E Diel, 1 Nëntor 2026

ARKIVA BRITANIKE, Dushani dhe Miladini, padronët e padiskutueshëm të Enver Hoxhës



Vijon nga numri i kaluar

Pushtimi italian

Megjithëse goditja e befasishme e 7 prillit ishte shumë e fuqishme, kjo nuk i ligështoi patriotët shqiptarë. Ata gjithmonë mbanin të pashuar shpresën për të ardhmen e vendit të tyre, veçanërisht në ditët e errëta të viteve '40. Që prej fillimit të pushtimit italian, patriotët filluan të krijonin grupet e bashkimit kombëtar përballë terrorit të pushtimit fashist. Një organizate e fshehtë kombëtare ishte formuar pothuajse plotësisht deri në vjeshtë të vitit 1939.

Qindra prej shokëve tanë ishin arrestuar, burgosur apo syrgjynosur në mërgim, sidomos në vitin 1940, gjatë luftës italo- greke. Grupet tona kombëtare ishin tashmë të gatshme për të goditur më së shumti forcat italiane në prapavijë ndërsa tërhiqeshin përballë ushtrisë greke. Fatkeqësisht, qeveritë e Athinës e hodhën poshtë propozimin tonë për njohjen e pavarësisë dhe kufijve shqiptarë të vitit 1913. I njëjti propozim i është bërë nga ana jonë ministrit të Britanisë së Madhe në Beograd, por pa rezultat. Deklarimi i pavend i gjeneralit Metaksa se Korça dhe Gjirokastra do të konsideroheshin tërësisht si qytete të Greqisë shkaktoi zhgënjim të hidhur dhe zemërim të papërmbajtur në gjirin e patriotëve shqiptarë; ne ishim të përgatitur t'i konsideronim grekët si viktima të një padrejtësie të përbashkët dhe ishim gati te hidheshim ne lufte kundër armikut tonë të përbashkët.

Pavarësisht ambicieve imperialiste të fqinjëve tanë dhe pavarësisht masave të egra të milicisë italiane, organizata kombëtare bëri gjithçka ishte në dorë të saj për të sabotuar fashizmin që, me anë të forcës apo intrigave, synonte t'i kthente shqiptarët në trupa mercenare brenda ushtrisë italiane dhe t'i përdorte në luftën kundër Greqisë. Kjo është arsyeja përse më shumë se 5000 shqiptarë u internuan gjatë kësaj kohe në Itali, pa përmendur këtu çarmatimin e forcave shqiptare dhe dërgimin e tyre në kampet e përqendrimit në Shijak. Një qëndrim i ngjashëm u mbajt nga patriotët shqiptarë kur forcat e boshtit (aksit) pushtuan Jugosllavinë, pavarësisht aspiratave tona të drejta kombëtare për Kosovën, ku jetojnë afro një milionë shqiptarë. Me këtë ne u dëshmuam fqinjëve tanë, pavarësisht përplasjeve me ta dhe padrejtësive të panumërta qe kishin kryer në kurrizin tonë, një dinjitet kombëtar po aq sa "vetëdija ballkanase" që në vetvete nuk na lejonte të bëheshim vegël e fashizmit, qe synonte të sundonte gadishullin e Ballkanit.

Që prej fillimit të pushtimit nga Italia fashiste, qëllimi kryesor i organizatës sonë ishte përfshirja e të gjithë lëvizjes kombëtare antifashiste në një front të vetëm luftarak. Fatkeqësisht, programi ynë, që i përgjigjej interesit dhe aspiratave të vërteta të popullit shqiptar, u përball me kundërshtimin e grupeve me prirje marksiste. Këta të fundit, jo vetëm që i lejuan vetes të ruanin një identitet politik individual, por u vetëdeklaruan hapur kundër të gjitha veprimeve kundër imperializmit fashist. Ata këmbëngulën që të konsideronin si tërësisht të pavlefshme të gjithë sakrificën kombëtare për këtë qëllim. Ata deklaruan qartë se asnjëherë nuk do të ishin dakord të shkatërronin popullin për atë që ata e quajtën "vetëm për interesin e Britanisë imperialiste".

Po këto grupime marksiste, që nga viti 1939 deri në vitin 1940 mbajtën një qëndrim të heshtur dhe paqësor në një kohë kur nacionalistët dergjeshin nga njëri burg në tjetrin dhe kur vendi prej dy vjetësh rënkonte nën zgjedhën fashiste, krejtësisht papritur në fund të verës së vitit 1941 u bënë pjesëmarrës të flaktë në luftë. Tani ata na propozuan që menjëherë t'i bashkoheshim një rezistence kundër forcave të boshtit dhe jepnim ndihmesën tonë në atë që tashmë ata e quanin "kauza e drejtë e Aleatëve dhe jo më "interes i vetëm i perandorisë britanike". Kjo kthesë e menjëhershme ishte aq e papritur dhe radikale që na krijoi bindjen e palëkundur se shtysa e vetme për këtë metamorfozë ishte hyrja e Rusisë Sovjetike në luftë.

