Tentoi të hyjë në rrobaqepësi, vritet nga roja
SHKODËR – Një person ka tentuar të hyjë brenda mjediseve të rrobaqepësisë, por është ndaluar nga roja. Ngutja e tij për të hyrë domosdo brenda ka acaruar përplasjen dhe në një moment të caktuar roja ka qëlluar me armë duke e plagosur rëndë dhe vetëm pas disa minutash ka gjetur vdekjen në spital. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në mesditë, rreth orës 13:45 në qytetin e Shkodrës. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut bëjnë të ditur se shtetasi Nilson Sokoli, 21 vjeç, lindur e banues në lagjen “Skënderbeg”, ka plagosur rëndë me armë zjarri tip automatik “Kallashnikov” Bashkim Bajrin, 46 vjeç, lindur e banues në lagjen “Partizani” në qytetin verior. Përplasja mes dy personave ndodhi në ambientet e brendshme të fabrikës private të rrobaqepësisë ”Rubin”, ku ishin të pranishëm me dhjetëra persona. Autori i krimit është larguar, por pas 40 minutash ai është prangosur nga forcat e rendit.
Vrasja
Në prani të dhjetëra punonjësve të rrobaqepësisë, Bashkim Bajri është përpjekur për të hyrë brenda për të takuar një person, por ai ka marrë përgjigje negative nga roja i objektit. Pas debateve që kanë bërë me njëri-tjetrin punonjësi i sigurisë së fabrikës është detyruar që t’i kundërpërgjigjet me armë zjarri. Për pasojë, 46-vjeçari Bajri ka mbetur i plagosur rëndë dhe sapo ka shkuar me urgjencë në Spitalin rajonal Shkodër ka gjetur vdekjen. Burimet policore bëjnë të ditur se autori i plagosjes së rëndë është shtetasi Nilson Sokoli. Shërbimet policore u vunë menjëherë në ndjekje të autorit, ku si rezultat i një operacioni të mirorganizuar u bë e mundur, rreth 40 minuta më vonë, kapja në flagrancë e tij. Sokoli tentoi të largohej, por në vendin e quajtur Kodrat e Bardhajve, në periferi të qytetit verior, i janë vënë prangat.
Hetimi
Zëdhënësja e Policisë, Fatbardha Çelepia, tha se gjatë kontrollit në banesën e 21-vjeçarit Sokoli u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit tip automatik model 54, me të cilën ky shtetas ka kryer krimin.
Nga veprimet procedurale e hetimore të kryera nga grupi ynë hetimor rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një konflikti të çastit mes shtetasve Nilson Sokoli, i cili punonte si roje në fabrikën “Rubin” dhe shtetasit Bashkim Bajri, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë. Sipas tij, ekspertët e Sektorit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Shkodër bënë dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ndërsa materialet hetimore pritet t’i kalojnë Prokurorisë, pasi shtetasi Nilson Sokoli akuzohet për veprat penale të “vrasjes me dashje” dhe “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
DURRËS - Përplasja e dy automjeteve ka shkaktuar tre të plagosur gjatë një aksidenti që ndodhi dy ditë më parë në rrethin e Durrësit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se rreth orës 15:15 të ditës së hënë, në aksin rrugor Durrës–Tiranë, pranë karburantit “Elda”, shtetasi Dashamir Bici, duke drejtuar automjetin tip “Nisan” fuoristradë, me targë TR 1336 H, është përplasur me automjetin tip “Benz”, me targë AD615 TZ, me drejtues shtetasin Durim Lleshi, 33 vjeç, lindur në Helmas të Kavajës dhe banues në Lagjen Nr. 13 në qytetin bregdetar. Për pasojë, janë dëmtuar lehtë dhe pas mjekimit në Spitalin Ushtarak në Tiranë janë larguar për në banesë shtetasit: Elton H., 25 vjeç, Alush S., 47 vjeç, Qani H., 36 vjeç dhe Shkëlqim H., 39 vjeç, banues në Tiranë, që të gjithë pasagjerë në mjetit tip “Nisan”. Policia nisi procedimin penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit Dashamir Bici, 31 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Laprakë. Materialet në ngarkim të tij pritet t’i kalojnë për hetime të mëtejshme Prokurorisë, pasi akuzohet për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, tha zëdhënësja e policisë.
