Qeveria vendos të blejë aparatura për bllokimin e valëve nëpër burgje
Laureta Rryçi
Qeveria vendos për blerjen dhe montimin e sistemit të pajisjeve për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Sipas vendimit të qeverisë, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 6, të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, si dhe të Ligjit Nr. 8678, datë 14.5.2001, “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave vendosi që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me fondin prej 30 000 000 (tridhjetë milionë) lekësh, të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, të blejë dhe të montojë sistemin e pajisjeve për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Falë këtij vendimi do të bëhet përzgjedhja e jo më pak se dy operatorëve ekonomikë, të njohur për ofrimin e këtij shërbimi, të cilëve u dërgohet ftesa për ofertë për realizimin e blerjes e të montimit të pajisjeve për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme.
Procedura
Vendimi i qeverisë ka përcaktuar edhe procedurën që do të ndiqet për blerjen e këtyre pajisjeve. Këshilli i Ministrave vendosi që brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të mblidhet Komisioni i Hartimit të Dokumenteve Standarde. Komisioni do të përbëhet nga një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë me cilësinë e kryetarit. Ndërsa përfaqësuesi i Ministrisë së Brendshme dhe përfaqësuesi i Ministrisë për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në cilësinë e anëtarëve. Institucionet e mësipërme, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, kanë si përgjegjësi për t’i dërguar ministrit të Drejtësisë emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë komision, të cilët duhet të jenë specialistë të fushës.
Kryetari i Komisionit njofton anëtarët për datën, orën dhe vendin e mbledhjes. Komisioni i Hartimit të Dokumenteve Standarde është përgjegjës për: përcaktimin e standardeve të pajisjes për bllokimin e valëve të telefonisë së lëvizshme; përzgjedhjen e operatorëve, të cilëve do t'u dërgohet ftesa për ofertë; përcaktimin e kritereve për vlerësimin dhe për përzgjedhjen e operatorit ekonomik; përgatitjen e ftesës për ofertë, të cilën e dërgon në adresat përkatëse të operatorëve ekonomikë.
Ofertat
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, kur të mblidhet, do të shqyrtojë të gjitha ofertat e paraqitura. Në marrjen e vendimit përfundimtar të përzgjedhjes së subjektit, Komisioni bazohet respektivisht në: plotësimin e kritereve të përgjithshme e teknike; në cilësinë e pajisjes së ofruar; çmimin më të ulët dhe në shërbimin e ofruar nga subjektet e interesuara për blerjen dhe montimin e pajisjes; reputacionin e operatorit ekonomik.
Rëndësia e secilit prej kritereve të sipërpërmendura do të përcaktohet në dokumentet standarde, gjë për të cilën do të njoftohen operatorët ekonomikë. Nëse për ofrimin e shërbimit paraqitet vetëm një subjekt i interesuar, i cili i plotëson standardet e kërkuara për pajisjen, si dhe kriteret e tjera të përcaktuara sipas këtij vendimi, Komisioni vijon me procedurën e përzgjedhjes së fituesit. Në përfundim të procesit të vlerësimit, vendimi i Komisionit u njoftohet operatorëve ekonomikë, të cilët, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e njoftimit, kanë të drejtë t’i paraqesin ankim ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë shqyrton dhe vendos mbi ankesën brenda dhjetë ditëve nga data e paraqitjes së saj. Nëse brenda afatit 5-ditor nuk paraqitet ankim, Komisioni i dërgon vendimin, së bashku me relacionin shpjegues, ministrit të Drejtësisë, i cili, brenda pesë ditëve miraton ose refuzon shpalljen e fituesit. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, brenda pesë ditëve nga data e shpalljes së fituesit nga ministri i Drejtësisë, njofton operatorët ekonomikë për klasifikimin përfundimtar të ofertave.
box
Në ftesën për ofertë përcaktohen:
Institucionet në favor të të cilave do të bëhet blerja dhe montimi i pajisjeve.
Standardet e kërkuara për pajisjen, si dhe kriteret e tjera të veçanta.
Data, ora dhe vendi i paraqitjes së ofertës.
Çdo element tjetër i vlerësuar si i nevojshëm.
Dokumentacioni i paraqitur nga operatorët ekonomikë ruhet dhe nuk hapet deri në datën dhe orën e përcaktuar në ftesën për dorëzimin e ofertave.
