APLIKIMET, Punësimi sezonal në Itali, hapat që duhet të ndiqen
Artan CENA
TIRANË - Ministria e Brendshme italiane ka ndryshuar këtë vit procedurat e punësimit sezonal. Sipas njoftimit të bërë në faqen zyrtare të Ministrisë, të gjithë personat që dëshirojnë të aplikojnë për një vend pune, në mënyrë rigoroze duhet të ndjekin një sërë hapash që janë përcaktuar për aplikimin online. Duke u ardhur në ndihmë shqiptarëve që do të aplikojnë për një vend pune këtë sezon në shtetin fqinj, ne do të shpjegojmë më poshtë hapat që duhet të ndiqen nga të interesuarit.
Aplikimi
Ky nis me hapjen e faqes së Ministrisë së Brendshme italiane, www.interno.it. Aty duhet bërë fillimisht një regjistrim i personit që kërkon punë. Ai duhet të ketë një adresë e-mail-i që duhet ta shënojë pasi nëpërmjet saj do të vijnë dhe procedurat që duhet të ndiqni. Punëdhënësi duhet të lidhet me sajtin e Ministrisë së Brendshme italiane: www.interno.it, të hyjë në zonën/fushën e posaçme për flukset stinore 2009 dhe të regjistrohet duke futur emrin, mbiemrin, datëlindjen, një adresë të postës elektronike dhe një fjalëkalim hyrjeje. Kështu, do të marrë një e-mail me udhëzimet për të konfirmuar regjistrimin dhe për të aktivizuar të drejtën e tij të përdorimit. Më tej kalohet në krijimin e moduleve. Duke futur adresën e-mail-it dhe fjalëkalimin, punëdhënësi i regjistruar mund të hyjë në zonën/fushën e dedikuar në www.interno.it dhe të krijojë modulet për kërkesën e tij për punësim. Për çdo modul duhen futur të dhënat vetjake dhe të atij punëtori stinor, të cilin ai dëshiron ta thërrasë në Itali. Plotësimi i mirëfilltë i moduleve do të bëhet në një moment të dytë. Hapi i tretë lidhet me domosdoshmërinë e shkarkimit dhe të instalimit në kompjuterin personal të softuerit të Sportelit Unik për Imigrimin (SUI). Në atë faqe gjenden lidhjet për të shkarkuar versionet e SUI-t për Windows, Linux dhe Os, si dhe manualet e udhëzimeve. Pas aktivizimit të softuerit SUI sigurohet që kompjuteri personal të jetë i lidhur me internetin dhe klikohet në "importa i moduli elettronici nel programma". Këtu duhen futur sërish e-mail-i dhe fjalëkalimi; pas kësaj modulet e aktivizuara më parë te www.interno.it do të kalojnë te kompjuteri personal.
Hartimi i kërkesave
Nga faqja kryesore e SUI-t, klikohet te "visualizza domande da compilare" dhe vazhdohet duke plotësuar të gjitha fushat e kërkesës (tipi i kontratës që dëshiron të zbatosh, si punëdhënës, ku mendon të strehosh këtë punëtor, karakteristikat e ndërmarrjes tënde etj.); këto ruhen në pritje të dërgimit të kërkesës. Gjatë hapit të fundit të aplikimit, punëdhënësi lidhet me internet dhe aktivizon në kompjuterin personal softuerin SUI. Ai klikon te "visualizza domande da inviare", pra dërgon kërkesën për punësimin e punëtorëve stinorë. Ky veprim është bërë i mundur që nga dita e djeshme 21 prill 2010.
Dekreti
Neni 1 i këtij dekreti saktëson se "në rrugë të programimit kalimtar të kuotave maksimale të hyrjeve të punëtorëve, shtetas nga shtete jo anëtare të BE-së për vitin 2009, pranohen në Itali për motive të punës stinore, si punëmarrës, shtetasit e huaj nga shtete jo anëtare të BE-së që qëndrojnë jashtë Italisë, kjo brenda një kuote 80 mijë, kuotë që do të shpërndahet mes rajoneve dhe provincave autonome, nën kujdesin e Ministrisë së Punës, Shëndetit dhe Politikave Sociale. Mes punëtorëve stinorë nga Shqipëria pritet të përfitojnë edhe nga vende të tjera të rajonit tonë si Serbia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
PROCEDURAT E EMIGRIMIT NË ITALI
Punësimi i parë i punëtorëve të huaj
Një punëdhënës në Itali, i cili synon të punësojë punëtorë nga shtete jo anëtare të Bashkimit Europian, me qëndrim jashtë Italisë, duhet të paraqesë kërkesë pranë Ministrisë, një kërkesë, në kuadrin e kuotave të parashikuara në dekretin përkatës të flukseve që përcakton numrin maksimal të shtetasve nga shtete jo anëtare të Bashkimit Europian të pranuar çdo vit për të punuar në territorin italian (shih në fund).
Në rastin kur punëdhënësi në Itali e njeh tashmë punëtorin e huaj që dëshiron të punësojë, ai duhet të paraqesë, nëpërmjet sajtit www.interno.it:
- kërkesën me emër të punëtorit të huaj për të marrë nulla osta (autorizimin për punë);
- dokumentacionin që vërteton ekzistencën e një vendstrehimi të përshtatshëm për punëtorin e huaj, sipas rregullave të parashikuara nga ligjet e secilit rajon;
- propozimin e kontratës së qëndrimit, e cila përmban, përveç elementeve thelbësore të marrëveshjes dhe impenjimin e punëdhënësit për të paguar udhëtimin e kthimit të shtetasit të huaj në vendin e origjinës;
- deklaratën e punëdhënësit në të cilën angazhohet për t’i komunikuar Sportelit Unik për Imigracionin ndryshimet në lidhje me raportin e punësimit (si përfundimi i raportit, ndryshimi i selisë etj.).
