Zgjedhjet dhe rreziqet për shtetin e mbikëqyrur
Nga Gjon KEKA
Çdo “politikani” të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës i duhet bërë e qartë arsyeja e angazhimit të tij politik për ruajtjen e demokracisë dhe parimeve të saj brenda vetë vullnetit të popullit të tij si dhe ruajtja e parimeve të shtetit juridik. Duke u nisur nga përvoja historike e shteteve, duhet bërë me dije se sot, shteti i mbikëqyrur i Kosovës, i cili pretendon të jetë një shtet juridik dhe me synime te integrimit në familjen evropiane, nuk mund të mendohet pa demokracinë dhe zhvillimet e tjera brenda qenies së tij si shtet i mbikëqyrur. Siç nënvizohet shpesh në studimet politike, kompleksiteti i shoqërisë së një shteti demokratik kërkon një kontroll të rreptë si dhe një disiplinë të madhe publike, sepse në të kundërt, do të mund të shfaqeshin rreziqe të paraqitjes së një sundimi të pakontrolluar dhe ushtrim diktatorial i qeverisjes në shtetin e mbikëqyrur të Kosovës. Edhe pse kjo formë e sundimit të pakontrolluar nuk është e thënë të shprehet në formën e një diktatori të vetëm, ajo mund të shfaqet në formën e sundimit të një partie politike në mënyrë të pakontrolluar pastaj tё emocionalizuar dhe të manipuluar në tërësi. Normalisht, kjo formë e re e diktaturës demokratike paraqet një rrezik edhe më të madh të demokracisë dhe shtetit të mbikëqyrur të Kosovës në përgjithësi. Një shtet modern demokratik është e pamundur të ekzistojë pa demokracinë dhe kushtetutën juridike të tij. Duhet ditur se shteti juridik dhe demokracia janë të pandashëm nga njëri- tjetri. Rreziku nuk shfaqet vetëm nga diktatorët modern, por e rrezikshme dhe e dëmshme është edhe tirania e një partie apo lideri, e bazuar në pasion dhe në mungesën e arsyes tij, e cila rrëshqet në akullin e hollë duke vënë në dilemë ardhmërinë e demokracisë dhe të kombit të tij. Mjet më i rëndësishëm për parandalimin e këtij fenomeni në vendet me demokraci foshnjore, siç është Kosova, duhet të kërkohet në sigurimin institucional të demokracisë përfaqësuese, ku pushtetet e ndryshme kontrollohen në mënyrë të ndërsjellë, dhe rendi efikas juridik i kundërvihet mungesës së arsyes dhe pasioneve. Me rëndësi është pranimi i vullnetit të shumicës së popullsisë, me qëllim që të zgjedhurit të mos largohen nga zgjedhësit e tyre, pra nga populli dhe vullneti i tij. Një pjesëmarrje e popullsisë, e dozuar me kujdes, me qëllim shmangien e demokracisë së spektatorëve dhe shpërthimin e pakontrolluar të pakënaqësisë si dhe forcimin e vetëdijes për tërë këtë, mund të jetë rruga drejt zhvillimit të mëtejshëm të demokracisë dhe përshtatjes së saj ndaj sfidave të kohës që ka përball shteti i mbikëqyrur i Kosovës. Sepse, tanimë, është e ditur se vullneti i popullit të Kosovës mund të paraqitet vetëm te partitë politike, si njësi politike veprimi. Gjithashtu, në demokracinë moderne, procesin politik të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës mund ta nxisin dhe ta çojnë përpara edhe pakicat etnike që janë në Kosovë. Duke iu bashkuar procesit të ndërtimit të demokracisë së mirëfilltë dhe shtetit të mbikëqyrur të Kosovës, pakicat etnike bëhen pjesë aktive e demokracisë dhe veprimeve politike që ndodhin brenda sistemit politik dhe atij shtetëror, në procesin e saj të demokratizmit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit, si nga brenda shoqërisë, ashtu edhe procesit të integrimit në familjen europiane. Sidoqë të jetë, ajo që theksohet më së shumti sot është në këtë proces politik e zgjedhor, është mbizotërimi i mosbesimit të popullit dhe apatisë ndaj partive dhe “politikanëve” të Kosovës. Ky fakt e gjen shpjegimin e tij në pasivitetin e institucioneve, në moszhvillimin ekonomik, në premtimet boshe dhe marramendëse, të cilat nuk realizohen kurrë; pastaj, në ndërlikimet e tjera gjithnjë e më të mëdha tё shoqërisë që po merret më shumë ngjyra partiake dhe po ia nënshtron vullnetin e tyre në mënyrë hipnotizuese. Gjithashtu, ka edhe elemente tjera që e çojnë popullin në një zhgënjim të thellë, drejt një mali mosbesimi dhe në një apati ndaj partive politike apo politikës në përgjithësi, e që në fakt, do të ishte një vdekje e politikës si dhe vetë proceseve politike të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. Ndjenja