- E vërtet është, unë kam Zemrijen time, ndërsa ti ke Shqipërinë… - ia ktheu tullë kolegu i dikurshëm që, me një gazetë në dorë, po kërkonte ndonjë apartamenti me qera, teksa tjetri u bë erë me një makinë luksoze, që sapo ishte blerë fringo.
* * *
Gazetarin e poetin Aleksandër Banushi e transferuan dikur nga kryeqyteti në Shtëpinë e Kulturës së qytetit të Lezhës. Një shok i veti, si për t’i qarë hallin, e pyet si po ia kalonte.
- Shumë mirë!
- Pash nderin, ç’bëkeni tre vetë në atë shtëpi kulture gjithë ditën e gjatë? - ngulmoi tjetri.
- Si ç’bëjmë?! Drejtorin tim e kënaqa tanë ditën duke i treguar histori nga lufta nacionalçlirimtare. Dhe më dëgjon si fëmijë shkolle! Betejë këtu e betejë atje, predha e gëzhoja mbush dyshemeja.
- Mos, more, po pastruesja çfarë bën?
- Pastruesja mbledh gëzhojat e mia!..
* * *
Një korrier i solli një letër At Ambroz Marlaskajt nga At Gjergj Fishta. Ata kishin korrespondencë të rregullt. At Ambrozi e hapi letrën në sy të korrierit dhe e lexoi. Diçka nënvizoi dhe bëri një shënim në letër për At Fishtën, i cili kishte harruar që disa “ë”- ve të pazëshme t’iu vinte dy pikat lart.
- Jepja në dorë At Fishtës dhe kthemë përgjigje! - i tha korrierit.
E merr At Fishta letrën dhe lexon shënimin. Duke nënqeshur, ia kthen
aty për aty letrën At Marlaskajt po me korrierin, pasi i bëri këtë shënim hokatar: “Për dy të dhime mizash mbi “e” ma ke kthye letrën?!”
* * *
Ndodh një vdekje në Lezhë. Për ngushëllim shefi merr me vete edhe vartësin, një djalosh njëzetepesëvjeçar, i cili kishte mbaruar studimet e larta jashtë shtetit dhe, për rrjedhojë, nuk i njihte mirë zakonet e vendit. Në dhomën e burrave, mbushur plot e përplot, vjen njëri nga të shtëpisë për t’i sajdisur të porsardhurit në kryeshëndosh. Ia zgjat tabakanë fillimisht shefit, i cili merr kafen e rakinë dhe pret një hop, sa të sajdisin edhe djaloshin, për të thënë pastaj fjalët ngushëlluese. Kur qe, djaloshi merr kafen e thotë:
- Faleminderit, po rakinë s’e pi. Po patët ndonjë birrë, do ta pija me qejf!
Mblodhi Besnik SHKRELI
9 Shkurt 2009