Në rastin kur punëdhënësi në Itali nuk e njeh direkt punëtorin e huaj, ai mund të kërkojë, duke paraqitur dokumentacionin e sipërpërmendur, nulla osta-n për punë për një ose më shumë persona të regjistruar në listat e Ministrisë. Këto lista, të ndryshme sipas vendeve të origjinës, përmbajnë një regjistër emrash me të dhënat komplete, kualifikimin profesional, shkallën e njohjes së gjuhës italiane, llojin e raportit të punësimit të preferuar (stinor, me kohë të përcaktuar ose papërcaktuar), si dhe përcaktimin e programit formues profesional të kryer dhe të sektorit përkatës të punësimit të lidhur me të.
Faza I
Për t’i krijuar mundësinë Qendrës Lokale për Punësimin që të bëjë publicitetin e duhur për kërkesat për punësim për punëtorët që janë tashmë të regjistruar në listat e punëkërkuesve, i përhap, në rrugë online në qendrat e tjera lokale të punësimit dhe i bën gjithashtu publike në sitin e internetit ose me çdo mjet tjetër të mundur.
Në një afat kohor maksimal prej 40 ditësh nga paraqitja e kërkesës:
- merret mendimi i kuestorit (forcave të policisë), rreth ekzistencës për punëtorin e huaj ose të punëdhënësit të motiveve që pengojnë lëshimin e nulla osta-s;
- merret mendimi i Drejtorisë Provinciale të Punësimit rreth ekzistencës ose jo të kërkesave minimale të kontratës dhe kapacitetit të të ardhurave të punëdhënësit.
Në rastin e një mendimi negativ nga ana e të paktën njërës prej zyrave, Sporteli kundërshton kërkesën.
Në rastin e një mendimi pozitiv:
- thirret punëdhënësi për dorëzimin e nulla osta-s dhe firmosjen e kontratës;
- ua transmeton në rrugë online dokumentacionin zyrave konsullore.
Është e rëndësishme të dihet që:
- nulla osta për punë ka vlefshmëri të barabartë me 6 muaj nga data e lëshimit, gjatë të cilave, - punëtori duhet që të hyjë në Itali, duke u paraqitur ne Sportelin Unik për të lidhur kontratën.
Çfarë duhet të bëjë punëtori i huaj?
Punëtori i huaj që ka marrë nulla osta-n, të cilën punëdhënësi në Itali do të përkujdeset që t’ia dërgojë, duhet të kërkojë një takim në ambasadën ose konsullatën italiane pranë vendit të tij të origjinës. Kjo e fundit, së cilës ndërkohë i është kaluar në rrugë online dokumentacioni i plotë i nulla osta-s në fjalë, do t’i komunikojë shtetasit të huaj propozimin e kontratës dhe do të lëshojë vizën e hyrjes brenda 30 ditëve duke ia komunikuar këtë gjë Ministrisë së Brendshme Italiane, Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale, Institutit Kombëtar të Përkujdesjes Shoqërore (itali- INPS) dhe Institutit Kombëtar ndaj Aksidenteve në Punë (Ital-INAIL).
Brenda 8 ditëve nga hyrja në Itali, punëtori i huaj duhet të paraqitet pranë sportelit që ka lëshuar nulla osta-n, përndryshe do të konsiderohet si i parregullt në territorin italian.
Faza II
Sapo punëtori i huaj të paraqitet, verifikohet viza e lëshuar nga autoritetet konsullore italiane dhe të dhënat civile të punëtorit;
dorëzohet vërtetimi që tregon kodin fiskal;
merren masa që punëtori i huaj të nënshkruajë kontratën e qëndrimit;
dorëzohet formulari i kërkesës për leje qëndrimi dhe ia kalon të dhënat kuesturës kompetente.
Punëtorët shqiptarë
Një punëtor shqiptar do të hyjë në Itali rregullisht me motive të punësimit stinor. Kontrata e tij duhet të ketë kohëzgjatjen 9-mujore. Nëse punëdhënësi i tij do të dëshironte ta punësonte me kohë të pacaktuar, a do të ishte e mundur?
Punëtorët stinorë të huaj që hyjnë rregullisht në Itali mund të punojnë ekskluzivisht në sektorët bujqësorë dhe turistiko-hotelier, me një kohëzgjatje minimale 20-ditore dhe maksimale 9 muaj, që fillon që nga data e nënshkrimit të kontratës së qëndrimit në Itali.
Nëse është hera e parë që ka hyrë në Itali si punëtor stinor, maksimalisht pas 9 muajsh, punëtori i huaj duhet të rikthehet në vendin e origjinës, meqë nuk ka mundësi ta shtyjë më tej kohëzgjatjen e qëndrimit, pavarësisht se mund të ketë gjetur një punë të re. Qëndrimi përtej këtij afati të bën në fakt të parregullt dhe rrezikon dëbimin.
Vetëm ai që të paktën është punëtor stinor për të dytin vit radhazi dhe që ka respektuar kushtet e qëndrimit dhe të largimit, pas përfundimit të kontratës ka një mundësi më shumë. Pra, përkundrejt një oferte pune jostinore mund të kërkojë shndërrimin e lejes së tij si punëmarrës stinor në punëmarrës jostinor, kështu mund të punësohet edhe me kohë të papërcaktuar dhe të qëndrojë rregullisht në Itali.
22 Prill 2010