e mos-prekjes nga veprimet politike apo nënshtrimi para tyre shkakton apati politike. Dhe si rrjedhojë e kësaj amullie dhe vullneti të ndrydhur të popullit karshi partive dhe proceseve politike në Kosovë, një situatë e tillë mund të bëjë në të ardhmen që në një pjesë të popullsisë së Kosovës të ndodhin reaksione, të cilat tregohen që nga pakënaqësitë dhe refuzimi, e deri te përdorimi i dhunës. Natyrisht, një zhvillim i tillë do i kushtonte shtrenjtë proceseve politike dhe të shtet-ndërtimit, si dhe do të paraqiste rrezik të madh për konsensusin e domosdoshëm në demokraci dhe në zhvillimet tjera të shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. E gjithë kjo ndodhë ngase “ideali” i fillimit shndërrohet në një zhgënjim apatik dhe mosbesim, pastaj martesa (kontrata) e mëparshme në mes të popullit dhe të zgjedhurve shndërrohet në divorc dhe thyerje të idealit të fillimit, si dhe keqpërdorim të vullnetit dhe besimit të popullit që i është dhënë të zgjedhurve për ta përfaqësuar vullnetin dhe interesin e popullit e jo interesat egoiste dhe mamoniake. Me një fjalë, ky devijim nga ideali dhe kjo thyerje kontrate mes popullit dhe të zgjedhurve, që përfaqësojnë vullnetin dhe interesat e tyre, shkakton devijime edhe të procesit të demokracisë përfaqësuese. Në këtë mënyrë, zhgënjehen pritjet e popullit nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur për të përmbushur dhe realizuar në tërësi vullnetin dhe interesat e tyre; pastaj, në radhët e qytetarëve krijohet përshtypja se ata nuk kanë më ndikim mbi përfaqësuesit e tyre të zgjedhur, e në këtë mënyrë, as në politikë, dhe kjo krijon një impotencë ndaj proceseve politike dhe shtetërore në Kosovës. Dhe, së fundi, pikërisht këta “politikanë”, liderë shtetërorë e qeveritarë të korruptuar, janë ata që kanë thyer kontratën me popullin, nuk u përmbahen rregullave të demokracisë, kushtetutës, ligjeve, por veprojnë vetëm në interesin e tyre, e jo të popullit, krijojnë tek qytetarët e Kosovës ndjenjën e mosbesimit, apatisë, zhgënjimit saqë një pjesë nga populli ka filluar edhe të identifikojë vetë simptomat e udhëheqjes së Kosovës, duke i konsideruar të gjithë politikanët, liderët shtetërorë e qeveritarë si kriminelë, të korruptuar, gënjeshtarë, të pa moral, të pa ndërgjegjshëm. etj. Në këtë mënyrë populli duke pare realitetin dhe thyerjen e kontratës në mënyrë të vazhdueshme nga “politikanët”dhe lidershipi, mund të ndodhë që tani, në zgjedhjet e 15 nëntorit, të mos dalë më në zgjedhje, të mos interesohen më për politikë dhe të mos angazhohen as në forma tё tjera në proceset e shtetit të mbikëqyrur të Kosovës. Kjo nuk do ishte aspak e dobishme, jo vetëm për popullin, por edhe për proceset e demokracisë dhe të ndërtimit të ardhmërisë së Kosovës në përgjithësi. Nëse shteti i mbikëqyrur i Kosovës dëshiron që demokracia të funksionojë kënaqshëm atëherë është e varur nga pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje. Duke ditur se në demokraci, i gjithë pushteti del nga populli dhe se këto zgjedhje mund të jenë një rast i mirë për të ndëshkuar korrupsionin dhe keqpërdorimin e vullnetit të tyre, duke zgjedhur alternativa tjera, edhe pse është e kuptueshme nga ana e qytetarëve se shumica e alternativave ekzistuese janë të mënjanuara, nuk ka shpresë për ndryshime. Por, qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj pjesës së tyre të përgjegjësisë në demokracisë, sepse zgjedhjet që do të mbahen në nëntor janë shenja më tipike e saj dhe në kuadër, ata mund të ndryshojnë duke menduar dhe vepruar ndryshe. Vjen momenti kur funksionon shteti i mbikëqyrur i Kosovës dhe atëherë mund të kuptohet qartë se në demokraci, i gjithë pushteti është i bazuar në ligje, dhe se vetë sovraniteti i popullit i gjen kufijtë në të drejtat themelore të tij. Në këtë aspekt, vijmë deri te elementi thelbësor kur në demokraci, në mënyrë të qartë, nuk do të mund të bëhej fjalë për dallimin ndërmjet shtetit të mbikëqyrur të Kosovës dhe shoqërisë, sepse janë pikërisht këto të dy elemente që ndikojnë në mënyrë vazhdueshme në drejtim të sjelljes sa më afër të idealit të demokracisë, forcimit të shtetit dhe proceseve të integrimit të Kosovës në sistemin e vlerave europiane.
10 Nentor 2009