E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Shkodër, ulet intensiteti por rritet sipërfaqja e tokës nën ujë



Ervin KOÇI

Situa te shkarkimeve të ujit nga HEC-et e kaskadës së Drinit duket se po shkon drejt një normalizimi relativ, por sipërfaqja e tokave nën ujë është shtuar. Të dhënat e djeshme të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare tregojnë se situata në tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit vazhdon të jetë shqetësuese. Shkarkimet do të vazhdojnë të jenë të rritura, të detyruar për të mbrojtur digat nga dëmtimet për shkak të prurjeve të shumta. KESH-i, bëri të ditur se po vazhdon shkarkimi i sasive të mëdha të ujit nga hidrocentralet mbi Drin. Brenda dy ditësh do të ndërpritet shkarkimet nga hidrocentralet në vendin tonë. Drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku, gjatë një konference për mediat ka theksuar se situata e shkarkimeve në kaskadën e Drinit është nën kontroll. Stojku ka deklaruar se që nga data 17 e këtij muaji po eksportohet më shumë, çdo ditë rreth 30 milionë kilovat orë në ditë. Të njejtën linjë me kreun e KESH-it ka mbajtur dje edhe Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. Sipas tij, situata në Shkodër, e rënduar për shkak të përmbytjeve, është nën kontroll. Basha zhvilloi një takim në prefekturën e Shkodrës lidhur me situatën, pas të cilit ka shprehur besimin se ajo do të përmirësohet. Basha ka saktësuar se, deri tani sipërfaqja e përmbytur në qytetin verior është 1270 hektarë, por ka shtuar se janë ulur prurjet dhe shkarkimet në basenet e hidrocentraleve. Reshjet e dendura të ditëve të fundit por dhe shkarkimet nga HEC-et kanë bërë që veriu, e në veçanti zona e Nën-Shkodrës të përmbytet për të tretën herë, këtë vit.

Prurjet dhe shkarkimet
Niveli i ujit në Hidrocentralin e Fierzës, paraditen e djeshme shënonte 296.64 cm, gati e pandryshuar nga një ditë më parë kur niveli i ujit kishte arritur në kuotën 296.63 m. Sipas KESH-it, mësohet se në liqenin e Fierzës, prurjet vazhdojnë të jenë të larta me 1160 m3 ujë/sekondë ndërsa po shkarkohet nga portat 710 m3 ujë/sekondë. Në HEC-in e Komanit, sipas të dhënave zyrtare të mesditës së djeshme, prurjet ranë në 350 m3 ujë/sekondë ndërsa po vazhdohet me shkarkimin e 1000 m3 ujë/sekondë. Në hidrocentralin e Vaut të Dejës, prurjet zbritën dje në 150 m3 ujë/sekondë, ndërsa shkarkimi është në masën e 1400 m3 ujë/sekondë. KESH-i tha se, nga HEC-et po prodhohet në total një sasi prej 30 milionë kilovat/orë energji elektrike nga të cilat 16 prej tyre po eksportohen.

Harta e përmbytjes
Harta e përmbytjes në zonën e Nën-Shkodrës është e zgjeruar me rreth 220 hektarë tokë, ndërkohë që dhjetëra shtëpi raportohen të përmbytura dhe qindra të tjera janë në prezencë uji. Situata me problematike vazhdon të jetë në zonën e Obotit, Bërdicës dhe Dajçit ku uji përveç rrugëve që ka bllokuar në disa zona, ka shkatërruar të mbjellat dhe ushqimin për bagëtitë. Në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile në prefekturën e Shkodrës kryetarët e komunave kërkuan ndihmë. Ndërkohë në terren janë dhe forcat e ushtrisë dhe policisë që qëndrojnë në gatishmëri për evakuimin e banorëve. Një problem serioz për momentin që rezultoi gjatë kësaj mbledhje ishte fakti që Drejtoria e Kullimit në mungesë të fondeve dhe mjeteve, e ka të pamundur ndërhyrjen në thellimin e kanaleve kulluese.

Përmbytjet në Maliq, fermerët: Toka e pashfrytëzueshme

Rreth 1500 hektarë tokë në Maliq të Korçës është ende nën ujë ndërsa fermerët shprehen se ajo nuk mund të shfrytëzohet më për të mbjella. Për ta ky është një dëm i dyfishtë, pasi në fillim përmbytjet u shkatërruan të mbjellat e para ndërsa tani e gjithë toka bujqësore e mbuluar nga uji është tërësisht e pashfrytëzueshme. Pavarësisht se grupet e verifikimit kanë kryer matje në terren, fermerët ndjehen të pasigurt nëse do të marrin ose jo dëmshpërblimet. Ata shpresojnë se me përmirësimin e motit uji do të nisë të largohet nga tokat e tyre , megjithatë kërkojnë dhe ndërhyrjen e autoriteteve në kanalet e kullimit të cilat sipas fermerëve do të shmangin përmbytje të tjera në të ardhmen.

22 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›