Para hyrjes së Rusisë në luftë, grupet me prirje ekstremiste përbëheshin dhe drejtoheshin tërësisht nga shqiptarë. Nga fundi i vitit 1941, komunistë jugosllavë, të dërguar nga Komiterni, erdhën në Shqipëri për të organizuar të gjithë elementët e ndryshëm shkatërrimtarë në një parti të vetme radikale. Udhëheqësit e këtyre elementëve radikalë ishin serbët Dushan dhe Miladin. Ata ia dolën të bëheshin padronët e padiskutueshëm të organizatës së sapokrijuar radikale shqiptare. Të gjitha përpjekjet tona për krijimin e fronit të vetëm kombëtar antifashist dështuan për shkak të intrigave dhe papajtueshmërisë së këtyre agjentëve sllavë. Këta të huaj u provuan se ishin zotërues të plotë të organizatës revolucionare. Për të përhapur doktrinën marksiste, së pari ata shfrytëzuan ndjenjën kombëtare kundër pushtuesit. Me shumë mjeshtëri, ata mbollën ndjenjën e urrejtjes dhe mosmarrëveshjeve mes bashkëkombësve tonë për të pasur dorë të lirë në çrrënjosjen e idesë së kombit, vendit dhe familjes.

Kështu ata ia arritën të përçanin popullin shqiptar në dy kampe armike: që u nxitën t'i hidheshin në fyt njëri-tjetrit me gjithë egërsinë e pasionit jo njerëzor. Sot jemi tërësisht të bindur se lufta kundër pushtuesit ishte vetëm një justifikim i shfrytëzuar me zgjuarsi nga këta dy të huaj me qëllimin për të luftuar çështjen tonë kombëtare dhe përgatitur së pari rrugën për bolshevizimin dhe më pas skllavërimin e Shqipërisë.

Në shtator të vitit 1942, Partia Komuniste ftoi në një mbledhje sekrete individë të caktuar të zgjedhur nga vetë partia. Në këtë takim mori pjesë Abaz Kupi, lideri i partisë zogiste, dhe dy delegatë nga organizatë jonë. Delegatët tanë u përballën me një "fakt të kryer". Ata vendosën të krijonin një organizatë, të ashtë-quajtur patriotike, me emrin "Fronti Nacional Çlirimtar", një organizatë që ishte kombëtare vetëm në emrin e saj. Ky emër tërheqës i ishte vendosur kësaj organizate vetëm për të shkaktuar pështjellim në popull dhe maskuar organizatën bolshevike, radikaliste që qëndronte pas saj. Natyrisht, ne nuk mund të mashtroheshim nga këto pazare, makinacione të agjentëve sllavë, të cilët nën shtirjen nacionaliste, u përpoqën të mbillnin përçarje dhe përgatisnin shpërthimin e një lufte civile në vend.

Në këtë kohë ne ishim në gjendje ta shkatërronim që në djep këtë Parti Komuniste. Megjithatë, nuk e bëmë një gjë të tillë, pasi konsideruam të pamoralshme dhe antipatriotike krijimin e përçarjeve dhe konflikteve midis bashkëkombasve tanë në një kohë kur gjendeshim nën sundimin fashist. Përkundrazi, bëmë më të mirën për t'i mbrojtur ndaj kërcënimeve politike dhe ushtarake të autoriteteve italiane. Me shpresën se një ditë do të krijonim një front të përbashkët kundër pushtuesit, ne shkuam aq larg me qëndrimin tonë paqësor dhe vëllazëror deri sa u përballëm me shfryrjen më të egër të miqve tanë ekstremistë. Ne, madje, mbajtëm qëndrim gjakftohtë edhe kur disa nga njerëzit tanë, u vranë në mënyrën më burracake vetëm se ata u qëndruan idealeve të tyre nacionaliste. Qëndrimi ynë, tej mase i urtë, dhe pajtues ndaj radikalistëve, në shumicën e rasteve u konsiderua si shenjë dobësie jo vetëm prej tyre, por edhe nga publiku i gjerë.