Shkurt
Ndalohen tre kushërinjtë, bastisën banesën e të moshuarit
DURRËS - Tre të mitur, kushërinj me njëri-tjetrin, kanë grabitur një banesë në pronësi të një të moshuari, por më pas janë prangosur dhe ndaj tyre ka nisur hetimi në gjendje të lirë. Mbrëmjen e së hënës, rreth orës 19:00, u arrestua shtetasi K. D., 15 vjeç, lindur në Librazhd dhe banues në Durrës. Burimet policore thonë se rreth orës 15:00, ai, bashkë dy kushërinjtë e tij në moshë minorene, B. D., 12 vjeç dhe E. D., 13 vjeç (të afërm me njëri-tjetrin), banues në Lagjen Nr. 14/1 në qytetin bregdetar, vodhën banesën e shtetasit Shefki C., 75 vjeç, banues në zonën e ish-Kënetës. Tre fëmijët kanë hyrë në banesë dhe i kanë marrë një shumë prej 40 mijë lekësh, një aparat telefoni celular dhe një varëse floriri. Ndaj tyre kanë nisur hetimet në gjendje të lirë për shkak të moshës.
Arrestohet adoleshenti, tentoi të përdhunojë të sëmurën mendore
GJIROKASTËR - Një adoleshent është prangosur pasi ka tentuar të përdhunojë një të sëmurë mendore në moshë 42-vjeçare. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut Gjirokastër bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20:00, nga ana e specialistëve të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër është bërë ndalimi i shtetasit S. Ismaili, 18 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Arëz e Madhe të Komunës Luftinjë të rrethit Tepelenë. Sipas tyre, ndalimi i 18-vjeçarit u bë pasi në Komisariatin e Policisë Tepelenë ka ardhur një denoncim se ky shtetas ka tentuar të përdhunojë një femër. Ky shtetas, më datën 08.11.2009, në fshatin e tij, rreth orës 14:00, ka marrë në banesën e saj shtetasen K. S., 42 vjeçe, e divorcuar dhe e sëmurë me të meta mendore, dhe e ka çuar në një banesë të braktisur, afër banesës së saj, ku ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë. Sipas dëshmisë, Ismaili i ka lidhur duart, por pas kundërshtimit të gruas 42-vjeçare dhe ardhjes në kohë të familjarëve të saj ai nuk ka mundur të kryejë marrëdhënie seksuale. Djali është larguar duke e lënë të lidhur me litar gruan e sëmurë, pasi po e kërkonin prindërit e saj. Kjo shtetase qëndronte e vetmuar në njërën nga dhomat e banesës së prindërve dhe nuk dilte nga banesa, pasi kishte kaluar në depresion që pas divorcit dhe ky shtetas ka gjetur momentin që në banesë nuk ishin familjarët e saj. Pas marrjes së kallëzimit, specialistët e Parandalimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Tepelenë janë vënë në kërkim të autorit ku pas disa orësh kanë bërë të mundur kapjen e tij, i cili ishte fshehur në një banesë. S. Ismaili akuzohet për veprën penale të “marrëdhënieve seksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur mbetur në tentativë” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Gjirokastrës.
