Gripi i derrit, hapet laboratori për analizat e A/H1N1 pranë ISHP-së
Emanuela Sako
Analizat e personave të dyshuar me gripin e derrit nuk do të kryhen më në Rumani, por në laboratorin e ri në ISHP. Pranë këtij institucioni është ngritur laborator i Virologjisë, ku do të kryhen analiza në një kohë rekord. Tashmë nuk do të ketë më pritje të gjata dy apo tre- javore nga Rumani, por përgjigjet do të dalin Brenda ditës. Në kushte normale, laboratori mund të analizojë 21 mostra në ditë, ndërsa në rastet e emergjencës mund të kryhen 100 analiza. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka marrë pjesë në përurimin e këtij laboratori. “Sot përveç ciklit të viruseve të rëndësishëm që do të ekzaminohen në të ne mbyllim ciklin e ekzaminimit të Shqipëri të virusit pandemik, i njohur si gripi i derrit. Shqipëria radhitet në avangardën e teknologjisë europiane botërore në drejtim të viruseve përkatëse të cilët do të ekzaminohen në kohë reale brenda 24 orëve. Çdo situatë do të jetë në pëllëmbë të dorës”,- deklaroi Vasili.
Laboratori
Laboratori ka dhënë rezultatet e para. Dhjetë të deklaruarit e fundit me virusin A H1N1, janë ekzaminuar në laboratorin e ISHP, i cili është i certifikuar nga organizmat ndërkombëtarë. Laboratori u mundësua nëpërmjet një kredie të Bakës Botërore për qeverinë shqiptare. Deri më tani, mostrat e personave të dyshuar si të prekur me gripin e derrit janë analizuar në Bukuresht. Ndërkohë që në ISHP, kryheshin analiza paraprake, por ato nuk ishin asnjëherë përfundimtare dhe të besueshme. Pasi ekzaminimet kryheshin në ISHP dhe rezultatet e virusit ishin pozitive, ato niseshin menjëherë në Rumani. Procedurat e stërzgjatura bënin që
Pacientët ta kishin kaluar sëmundjen para se të ktheheshin përgjigjet nga Rumania. Ndërsa vështirësia qëndronte më tepër te personeli shëndetësor që është vënë në situata të vështira për trajtimin ose jo të pacientëve, ndërkohë që prisnin kthimin e përgjigjeve.
Vaskina
Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka bërë të ditur se vaksina kundër gripit të derrit vjen në muajin dhjetor. Po në këtë periudhë do të bëhet edhe vaksinimi i popullatës, sipas kategorive të përcaktuara. Ndërkohë që Europa dhe vende të tjera të botës janë përfshirë nga paniku i përhapjes së virusit dhe nga një valë pacientësh që kanë humbur jetën Ministri Vasili është shprehur se në vendin tonë situata është e qetë dhe kjo falë masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë, të zbatuara nga spitalet e vendit. Megjithatë, duket se e vetmja ndërhyrje do të jetë vaksinimi, i cili do ta parandalojë përhapjen e virusit. Personat që do të marrin vaksinën kundër gripit të derrit janë të gjithë ata që bëjnë pjesë në kategoritë emergjente. Në këto kategori bëjnë pjesë gratë shtatzëna, invalidët, personeli shëndetësor që ka kontakt me të sëmurët etj. Këto kategori janë parashikuar të vaksinohen me blerjet e para të vaksinës, ndërsa nëse MSH-ja do të mund të sigurojë më tepër doza, atëherë pjesë e vaksinimit do të jenë edhe kategori të tjera. Aktualisht numri i të prekurve me gripin e derrit është 44 raste. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi zyrtarisht, pak ditë më parë se numri i të prekurve me gripin e derrave në Shqipëri është shtuar me 9 raste të reja. Analizat janë kryer gjatë kësaj jave në ISHP, ku kanë dalë dhe rezultatet përfundimtare, që tregojnë se gripi i derrit ka filluar të veprojë fuqishëm në vend. Pacientët e prekur i përkasin moshave të ndryshme dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë shfaqur shenja të lehta të virusit dhe janë trajtuar në QSUT.
