E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i reformës, Gjyqësori kërkon vetadministrim



Laureta Rryçi

Bllokimi i reformës në Drejtësi e ka detyruar Gjyqësorin të kërkojë vetadministrim. Se sa qëndron ky vendim përkrah Kushtetutës, ende nuk dihet, megjithatë, aktorët kryesorë të gjykatave duket se nuk kanë gjetur alternativë tjetër përballë ngërçit të krijuar kohët e fundit mes hallkave të pushteteve për shkak të bojkotimit të opozitës. Përfundimi i mandatit për dy anëtarë të KLD-së dhe afrimi i afatit të përfundimit të këtij mandati për 2 anëtarë të tjerë pritet ta nxjerrë jashtë funksionit për të marrë vendime krejt Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Rrëzimi i ligjit për mbledhjen e Konferencës Gjyqësore nga Gjykata Kushtetuese dhe bllokimi i draftit të Ministrisë së Drejtësisë për ligjin e ri në Parlament, - pasi duhen tre të pestat e votave në Kuvend, - e bën të pamundur mbledhjen e Këshillit dhe plotësimin e vendeve bosh në KLD. Kësisoj, mungesa e 4 votave në vendimet e KLD-së i nxjerr si antikushtetuese të gjitha vendimet që mund të merren nga ky institucion. Por, me sa duket, ngërçi nuk është vetëm në KLD, por në funksionimin e disa komisioneve, të cilat kishin rol rregullator në radhët e Gjyqësorit. Deri vitin e kaluar këto komisione zgjidheshin në Konferencën Kombëtare Gjyqësore, ndërsa tani ato nuk ekzistojnë.
Deklarata
Deklarata e përbashkët u hartua pas takimit që u zhvillua dy ditë më parë në organizimin e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Në takim morën pjesë të gjithë kryetarët e gjykatave, të të gjitha niveleve, dy shoqatat e Gjyqësorit dhe institucioneve ndërkombëtare që kanë dhënë asistencë në lidhje me reformën në Drejtësi, si EURALIUS, USAID etj. Kjo tryezë e rrumbullakët, e cila mblidhej për herë të dytë, ka pasur në qendër të diskutimeve projektligjin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare të paraqitur nga Ministria e Drejtësisë. Gjatë këtij takimi u diskutua dhe u hodhën mendime mbi problemet dhe shqetësimet që janë aktualisht në fokus të sistemit gjyqësor shqiptar. Në përfundim të mbledhjes pjesëmarrësit dolën me një deklaratë në të cilën aktorët kryesorë të gjykatave, por jo vetëm, parashtrojnë disa kërkesa si ndaj Ministrisë së Drejtësisë, ashtu edhe ndaj klasës politike në tërësi.
Kërkesat
Nëpërmjet deklaratës i kërkohet Ministrisë së Drejtësisë për të pasqyruar në draftin përfundimtar, në mënyrë të detajuar, të gjitha rekomandimet e bëra nga trupa gjyqësore në tërësi, shoqatat e gjyqtarëve dhe misionit ndërkombëtar EURALIUS në lidhje me projektligjin. Gjithashtu i kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që në kohën më të shkurtër të përshtatshme, ky projektligj, me rregullimet e bëra, të kërkuara më sipër, t’i dërgohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë për miratim. Ndërsa për klasën politike në tërësi kërkesa ka qenë që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsensus dhe në kohë rekord për kalimin e këtij projektligji, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e sistemit të Drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti. Ndërsa momenti i vetadministrimit është shfaqur kur kryetarët e gjykatave kanë rënë dakord të zhvillojnë një takim me të gjithë gjyqtarët, më 5 dhjetor të këtij viti. Për këtë takim janë përcaktuar tri çështje kryesore për t’u diskutuar, ndër to edhe marrja e një vendimi për fatin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare në mungesë të një ligji deri në atë periudhë kohore.

