ARKIVA BRITANIKE, Ballit Kombëtar: Ahmet Zogu, tradhtar
Shqipëria, një provincë turke deri në vitin 1912, u krijua si shtet i pavarur në fund të Luftës Ballkanike 1912-1914 edhe pse në një gjendje të copëtuar. Shteti i ri shqiptar ishte sërish i dënuar të copëtohej sipas paktit të Aleatëve në Londër në vitin 1915 për të kompensuar shtetet fqinjë dhe në mënyrë të veçantë Italinë. Brenda kufijve të saj të vitit 1914, vendi ynë u shpëtua fatmirësisht nga Lëvizja Kombëtare, që drejtohej kundër dominimit italian, veçanërisht në Vlorë në vitin 1920. Më pas, në sajë të ndihmës bujare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes mesazhit të paharruar të Presidentit Uillson, dërguar Konferencës së Paqes, vendi ynë i shpëtoi një copëtimi të mëtejshëm.
Që atëherë fillimi i jetës sonë kombëtare, ideali i patriotëve shqiptarë, si dëshira për të shpëtuar vendin tonë, ka qenë ngritja e një regjimi të pavarur demokratik dhe krijimi i një elementi paqeje dhe progresi në Ballkan. Në këtë pikë, një lëvizje tjetër nacionaliste u zhvillua në vitin 1924. Të gjithë elementët reaksionarë, të cilët në funksion të përfitimeve të tyre synonin të ruanin traditat e vjetruara të dominimit turk, u detyruan të dilnin nga skena politike dhe filluan të bashkoheshin me elementë të jashtëm dhe thurin intriga kundër patriotëve, që kishin filluar të realizonin reforma të mëdha sociale dhe politike në vend.
Shqipëria dhe fqinjët
Shtetet fqinjë nuk neglizhuan të përdornin këta elementë për të çuar përpara ambiciet a tyre politike në Shqipëri. Kështu, pavarësisht përpjekjeve të fuqishme të patriotëve shqiptarë për konsolidimin e shtetit të pavarur dhe përshpejtimin e zhvillimit kombëtar, planet e tyre nuk mundën të zbatoheshin për shkak të intrigave të shteteve fqinjë me të cilët u përballën në çdo hap. Jo vetëm Italia fashiste e shikonte Shqipërinë si një pre të lehtë gjatë periudhës së ambicieve perandorake të Italisë, por edhe qeveritë maniake të Beogradit, me ëndrrën e tyre ekstravagante për një hegjemoni jugosllave në Ballkan, nuk ishin të kënaqura vetëm me zotërimin e tyre të afro një milionë shqiptarëve, por e konsideronin pjesën tjetër të vendit, që ndërkohë ishte themeluar si shtet i pavarur, si tokën e premtuar.
Për të gjitha këto arsye, në sajë të kombinimit të zgjuar të intrigave ndërkombëtare, kreu i reaksionarëve, Ahmet Zogu, i cili kishte shkuar për të gjetur strehim në Beograd, u vendos si monark absolut i vendit me ndihmën e fuqisë së shteteve fqinjë. Institucionet demokratike, në kuptimin e plotë të fjalës, u eleminuan dhe për 14 vjet me radhë populli ynë jetoi nën një regjim terrori. Një numër i madh bashkëpatriotësh mërguan ose u burgosën.
Më vonë, Shqipëria u bë shtet i pavarur dhe vend anëtar i Lidhjes së Kombeve. Për të justifikuar në sytë e opinionit ndërkombëtar këtë ndërhyrje brutale të jashtme në punët tona të brendshme, këtë cenim të vendit tonë nga forcat e shteteve fqinjë, një përligjje e këtyre akteve nuk ishte e vështirë të argumentohej në atë kohë: Qeveria demokratike e Fan Nolit akuzohej për metoda diktatoriale dhe intelektualët shqiptarë që e përkrahnin atë besohej se kishin prirje bolshevike, sidomos pasi ata ishin shprehur për realizimin e reformës sociale dhe agrare brenda vendit.
Shitja nga Zogu
Ky pretekst ishte shumë qesharak pasi elementët komunistë në Shqipëri mund të numëroheshin me gishta. Kjo goditje e rëndë ndaj pavarësisë kombëtare u krye nën hundën e Lidhjes së Kombeve dhe të Britanisë së Madhe që mbajti qëndrim indiferent; madje e aprovoi me pretendimin se është në interes të rendit dhe paqes në Ballkan.
Qeveria e Beogradit, që më shumë se çdo fqinj tjetër kishte ndihmuar në vendosjen e regjimit të Zogut, politikisht u mashtrua për përmbushjen e ëndrrës së saj për kthimin e vendit tonë në një lloj province jugosllave. Në vend të vasalit të tij, Zogu, për shkak edhe të urrejtjes nga populli dhe sidomos nga rinia intelektuale e vendit, u detyrua nga lëvizja e parë kombëtare kundër tij që të kërkonte vendosjen e tij nën mbrojtjen e Musolinit, të cilin Zogu e shihte si një padron më premtues dhe me të sigurt se padroni i vjetër Pashiç.
Kështu Shqipëria u bë një trampoline e Italisë fashiste në Ballkan. Në saj të ndihmesës efikase të Romës, Zogu sundoi vendin dhe shtypi kryengritjet e vazhdueshme gjatë 15 viteve të mbretërimit të tij. Patriotët shqiptarë nuk kishin asnjë dyshim në qëllimet imperialiste të Italisë fashiste që mbajti në këmbë regjimin e Zogut kundër vullnetit kombëtar. Kjo është arsyeja përse pushtimi i Shqipërisë së vogël nga "aleati ynë" më 7 prill 1939 nuk ishte diçka e papritur. E kishim pritur këtë fatkeqësi për shumë kohë dhe kishim bërë gjithçka ishte e mundur për ta parandaluar si përmes propagandës për jashtë vendit, ashtu edhe nëpërmjet rebelimeve brenda vendit.