Drejtori Ndoja, shkresë MSH-së dhe Ujësjellësit për ujin e pijshëm
Shirat e rrëmbushëm të ditëve të fundit rrezikojnë ndotjen e ujit në disa zona të kryeqytetit. Për të shmangur krijimin e një situate alarmante, Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik të Tiranës, Gjergj Ndoja, sqaroi se i ka nisur një shkresë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së Ujësjellësit për të mbajtur situatën nën kontroll në mënyrë që të mos ketë vend për përhapjen e ndonjë epidemie nga uji i pijshëm. Ndoja shprehet se kërkon nga këto institucione që të mbajnë situatën nën kontroll të plotë dhe të ndërhyhet atje ku do të kërkohet, njëkohësisht MSH-ja të mbajë sasitë e klorit që do të duhen për shmangien e situatave alarmante. Shirat janë të rrezikshëm për ndotjen e ujit të pijshëm për shkak të amortizimeve në rrjet. Specialistët e Ujësjellësit shpjegojnë se kjo ndodh për shkak të rrjetit të amortizuar. Sipas tyre, uji i shiut bashkohet në tubacione me ujin e pijshëm, çka bën që të ketë edhe ndotje bakteriale. Të njëjtët specialistë shpjegojnë edhe më tej duke thënë se e njëjta situatë e rrezikshme shfaqet edhe pas shiut ku tubat shfryjnë dhe uji që ndodhet në tokë kalon nëpër tuba. Kjo ndodh në rastet kur tubacionet nuk kanë furnizim me ujë, duke pasur parasysh oraret e vendosura për furnizimin me ujë të çdo zone të kryeqytetit. Uji i pijshëm rezulton problematik në disa zona të Tiranës. Drejtori Ndoja, pak kohë më parë bëri të ditur se uji i pijshëm rezulton problematik në pesë pika të ndryshme të rrjetit shpërndarës. Nga evidentimet e bëra, kjo ndodh për shkaqe të ndryshme që kanë lidhje me amortizimin e rrjetit dhe si pasojë e ndërhyrjeve të subjekteve apo qytetarëve në rrjetin shpërndarës. Nga inspektimet e kryera në terren nga specialistët e kësaj Drejtorie ka rezultuar se zonat që janë evidentuar me probleme gjatë ditëve të janë: “Rruga e Kavajës”, “Qyteti i nxënësve”, rruga “Todi Shkurti” dhe zona te kthesa e Kamzës. Qytetarët kanë drejtuar ankesa pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik, ndërsa kjo e fundit vë në dijeni Drejtorinë e Ujësjellësit për të realizuar ndërhyrjet në rrjetin e amortizuar. Kjo situatë rendohet së tepërmi gjatë stinës së dimrit për shkak të shirave. Ndërkohë që ndërhyrjet e paligjshme në rrjet e rëndojnë edhe më tepër situatën, pasi në këto raste rreziku për ndotje është më i lartë. Specialistët bëjnë të ditur se duke mos kaluar ujë vazhdimisht në tubacione, atëherë ndodh që në pjesët e çara të tubacioneve të ndodhë shfryja e tubave dhe futja brenda në rrjet e ujit që ndodhej jashtë tubacioneve. Nga kjo, ndodh ndotja bakteriale dhe përhapja në shtëpitë e qytetarëve në momentet kur bëhet furnizimi me ujë. Specialistët shprehen se gjendja e ujit është në nivele më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Gjendja e ujit në 2008 është cilësuar si më e mirë se gjatë 2009-ës. Shkaqet e ndotjes së ujit të pijshëm kanë prejardhje të ndryshme. Megjithëse specialistët janë munduar të reduktojnë problematikën e krijuar, në disa rastet problemet janë të pashmangshme dhe krijohen vazhdimisht. Një ndër arsyet e ndotjes së ujit është amortizimi i rrjetit për shkak të vjetërsisë së tubacioneve dhe është e vështirë kontrolli në çdo kohë 1600 kilometra rrjet. Problem tjetër për ndotjen e ujit është bërë fenomeni i depozitave të vendosura në pallate, të cilat nuk klorinohen dhe pastrohen. Sipas specialistëve, vitet e fundit është shtuar numri i qytetarëve që për të siguruar ujë të pijshëm në çdo kohë vendosin depozita, por nuk i pastrojnë ato. Në mjaft raste, qytetarë të ndryshëm apo biznese kryejnë lidhje të jashtëligjshme të rrjetit kryesor të shpërndarjes së ujit për ta përdorur për arsye personale, ku ndodh dhe ndotja e ujit.
10 Nentor 2009