E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia, fond për kurse profesionale për 800 të rinj në nevojë



Emanuela Sako

Rreth 800 të rinj nga qyteti i Durrësit dhe i Tiranës do të përfshihen në projektin e Bashkisë së Tiranës për thellimin e njohurive në fushën e arsimit. Në bazë të një projekti me një grant rreth 1.5 milionë dollarësh, të rinjtë që nuk kanë mundësi ekonomike për të ndjekur kurse profesionale apo trajnime të ndryshme profesionale, do të përfshihen në këtë projekt për t’i ndjekur ato falas. “Të punosh me të rinjtë është një përgjegjësi e detyrueshme e shoqërisë, por më shumë akoma kërkon aktivizimin e shumë faktorëve dhe aktorëve dhe sigurisht një përgjegjshmëri kolektive. Për këtë, Bashkia e Tiranës, si një institucion përherë në mbështetje të tyre, ka një objektiv të dyfishtë, nga njëra anë t’u krijojë të rinjve besimin në motivimin ndaj vizionit komunitar që ajo ka krijuar dhe nga ana tjetër të stimulojë dhe ta mbështesë këtë motivim”,- u shpreh Kryebashkiaku Edi Rama.
Projekti
Bashkia e Tiranës nënshkroi një marrëveshje me Bankën Botërore, më anë të së cilës mundësohet një grant i financuar nga Fondi Japonez i Zhvillimit Social, nëpërmjet Bankës Botërore, me një shumë prej 1 155 700 dollarësh dhe një kohëzgjatje tre vjeçare. Në fokus të kësaj marrëveshje, janë të rinjtë që banojnë në qytetin e Tiranës dhe Durrësit, kryesisht ata në nevojë, me qëllim zgjerimin e aksesit të tyre për arsimim, punësim dhe pjesëmarrje aktive në shoqëri. Do të ketë trajnime, bursa për të ndjekur kurse për kualifikime profesionale dhe 100 mikro grante, secila 2.500 $, për të mbështetur sipërmarrjen e të rinjve.
Një tjetër synim i projektit është formimi i kapaciteteve shoqërizuese, për të ndërhyrë në mënyrë të qëndrueshme në terrenin e kualifikimit profesional dhe të punësimit. Projekti u drejtohet të gjithë atyre personave që kërkojnë të dialogojnë, për të krijuar njohuri të vlefshme në eksperimentimin e politikave aktive të punës si dhe synon zhvillimin e marrëdhënieve që forcojnë nivelin e besimit dhe sensin e komunitetit.
Mundësitë
Gjithçka është mundësuar sipas profileve të ndryshme të trajnimeve që ata do të zgjedhin. Kështu, sipas kësaj praktike do të organizohen disa trajnime në të dyja bashkitë pjesëmarrëse, ku do të përfshihen afërsisht 50 pjesëmarrës në secilin prej trajnimeve. Njëkohësisht, është parashikuar dhënia e bursave për ndjekjen e kurseve dhe kualifikimeve profesionale për 40 të rinj si dhe ndjekja për 40 të rinj e praktikave të punës/profesionale. Grantet do të mbështesin aktivitetet e sipërmarrjes së të rinjve.
Ngritja e kapaciteteve të të rinjve dhe zgjerimi i pjesëmarrjes së tyre në çështjet civile do të bëhet nëpërmjet granteve të vogla për të mbështetur aktivitetet që kanë të bëjnë me zhvillimin e komunitetit, në përputhje me nevojat e identifikuara dhe shprehura nga vetë të rinjtë.