Rrëmben dhe përdhunon ish-të fejuarën, prangoset pas denoncimit
TIRANË – Rrëmben ish-të fejuarën, e përdhunon dhe më pas tenton ta vrasë duke i zënë frymën. Denoncimi i babait të vajzës ka vënë menjëherë në lëvizje policinë e Tiranës, e cila ka mundur të shpëtojë të renë teksa përpiqej të mbijetonte. Gjithçka ka ndodhur pasditen e së hënës në Shkozë të Tiranës, kur 21-vjeçari Ermal Gjoni, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë, ka rrëmbyer ish-të fejuarën e tij, I. S., 18 vjeçe, para banesës së saj dhe pasi e ka përdhunuar tentoi ta mbyste. Mësohet se 21-vjeçari e ka qëlluar me sende të forta adoleshenten dhe më pas e ka futur në automjetin e tij. Duke e kërcënuar dhe dhunuar, i riu e ka çuar vajzën në një hotel ku dhe e ka përdhunuar. Çasti i rrëmbimit është parë nga babai i vajzës, i cili në pamundësi për të shpëtuar të bijën, ka lajmëruar menjëherë policinë. Forca të shumta policia u vunë në lëvizje dhe mbërritën menjëherë në hotelin ku dyshohej se kishte çuar ish-të fejuarën 21-vjeçari. Burime policore thonë se Gjoni u kap në momentin që po tentonte të vriste adoleshenten. Ai i kishte zënë asaj pjesët e frymëmarrjes, të hundës dhe të gojës, ndërsa vajza vetëm përpëlitej në pamundësi për të kërkuar ndihmë. Pasi u shpëtua nga forcat e policisë, I. S. denoncoi Gjonin, i cili u arrestua për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”, “marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me dhunë me të rritura”, “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe “dëmtimeve të tjera me dashje”.
Kapshtica prangos tre trafikantë klandestinësh
TIRANË – Tre persona, të kërkuar nga Drejtësia për trafik klandestinësh drejt Greqisë, janë vënë në pranga. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dy ditë më parë forcat e policisë së kryeqytetit realizuan operacionin e koduar me emrin “Kapshtica”, duke arrestuar tre persona të akuzuar për “dhënies së ndihmës së kalimit të paligjshëm të kufirit”. Sipas tyre, të prangosuri janë shtetasit Kreshnik Dunga, 32-vjeç, Bilal Aliaj, 31 vjeç, dhe Bashkim Brahimi, 22-vjeç, banorë në Kamëz të Tiranës. Më datë 5 nëntor të këtij viti, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë kishte vënë masën “arrest në burg” në mungesë. Sipas të dhënave zyrtare, këta tre persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se grumbullonin persona në Tiranë dhe i nisnin më pas në mënyrë klandestine drejt Greqisë, duke u marrë shuma të konsiderueshme parash. Rasti konkret, i regjistruar nga policia është ai i 23 shtatorit të këtij viti, ku morën në afërsi të sheshit “Rilindja” në Tiranë shtatë persona dhe i transportuan me automjete drejt Korçës, me destinacion përfundimtar Greqinë. Ata kishin marrë 800 deri në 1500 euro për çdo shtetas. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe më 30 shtator, ku kanë ndihmuar të kalojnë ilegalisht drejt shtetit fqinjë përmes fshatit Bitinckë në rrethin Devollit, rreth 30 persona. Tre personat janë shpallur në kërkim për “ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit” dhe vetëm mbrëmjen e dy ditëve më parë është bërë i mundur ndalimi i tyre.
Superaksioni, arrestohen 15 shqiptarë në Itali
ROMË - Policia italiane realizoi me sukses arrestimin e anëtarëve të një organizate kriminale droge, në krye të së cilës ishte një familje shqiptare. Një super operacion antidroga i përbërë nga 50 policë e karabinierë, 100 financierë e një helikopter ka realizuar dje në orët e para të mëngjesit arrestimin e 74 personave me baza operative në Francë, Holandë, Spanjë e Itali në zonat e Lombardisë, Marche, Veneto e Friuli Venezia Giulia. Operacioni i quajtur "Nafiza", i koordinuar nga forcat e policisë së Padovës, i cili zgjati pothuajse 9 muaj realizoi shkatërrimin e këtij grupi trafikues droge, në krye të të cilit mendohej se është një familje shqiptare. Ky operacion vuri nën pranga 32 tunizianë, 15 shqiptarë, midis të cilëve dhe një grua, 15 italianë, 8 marokenë, 1 kosovar, 1 rumun, 1 shtetas ekuadorian e 1 algjerian. U sekuestruan 2 kg e gjysmë heroinë, 350 gram kokainë, 25. 500 euro, 5 pistoleta të kalibrit 7.62, dy autovetura, 25 telefona celularë e sasi të konsiderueshme hashashi, viagrash, metadone si dhe pajisje të nevojshme për përgatitjen e paketimin e drogës. Ky material i sekuestruar do t'i sillte kësaj organizate një fitim që tejkalonte 200 000 euro.
11 Nentor 2009