Thaçi për zgjedhjet: “Kosova ka tendenca pozitive”
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në prag të zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit konsideron se qeveria për herë të parë po përballet me këtë sfidë, që pritet të jetë e suksesshme. “Ky është procesi i parë elektoral në Kosovën e pavarur, demokratike, sovrane dhe shumë etnike. Është procesi i parë i konkurencës së lirë në nivel lokal për spektrin politik. Por ky proces elektoral është më tepër se sa i konkurencës së projekteve të partive politike. Zgjedhjet e 15 nëntorit kanë vlerën dhe rëndësinë nacionale”. Ky sukes sipas Thaçit është i lidhur ngushtë me pjesëmarrjen në votim të serbëve, megjithë këmbënguljen e Beogradit për të bojkotuar këto zgjedhje. “Është me rëndësi të theksohet se edhe pse janë zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur, pjesëmarrja e serbëve do të jetë më e madhja në historinë e Kosovës. Prandaj ky sukses është një sukses i jashtëzakonshëm i institucioneve të Republikës, është një mrekulli për Kosovën dhe është suksesi që garanton reformat demokratike, që garanton perspektivën europiane të Republikës së Kosovës, që garanton paqen dhe stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën e gjithëanshme të zhvillimit ekonomik”. Në lidhje me kritikat më të fundit të bëra publike nga raporti i fundit i Progresit kryeministri tha se ai ishte një raport real. ”Është një raport që vlerëson stabilitetin institucional të Kosovës, jetën e re demokratike, stabilitetin politik, respektimin afirmativ të minoritarëve, zotimin tonë për të implementuar dokumentin e presidentit, për të respektuar kushtetutën dhe ligjet që vlerëson fillimin e reformave në ekonomi, në legjislacion dhe në politikë. Në të njëjtën kohë dalin edhe zotime, dalin sfida të reja për institucionet në veçanti”,- u shpreh kryeministri Thaçi.
11 Nentor 2009