E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretendimet e familjarëve, Policia kërkon ekspertim për pengmarrësin e autobusit



FIER - Deklarimi se Eduart Rexhepi, 32-vjeçari që mori peng dy ditë më parë për gati 30 minuta autobusin e linjës Tiranë-Sarandë me të paktën 12 pasagjerë në bord, dyshohet të jetë i sëmurë mendor, ka bërë që Policia e Fierit të kërkojë ekspertimin e tij. Lajmi është bërë i ditur nga burime policore. Sipas tyre, është kërkuar një ekspertim për të parë gjendjen mendore në të cilën ndodhet i arrestuari. Policia ka marrë në pyetje të afërmit e autorit të ngjarjes, mes të cilëve edhe nëna e tij, Hatixhe Rexhepi. Këta të fundit kanë deklaruar se Eduarti ishte person me probleme mendore dhe kishte qenë i shtruar në Spitalin e Vlorës. Mamaja e rrëmbyesit ka bërë të ditur se djali i saj vuante nga probleme mendore të shkaktuara nga një aksident automobilistik i ndodhur 7 vite më parë. Madje ai kurohej dhe trajtohej me asistencë invaliditeti nga Bashkia e Patosit. Gjatë gjithë ditës së djeshme policia ka marrë në pyetje shoferin e autobusit, pasagjerët, si dhe vetë 32-vjeçarin për të zbardhur detajet dhe motivin e rrëmbimit të autobusit mesditën e djeshme, në Fratar të Ballshit. Gjashtë pasagjerë të autobusit të linjës Tiranë-Sarandë kanë kaluar minuta tmerri kur në Fratar të Ballshit, në autobus ka hipur një i ri, i cili ka nisur të ngasë me shpejtësi mjetin. 32 vjecari u ka thënë pasagjerëve se do t’i çonte shëndoshë e mirë në Kakavijë. Menjëherë, shoferi i autobusit, Vasil Mërkuri, ka sinjalizuar policinë për rrëmbimin e automjetit nga një person i panjohur. Ka mjaftuar një gabim teknik, pasi ai i ka dhënë mjetit pa çaktivizuar frenat e dorës dhe autobusi ka nisur të marrë flakë. Në një rrugë prej 20 kilometrash që ka përshkuar autobusi, mjeti është përplasur disa herë duke bërë që pasagjerët të përjetonin minuta tmerri. Pasi ka humbur shpresat se nuk kishte asnjë rrugëzgjidhje tjetër, 32-vjeçari braktisi autobusin që kishte marrë flakë dhe është larguar, duke lënë derën hapur.

Itali
Pranga çiftit shqiptar, trafikonte kokainë
ALEKSANDRI - Burrë e grua, emigrantë shqiptarë, janë vënë në pranga në Itali për trafik lëndësh narkotike. Ardian dhe Mimoza Idrizi, respektivisht 38 dhe 29 vjeç, janë arrestuar gjatë ditës së djeshme nga Policia e Aleksandrisë, Piemonte. Burime nga Policia italiane kanë bërë të ditur se dy shqiptarët janë vënë në pranga pasi ishin kapur me një sasi prej 560 gramësh kokainë, që ishte destinuar për shitje. Policia tha se aksioni është ndërmarrë pas lëshimit të urdhër-arrestit nga prokuroria, duke qenë se dy shqiptarët kishin disa kohë nën hetim. 38-vjeçari Idrizi ishte ndaluar në momentin që ishte duke udhëtuar me makinë, ndërsa bashkëshortja e tij është arrestuar në banesën e çifti në rrugën “Rossini”, ku ata kishin disa kohë që jetonin. Por bashkë me bashkëshortët, policia ka arrestuar dhe 15 persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Aksioni ishte bërë nga Policia e Aleksandrisë, në bashkëpunim me atë të Torinos, Milanos dhe Viçencës. Gjatë hetimeve policia kishte kapur sasi të ndryshme droge, si dhe kishte identifikuar qindra konsumatorë, të cilët e blinin drogën te të arrestuarit. Dy shqiptarët, burrë e grua, janë dërguar në qeli dhe pritet që gjatë ditës së sotme të përballen me gjykatën, ku do të njihen me akuzat dhe masën e sigurisë.

Sherri, plagoset me kallashnikov 31-vjeçarit

SHKODËR - Një zënkë mes dy persona ka përfunduar me një të plagosur dhe një tjetër të shpallur në kërkim. Burime zyrtare nga uniformat blu të qytetit verior thanë se dje, rreth orës 14:15, në lagjen “Partizani” të qytetit Shkodër, pikërisht në vendin e quajtur Markata e Rusit, është plagosur në këmbë, me armë zjarri tip automatik “Kallashnikov”, E. Ulaj, 31 vjeç, banues në Malësinë e Madhe. I plagosuri është dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër, ku ka marrë ndihmën e duhur mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu dhe grupi hetimor, ku nga veprimet e para hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar për krimin, që është shtetasi E. G., banues në Shkodër. Policia tha se paraprakisht mendohet se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Uniformat blu të Shkodrës thanë se, është duke u punuar për kapjen e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

22 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›