Box

Çfarë parashikon drafti i përgatitur në Ministrinë e Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë bën gati draftin për Konferencën Gjyqësore Kombëtare (KGJK). Ajo çka ishte si e pashmangshme në këtë draft ishte dhe pjesëmarrja në konferencë e të gjithë gjyqtarëve. Kjo përfshirje është parashikuar në nenet e para të këtij drafti, ku përcakton se Konferenca Gjyqësore Kombëtare është mbledhja e të gjithë gjyqtarëve, të të tria hallkave të Gjyqësorit. Në këtë rast, një pikë tjetër e re është e drejta e votës për të gjithë ata gjyqtarë që janë larguar përkohësisht nga detyra e gjyqtarit për një punë në administratë, por që e ruajnë statusin e gjyqtarit. Pritet që kjo të jetë një nga pikat ku do të ketë dhe diskutime nga palët e interesit. Kjo për shkak se të tillë gjyqtarë, pavarësisht se janë të punësuar të përkohshëm, ku mund të mbrojnë edhe interesat e ministrit të Drejtësisë në këtë rast qoftë edhe në mënyrë indirekte, ata mund të ndikojnë për kandidatët përzgjedhës.
Kriteret për të zgjedhur anëtarët e KLD-së është një tjetër pikë e rëndësishme në këtë draft, e cila në fazën e parë është lënë me dy versione për të marrë sugjerimet se cili është varianti më i mirë. Ndryshe nga ç’ishte më parë, drafti parashikon një marrëdhënie ndryshe mes të zgjedhurve në Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe anëtarëve të Konferencës Gjyqësore. Në këtë draft thuhet se në mbledhjen e përgjithshme vjetore të KGJK-së, anëtarët e zgjedhur në KLD, në mënyrë individuale ose kolegjialisht, duhet të paraqesin një raport të hollësishëm për përfaqësimin e interesave dhe përgjegjësive të pushtetit gjyqësor në KLD. E thënë ndryshe, të zgjedhurit nga Konferenca do të japin llogari për herë të parë gjatë mandatit para gjyqtarëve që i kanë votuar. Vendimet që merr anëtari i KLD-së i zgjedhur nga konferenca do të jenë vendimtare për të mbajtur postin aq vite sa janë përcaktuar në mandat. Drafti parashikon mocion mosbesimi për këta anëtarë. Në draft thuhet se mocioni i mosbesimit të anëtarit të zgjedhur të KLD-së prej KGJK-së mbështetet në hipotezën e rasteve të papajtueshmërisë me detyrën e anëtarit të KLD-së apo të ushtrimit jo të rregullt të mandatit të tij. Kjo, sipas specialistëve, nënkupton të drejtën e mbledhjes së përgjithshme të KGJK-së për të vlerësuar nëse ushtrimi i detyrës nga i zgjedhuri është në përputhje me tagrat e përfaqësimit të të zgjedhurit në funksion të mbrojtjes së pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
D E K L A R A T Ë
Nga takimi i përbashkët i organizuar nën kujdesin e kryetares së Gjykatës së Lartë me të gjithë kryetarët e të gjitha niveleve dhe me pjesëmarrjen e dy shoqatave të Gjyqësorit, si dhe institucioneve ndërkombëtare që kanë dhënë asistencë në lidhje me reformën në Drejtësi si EURALIUS, USAID etj., u arrit në përfundimin:
1. I kërkojmë Ministrisë së Drejtësisë për të pasqyruar në draftin përfundimtar, në mënyrë të detajuar, të gjitha rekomandimet e bëra nga trupa gjyqësore në tërësi, shoqatat e gjyqtarëve dhe misionit ndërkombëtar EURALIUS, në lidhje me projektligjin.
2. I kërkohet Ministrisë së Drejtësisë që në kohën më të shkurtër të përshtatshme, ky projektligj, me rregullimet e bëra, të kërkuara më sipër, t’i dërgohet Këshillit të Ministrave e më pas Kuvendit të Shqipërisë për miratim.
3. U kërkojmë të gjitha forcave politike që të shprehin vullnetin dhe të marrin përsipër përgjegjësitë ligjore dhe kushtetuese për arritjen me konsensus dhe në kohë rekord për kalimin e këtij projektligji, i cili do të bëjë të mundur mirëfunksionimin e sistemit të Drejtësisë në tërësi dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë në veçanti.
4. Nga kjo tryezë e rrumbullakët, në unanimitet u vendos që paralelisht me procesin ligjvënës, trupa gjyqësore të vetadministrohet në mënyrë të pavarur, duke thirrur në një takim të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë më datë 05.12.2009.
Në këtë takim do të diskutohet në lidhje me:
* Pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe reformën e pushtetit gjyqësor;
* Rritjen e transparencës dhe të besimit të publikut te drejtësia;
* Mbledhjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare.
Ky takim u karakterizua nga vullneti dhe përgjegjësia e pjesëmarrësve për t’i dhënë një zgjidhje juridike e ligjore konform Kushtetutës, të gjitha problemeve të ngritura me sipër në lidhje me sistemin gjyqësor.

11 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›