Komisioni i Hartimit të Dokumenteve Standarde përmbush përgjegjësitë e mësipërme, jo më vonë se 30 ditë nga data e mbledhjes së parë të këtij Komisioni.
boc
Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të përbëhet:
një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë kryetar;
një përfaqësues nga Ministria e Brendshme anëtar;
një përfaqësues nga Ministria për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, anëtar;
një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, anëtar;
1 përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, anëtar.
Reagimi
KSHH: Shtëpitë e prishura në Thumanë, masa ndaj përgjegjësve për dhunën
Komiteti Shqiptar i Helsinkit e cilëson antiligjor dhe arbitrar veprimin e shkatërrimit të banesave të 12 familjeve me banim në fshatin Thumanë të Fushë-Krujës. Banesat u prishën më 17 prill për zgjerimin e segmentit rrugor “Fushë-Krujë - Milot”. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, KSHH informon se më 19 prill, dy përfaqësues të kësaj organizate kanë shkuar në vend për të inspektuar ngjarjen pas ankesave të banorëve. “I gjetëm ata fëmijë, pleq, gra e burra, në kushte të mjeruara. Ndonëse ishin përpjekur të strehoheshin në kasolle bagëtish dhe çadra të ngritura pranë shtëpive të prishura, nuk mund të mbroheshin nga shiu që binte pa pushim”,- përshkruan situatën tronditëse të familjarëve të pastrehë. Banorët ishin informuar se prishja do të ndodhte më 15 maj, por më 17 prill, një orë përpara se fadromat të nisnin aksionin e prishjes, u ishte komunikuar verbalisht vendimi. “Pa u lënë atyre as mundësinë për të larguar nga banesat sendet personale e familjare, të cilat dergjen ende nën rrënoja”, - shkruhet në deklarata e KSHH-së. Organizata, e cila monitoron respektimin e të drejtave të njeriut, vlerëson se veprimet e kryera bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Sipas kësaj organizate, “është cenuar e drejta e pronës, e garantuar me Kushtetutë, si dhe është krijuar një farë ndjenje pasigurie për pronarët e tjerë të ligjshëm në vendin tonë”.
Ligji parashikon gjithashtu dhe shpronësimin apo kufizimin e të drejtës së pronësisë, por përkundrejt një shpërblimi të drejtë, si dhe duke garantuar transparencën, barazinë e shtetasve dhe mbrojtjen e interesave dhe të drejtave të tyre pasurore, çka në rastin e banorëve të Thumanës nuk është kryer. “KSHH konstatoi se veprimet e kryera nga organet përkatëse shtetërore rezultojnë të jenë jotransparente dhe në dëm të interesave të të drejtave pasurore të shtetasve”, - nënvizohet në deklaratën e KSHH-së.
Juristët thonë se është shkelur Vendimi i KM Nr.63, datë 03.02.2010 “Për shpronësimin për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private (objekte), që preken nga zgjerimi i segmentit rrugor Fushë-Krujë-Milot”. Vendimi në fjalë është marrë në kushtet kur nuk janë verifikuar saktësisht pasuritë dhe pronarët që do të shpronësohen. Gjithashtu banorëve nuk u është vënë në dispozicion kompensimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave, ndonëse disa herë janë paraqitur pranë bankave ku kanë hapur llogaritë rrjedhëse për këtë qëllim.
Shtëpitë e banorëve të Thumanës u prishën në datën 17 prill, 13 ditë përpara përfundimit të afatit të përcaktuar nga vendimi i KM. “KSHH vlerëson se është i pafalshëm, i pajustifikueshëm dhe i kundërligjshëm shkatërrimi i banesave të shtetasve në mënyrë kaq arbitrare, dhe u bën thirrje organeve përkatëse shtetërore të vënë menjëherë në dispozicion të të shpronësuarve shumën përkatëse të kompensimit, të shkojnë në vend, të vlerësojnë dëmin e shkaktuar dhe të zhdëmtojnë pasuritë e tyre të luajtshme”. KSHH u kërkon autoriteteve shtetërore dhe organit të Prokurorisë, që sipas kompetencave të tyre, të marrin masa për vënien përpara përgjegjësisë të personave që shkaktuan këtë situatë.
22 Prill 2010