E Diel, 1 Nëntor 2026

Banesat sociale, numri i aplikimeve sipas kategorive në nevojë



Emanuela Sako

Pas shumë kërkesave të herëpashershme të personave me aftësi të kufizuara për përfshirjen në një nga programet sociale të Bashkisë së Tiranës, kjo kategori ka mundur të përfshihet në një nga skemat më të rëndësishme. Por, përsa i përket përzgjedhjes së tyre, kjo varet nga specialistët e Bashkisë së Tiranës, në bazë të dokumentacionit të dorëzuar dhe të të dhënave përkatëse. Kështu, janë mbi 500 persona me aftësi të kufizuar që kanë kërkuar për këtë vit, të bëhen pjesë e përfitimeve nga programet sociale, për të përfituar banesë me qira të ulët si dhe banesë me kredi të ulët. Në total, deri në vitin 2009 kanë aplikuar rreth 4497 persona për t’u trajtuar me një nga tre programet sociale. Specialistët e strehimit pranë këtij institucioni kanë detajuar të gjitha të dhënat e aplikuesve sipas kategorive që u përkasin, të ardhurave mujore që disponojnë, gjendjes civile etj.
Kategoritë
Janë rreth 4 kategori të personave me aftësi të kufizuar që kanë aplikuar pranë Bashkisë. Sipas të dhënave të këtij institucioni rreth 88 aplikues janë të verbër, 254 aplikues janë invalidë paraplegjik – tetraplegjik, 356 aplikues janë invalidë të punës,
si dhe 35 aplikues janë invalidë lufte. Ndërkohë që edhe personat që kanë statusin e jetimit kanë aplikuar për të përfituar banesë nga shteti. Nga kjo kategori numërohen rreth 173 aplikues, të cilët presin përgjigje nga bashkia. Vitin e kaluar, përfaqësues të shoqatave të personave me aftësi të kufizuar u ankuan se Bashkia e Tiranës nuk i ka përfshirë në programet sociale. Sipas tyre, përgjigja e specialistëve për mospërfshirje ka qenë se ata nuk kishin paraqitur dokumentacionin e plotë dhe si rregull, çdo qytetar që nuk paraqet dokumentet dhe të dhëna të plotë, përjashtohet automatikisht nga skema e përfitimit.
Programet
Bashkia e Tiranës ofron 3 programe sociale për personat që kanë mundësi minimale strehimi dhe jetese. Sipas të dhënave për të 11 njësitë bashkiake për banesë me kosto të ulët kanë aplikuar 3818 persona, të cilët ende nuk janë përzgjedhur, pasi projektet për ngritjen e këtyre banesave nuk kanë përfunduar. Për banesë sociale me qira kanë aplikuar rreth 587 persona, nga të cilët janë përzgjedhur vetëm ata që kanë një pagë mujore minimale dhe nuk kanë mundësi të tjera jetese dhe strehimi. Ndërsa 91 aplikues kanë kërkuar për t’u pajisur me tokë për infrastrukturë. Nga statistikat e Bashkisë rezulton se 543 familje aplikuese kanë përfituar nga ligji për privatizimet (Ligji Nr. 7652), 3229 familje aplikuese banojnë deri në momentin e aplikimit në banesa me qira dhe 653 familje aplikuese banojnë në banesa rrezik shembje. Ndërsa kategoritë e tjera janë të verbrit, invalidë paraplegjik dhe tetraplegjik, invalidë lufte etj.

Të ardhurat mujore, familjet nuk kanë mundësi jetese
Shumica e familjeve që kanë aplikuar për t’u trajtuar nga Bashkia e Tiranës, kanë të ardhura minimale. Në bazë të të ardhurave të deklaruara prej tyre, ata nuk kanë asnjë mundësi për të mbajtur familjet e tyre. Kështu, sipas të dhënave të Bashkisë të ardhurat mujore të të gjithë aplikuesve janë konsideruar minimale dhe nën minimumin jetik. Duke iu referuar të dhënave 941 familje aplikuese kanë më pak se 10 000 lekë të ardhura në muaj, çka bën të pamundur përballimin e jetesës. Po kështu, 925 familje aplikuese kanë disponojnë të ardhura mujore nga 10 000 – 20 000 lekë dhe 824 familje aplikuese kanë nga 20000 – 30000 lekë të ardhura në muaj. Rreth 1050 familje aplikuese kanë nga 30000 – 50000 lekë të ardhura në muaj dhe 753 familje aplikuese kanë mbi 50000 lekë. Këto të fundit, përgjithësisht aplikojnë për të përfituar banesë me kosto të ulët, ku Bashkia e Tiranës ka përcaktuar një kufi për të ardhurat mujore, pasi aplikantët duhet të paguajnë këstet e kredisë.

box
Personat me aftësi të kufizuar

88 aplikues janë të verbër
254 aplikues janë invalidë paraplegjik – tetraplegjik
356 aplikues janë invalidë të punës
35 aplikues janë invalidë lufte

Numri
Kanë kërkuar banesë me kosto të ulët 3818 aplikues
Kanë kërkuar banesë sociale me qira 587 aplikues
Kanë kërkuar tokë të pajisur me infrastrukturë 91 aplikues

Kërkesat në 11 njësitë bashkiake

Njësia Bashkiake Nr. 1 me 297 aplikues
Njësia Bashkiake Nr. 2 me 562 aplikues
Njësia Bashkiake Nr. 3 me 323 aplikues
Njësia Bashkiake Nr. 4 me 365 aplikues
Njësia Bashkiake Nr. 5 me 442 aplikues
Njësia Bashkiake Nr. 6 me 370 aplikues
Njësia Bashkiake Nr. 7 me 433 aplikues
Njësia Bashkiake Nr. 8 me 350 aplikues
Njësia Bashkiake Nr. 9 me 445 aplikues
Njësia Bashkiake Nr. 10 me 319 aplikues
Njësia Bashkiake Nr. 11 me 590 aplikues

Nga formularët e regjistruar deri tani rezulton se:

543 familje aplikuese kanë përfituar nga ligji për privatizimet (Ligji Nr. 7652)
3229 familje aplikuese banojnë deri në momentin e aplikimit në banesa me qira
653 familje aplikuese banojnë në banesa rrezik shembje
173 aplikues janë jetim
301 familje aplikuese banojnë tek të afërm ose të njohur
26 familje aplikuese kanë zënë objekt privat
204 familje aplikuese kanë zënë objekt publik
97 aplikues janë të përfshirë në programin e papunësisë
448 aplikues janë përfshirë në programin e ndihmës ekonomike
204 aplikantë janë të vetëpunësuar
713 aplikantë janë të punësuar në shtet
717 aplikues janë të punësuar në privat
529 aplikues kanë punësim të rastit

Gjendja civile e aplikantëve

2823 aplikues janë të martuar
741 aplikues janë të divorcuar
499 aplikues janë të ve
433 aplikues janë beqarë

Të grupuar sipas të ardhurave:
941 familje aplikuese kanë më pak se 10000 lekë të ardhura në muaj
925 familje aplikuese kanë nga 10000 – 20000 lekë të ardhura në muaj
824 familje aplikuese kanë nga 20000 – 30000 lekë të ardhura në muaj
1050 familje aplikuese kanë nga 30000 – 50000 lekë të ardhura në muaj
753 familje aplikuese kanë mbi 50000 lekë të ardhura në muaj

11 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›