box
Sipas projektit, mbështetja për të rinjtë do të përqendrohet në:
Ngritjen e kapaciteteve të të rinjve (përfitues janë rreth 800 të rinj) nëpërmjet:
Organizimit të kurseve të trajnimit. Do të organizohen disa trajnime në të dyja bashkitë pjesëmarrëse (afërsisht 50 pjesëmarrës në secilin prej trajnimeve)
Dhënies së bursave për ndjekjen e kurseve dhe kualifikimeve profesionale. Do të mundësohet ndjekja e kurseve profesionale për 40 të rinj si dhe ndjekja për 40 të rinj e praktikave të punës/profesionale.
Grantet
Dhënia e granteve me qëllim përmirësimin e jetesës së të rinjve.
Do të jepen rreth 100 mikro grante në shumën prej 2.500 $. Numri i të rinjve përfitues është rreth 400.
Janë planifikuar të jenë 14 grante në Tiranë dhe 6 grante në Durrës.
Planifikimi me pjesëmarrje në nivel komuniteti. Kështu, të rinjtë mund të identifikojnë nevojat apo dhe të japin prioritet për të ndërhyrë në nivel lokal.

Gripi sezonal, prag epidemie në vendin tonë

Rreth 11 mijë persona në gjithë vendin janë prekur nga gripi vetëm gjatë javës së shkuar. Kjo shifër është konsideruar tepër e lartë për numër popullsie, çka krijon panik për zhvillimin e mëtejshëm të situatës. Specialistët thonë se jemi në një fazë kritike, pasi qarkullimi i virusit AH1N1 dhe i gripit sezonal ka shtuar rrezikshmërinë dhe numrin e personave të prekur. Shenjat që paraqesin dy viruset janë të ngjashme dhe klasifikimi mund të bëhet vetëm në laborator. Specialistët e shëndetësisë këshillojnë që mjekët të marrin të gjitha masat për ruajtjen e shëndetit të tyre dhe të përdorin tamiflunë në të gjitha rastet e kërkuara.
“Kemi një vaksinë në treg që duhet të shfrytëzohet. Mjekët duhet të marrin masa që fillimisht të mbrojnë veten e tyre”, - u shpreh Dritan Ulqinaku, specialist pranë ISHP. Virusi i gripit të derrit ka prekur kryesisht moshat aktive, ndërsa gripi sezonal prek moshat pediatrike dhe të moshuarit. Ulja e temperaturave ka sjellë një rritje të numrit të të sëmurëve dhe specialistët e kanë të vështirë të bëjnë një klasifikim të shpejtë mes të prekurve nga virusi AH1N1 dhe gripit sezonal. Ndërkohë që një ndihmë e madhe për qytetarët duket se do të jetë dhe kryerja e analizave në një kohë rekord, në laboratorin e ri të ISHP-së që u përurua tre ditë më parë. Tashmë nuk do të ketë më pritje të gjata dy apo tre- javore nga Rumani, por përgjigjet do të dalin Brenda ditës. Në kushte normale, laboratori mund të analizojë 21 mostra në ditë, ndërsa në rastet e emergjencës mund të kryhen 100 analiza. Personat që do të marrin vaksinën kundër gripit të derrit janë të gjithë ata që bëjnë pjesë në kategoritë emergjente. Në këto kategori bëjnë pjesë gratë shtatzëna, invalidët, personeli shëndetësor që ka kontakt me të sëmurët etj. Këto kategori janë parashikuar të vaksinohen me blerjet e para të vaksinës, ndërsa nëse MSH-ja do të mund të sigurojë më tepër doza, atëherë pjesë e vaksinimit do të jenë edhe kategori të tjera. Aktualisht numri i të prekurve me gripin e derrit është 44 raste. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi zyrtarisht, pak ditë më parë se numri i të prekurve me gripin e derrave në Shqipëri është shtuar me 9 raste të reja. Analizat janë kryer gjatë kësaj jave në ISHP, ku kanë dalë dhe rezultatet përfundimtare, që tregojnë se gripi i derrit ka filluar të veprojë fuqishëm në vend. Pacientët e prekur i përkasin moshave të ndryshme dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë shfaqur shenja të lehta të virusit dhe janë trajtuar në QSUT.

11 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›