Pushtimi italian
Megjithëse goditja e befasishme e 7 prillit ishte shumë e fuqishme, kjo nuk i ligështoi patriotët shqiptarë. Ata gjithmonë mbanin të pashuar shpresën për të ardhmen e vendit të tyre, veçanërisht në ditët e errëta të viteve '40. Që prej fillimit të pushtimit italian, patriotët filluan të krijonin grupet e bashkimit kombëtar përballë terrorit të pushtimit fashist. Një organizate e fshehtë kombëtare ishte formuar pothuajse plotësisht deri në vjeshtë të vitit 1939.
Qindra prej shokëve tanë ishin arrestuar, burgosur apo syrgjynosur në mërgim, sidomos në vitin 1940, gjatë luftës italo- greke. Grupet tona kombëtare ishin tashmë të gatshme për të goditur më së shumti forcat italiane në prapavijë ndërsa tërhiqeshin përballë ushtrisë greke. Fatkeqësisht, qeveritë e Athinës e hodhën poshtë propozimin tonë për njohjen e pavarësisë dhe kufijve shqiptarë të vitit 1913. I njëjti propozim i është bërë nga ana jonë ministrit të Britanisë së Madhe në Beograd, por pa rezultat. Deklarimi i pavend i gjeneralit Metaksa se Korça dhe Gjirokastra do të konsideroheshin tërësisht si qytete të Greqisë shkaktoi zhgënjim të hidhur dhe zemërim të papërmbajtur në gjirin e patriotëve shqiptarë; ne ishim të përgatitur t'i konsideronim grekët si viktima të një padrejtësie të përbashkët dhe ishim gati te hidheshim ne lufte kundër armikut tonë të përbashkët.
Pavarësisht ambicieve imperialiste të fqinjëve tanë dhe pavarësisht masave të egra të milicisë italiane, organizata kombëtare bëri gjithçka ishte në dorë të saj për të sabotuar fashizmin që, me anë të forcës apo intrigave, synonte t'i kthente shqiptarët në trupa mercenare brenda ushtrisë italiane dhe t'i përdorte në luftën kundër Greqisë. Kjo është arsyeja përse më shumë se 5000 shqiptarë u internuan gjatë kësaj kohe në Itali, pa përmendur këtu çarmatimin e forcave shqiptare dhe dërgimin e tyre në kampet e përqendrimit në Shijak. Një qëndrim i ngjashëm u mbajt nga patriotët shqiptarë kur forcat e boshtit (aksit) pushtuan Jugosllavinë, pavarësisht aspiratave tona të drejta kombëtare për Kosovën, ku jetojnë afro një milionë shqiptarë. Me këtë ne u dëshmuam fqinjëve tanë, pavarësisht përplasjeve me ta dhe padrejtësive të panumërta qe kishin kryer në kurrizin tonë, një dinjitet kombëtar po aq sa "vetëdija ballkanase" që në vetvete nuk na lejonte të bëheshim vegël e fashizmit, qe synonte të sundonte gadishullin e Ballkanit.
Që prej fillimit të pushtimit nga Italia fashiste, qëllimi kryesor i organizatës sonë ishte përfshirja e të gjithë lëvizjes kombëtare antifashiste në një front të vetëm luftarak. Fatkeqësisht, programi ynë, që i përgjigjej interesit dhe aspiratave të vërteta të popullit shqiptar, u përball me kundërshtimin e grupeve me prirje marksiste. Këta të fundit, jo vetëm që i lejuan vetes të ruanin një identitet politik individual, por u vetëdeklaruan hapur kundër të gjitha veprimeve kundër imperializmit fashist. Ata këmbëngulën që të konsideronin si tërësisht të pavlefshme të gjithë sakrificën kombëtare për këtë qëllim. Ata deklaruan qartë se asnjëherë nuk do të ishin dakord të shkatërronin popullin për atë që ata e quajtën "vetëm për interesin e Britanisë imperialiste".
Po këto grupime marksiste, që nga viti 1939 deri në vitin 1940 mbajtën një qëndrim të heshtur dhe paqësor në një kohë kur nacionalistët dergjeshin nga njëri burg në tjetrin dhe kur vendi prej dy vjetësh rënkonte nën zgjedhën fashiste, krejtësisht papritur në fund të verës së vitit 1941 u bënë pjesëmarrës të flaktë në luftë. Tani ata na propozuan që menjëherë t'i bashkoheshim një rezistence kundër forcave të boshtit dhe jepnim ndihmesën tonë në atë që tashmë ata e quanin "kauza e drejtë e Aleatëve dhe jo më "interes i vetëm i perandorisë britanike". Kjo kthesë e menjëhershme ishte aq e papritur dhe radikale që na krijoi bindjen e palëkundur se shtysa e vetme për këtë metamorfozë ishte hyrja e Rusisë Sovjetike në luftë.
Materiali është marrë nga arkivat britanike. Në to gjenden dokumente që oficerët anglezë morën me vete pas largimit nga Shqipërinë me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Në numrin e ardhshëm do të lexoni
Si u ndanë grupet e ndryshme politike në Shqipëri gjatë viteve të para të Luftës së Dytë Botërore
Ndikimet ruse dhe jugosllave në udhëheqjen politike në vend dhe në rezistencën kundër pushtuesve italianë
Hapat e parë në krijimin e grupeve luftarake dhe mbërritja e misioneve të huaja për të ndihmuar vendin
Për mës shumë na ndiqni në numrin pasardhës
10 Nentor 2009