Nga fundi i vitit 1942, grupet nacionaliste dhe komuniste kishin filluar tashmë, pothuajse në të njëjtën kohë, të lindnin në çdo pjesë të vendit, kryesisht në Shqipërinë e Mesme. Pavarësisht mosmarrëveshjeve ideologjike që i frymëzonin, dhe përçarjes, me shumë zgjuarsi të krijuar midis tyre, këto grupime, jo në pak raste. luftuan krah njëri-tjetrit kundër trupave italiane, sikurse ndodhi për shembull në Gjorm, Rushdie, Selenicë dhe Berat. Sidoqoftë, në të gjitha këto operacione, komunistët shfaqën mungesë të vajtueshme ndershmërie dhe sinqeriteti.

Në qershor të vitit 1943, rrëmbimi nga grupet komuniste të një anëtari të Komitetit Qendror të organizatës nacionaliste shkaktoi tërbimin e patriotëve dhe ngjarje të papritura që çuan drejt shpërthimit të luftës civile. Në atë kohë, forcat komuniste dhe nacionaliste ishin pak a shumë të njëjta në numër. Të gjendur nën kërcënimin e mijëra nacionalistëve të grumbulluar menjëherë, komunistët u detyruan të tërhiqeshin dhe kërkonin falje.

Ekuilibri i forcave u prish në dëmin tonë, si pasojë e dy faktorëve të rinj: a) mbërritja e Misionit Ushtarak të Aleatëve në Shqipëri, b) kapitullimi i Italisë. Pothuajse e gjithë elita e patriotëve shqiptarë, thellësisht e frymëzuar nga ndjenjat liberal-demokrate dhe pas vuajtjeve të rënda nën fashizëm, jo vetëm gjatë pushtimit italian, por edhe gjatë regjimit despotik të Zogut që u mbajt në pushtet nga qeveria e Romës, i kishte të gjitha arsyet t'i konsideronte oficerët e Aleatëve si çlirimtarë. Megjithatë, duhet të pranojmë, me gjithë hidhërimin dhe sinqeritetin tonë, se mbërritja e Misionit të Aleatëve në Shqipëri ishte një mashtrim i madh për ne. Misioni i Aleatëve ka qenë, ndoshta jo me qëllim, një shkak i fatkeqësisë për vendin tonë. Pa furnizimet me armë, që ky mision në mënyrë të njëanshme ua siguroi komunistëve, lufta civile do kishte shumë mundësi të mos kishte ndodhur. Këto armatime që iu dhanë komunistëve për të luftuar kundër pushtuesit, përkundrazi u përdorën prej tyre sipas udhëzimeve të dhëna nga menaxherët sllavë për të vendosur me zjarr dhe hekur bolshevizmin në Shqipëri. Kështu, gjithmonë ishim ne nacionalistët demokratë të Shqipërisë që u kthyem në viktima të politikës britanike. Në vitin 1924, në sajë të kompanisë Anglo-Persiane të naftës, Zogu, përveç shumës prej 20 000 paundësh të kompanisë me të cilën ai drejtoi ekspeditën, fitoi edhe miratimin e heshtur të qeverisë britanike që me ndihmën e forcave jugosllave të bëhej sundimtari absolut i vendit.

Mijëra patriotë, intelektualë shqiptarë u detyruan ose të largoheshin në mërgim ose të përfundonin të lidhur në birucat e burgjeve me pretendimin se ata ishin elementë subversivë. Në vitin 1944 ishin po të njëjtët patriotë liberal-demokratë të cilët u masakruan nga terroristët falë furnizimit të tyre me arin dhe armët britanike por këtë radhë me pretendimin se ata kishin prirje fashiste. Në vitin 1924 ishte vetë kryeministri Pashiç (Pasitsch), i cili drejtoi aktet kundër patriotëve nacionalistë shqiptarë, dhe këtë herë ishin serbët Dushani dhe Miladini që po përpiqeshin të vendosnin bolshevizmin duke vringëlluar kundër nesh po ato thika (armë) që ua kishte dhënë Misioni Ushtarak i Aleatëve.

Një fatkeqësi tjetër ishte edhe fakti që ushtritë italiane, të shpërndara pas armëpushimit, iu bashkuan partizanëve, në bazë të urdhrave të oficerëve britanikë të Misionit të Aleatëve. Këto grupe italiane, të përbërë kryesisht nga teknicienë, u siguruan komunistëve shqiptarë aq shumë armatim dhe pajisje ushtarake duke shkaktuar po aq andralla që i kishin shkaktuar më parë nën flamurin e fashizmit.

Vijon në numrin pasardhës

Materiali është marrë nga Arkivat britanike. Oficerët anglezë që morën pjesë në operacionet e forcave aleate në Shqipëri, tregojnë për skenën politike në vend dhe rolin e të gjitha partive dhe formacioneve ushtarake gjatë Luftës së Dytë Botërore.

11 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›