Problemet me dhëmbët, kur duhet të vendosen implantet dentare
Implantet dentare janë elemente në formën e rrënjës që kompensojnë dhëmbin e humbur dhe shërbejnë si bazë për vendosjen e kurorave të porcelanit, urave të porcelanit dhe protezave me bazë akrilik. Përbërja e implanteve dentare është titaniumi i pastër i shkallës së 5-të, gjithashtu dhe implantet me përbërje TI6AL4V, ku përpos titaniumit kanë edhe alumin dhe vanadiumin në përbërjen e tyre (titanium-6%, aluminium-4%, vanadium). Ishte prof. Per-Ingvar Branemark nga Suedia, i cili zbuloi se titaniumi është materiali më biokompatibil për kockën, për të cilin janë bërë disa vite hulumtime për të vërtetuar biokompatibilitetin e titaniumit. Më 1970 është bërë edhe vendosja e implantit të parë nga Branemark, vit i cili shënon dhe fillimin e historisë moderne të implanteve dentare.
Kompensimi
Sipas mjekëve, ekzistojnë shumë arsye pse është me rëndësi t’i kompensoni dhëmbët që ju mungojnë. Së pari, nëse i keni të gjithë dhëmbët do të keni më shumë vetëbesim; Kur dhëmbët janë të humbur, vendi ku kanë qenë dhëmbët në nofull fillon të tërhiqet dhe me kalimin e kohës mund të humbisni aq shumë kockë të disponueshme për vendosjen e implanteve, sa që do të ju nevojitet intervenim kirurgjik për kompensimin e kockës, me kockë artificiale; Humbja e dhëmbëve ndikon në kualitetin e përtypjes dhe përzgjedhjen e ushqimit. Shumë njerëzve, të cilëve ju mungojnë dhëmbët nuk janë mirë të ushqyer, kjo mund të ndikoj në gjendjen e tyre shëndetësore; Humbja e dhëmbëve ndryshon kafshimin tuaj, ndryshimi i kafshimit tuaj të sjell deri te problemet me nyjën e nofullës tuaj; Humbja e dhëmbëve sjell deri te ndryshimet në të folur dhe gjithashtu ndikon në vetëbesimin tuaj. Mjekët që merren me shëndetin e gojës dhe të dhëmbëve kanë evidentuar se cilët janë kandidatët potencial, për vendosjen e implanteve dentare. Pacientët cilët kanë shëndet të mirë oral dhe të përgjithshëm, të cilët kanë humbur në mënyrë aksidentale një apo më shumë dhëmbë janë kandidat potencial, ndërsa ekzistojnë një numër i caktuar i sëmundjeve dhe gjendjeve tek të cilët është e kundërindikuar vendosja e implanteve, kujdesi i dobët i higjienës orale, konsumimi i tepruar i alkoolit dhe duhanit dhe pacientët me imunitet të kompromituar.
Vendosja
Vendosja e implanteve dentare realizohet në dy faza. Faza e parë është implanti dentar, i cili duket si një vidë apo cilindër që vendoset në kockë, domethënë në vendin ku mungon dhëmbi. Pastaj në kohën prej 2 deri në 6 muajve implantet lihen në kockë që të bëhet lidhja në mes të kockës dhe implantit në nivel qelizor (i ashtuquajtur osteointegrim). E tërë procedura fillestare e vendosjes zgjat nga 30-60 minuta, varësisht prej numrit të implanteve që janë për t’u vendosur. Faza e dytë realizohet pas 2-6 muajve, pasi të jetë bërë lidhja kockë-implant. Kjo fazë është e nevojshme për zbulimin e implantit dhe vendosjen e pjesës, i ashtuquajtur Abutment që lidh punimin protetikor me trupin e implantit. Implantet dentare janë përdorur prej 30 vjetësh për të zëvendësuar dhëmbët që mungojnë. Ato mund të qëndrojnë tërë jetën, varësisht nga sa kujdes i kushtoni shëndetit oral pas vendosjes. Si çdo restaurim tjetër stomatologjik edhe implant-dhëmbi i ardhshëm i juaj mund të dëmtohen nga trauma të ndryshme dhe të afektohen nga sëmundja e mishit të dhëmbëve. Hulumtimet e fundit tregojnë një mesatare të qëndrueshmërisë së implanteve prej së paku 10 vitesh.
Dhëmbët
Të gjitha format e zakonshme të zëvendësimit të dhëmbëve si proteza apo ura mund të zëvendësohen me implante dentare. Në qoftë se ju mungon një dhëmb i thjeshtë, një implant është gjithçka që ju duhet për ta zëvendësuar atë. Hapësirat më të mëdha të krijuara midis dy, tre apo më shumë dhëmbëve të humbur nuk janë të domosdoshme të riparohen me çdo implant për dhëmb të munguar, megjithatë numri ekzakt i implanteve do të varet nga cilësia, volumi i kockës në çdo vend ku do të vendosen implantet. Sipas rastit, është gjithashtu e mundur për të bashkuar dhëmbët natyrale me implantet me një urë të zakonshme fikse. Në nofullën e sipërme, kocka është më e butë se në të poshtmen. Kështu që minimumi i mundshëm i implanteve që mund të vendosen për të zëvendësuar 10-12 dhëmbë është 6.
Në qoftë se nuk keni dhëmbë në nofullën e poshtme dhe nëse ende nuk jeni gati për një zgjidhje totale me impiante, një protezë e poshtme e zakonshme mund të mbështetet mbi dy implante të vendosura në zonën e përparme. E njëjta zgjidhje mund të bëhet dhe për nofullën e sipërme, por këtu duhet një numër më i madh implantesh për shkak se kocka e nofullës së sipërme është më e butë.
Këshilla
Pas heqjes së dhëmbit ose operacionit në gojë, pacienti duhet të:
Mbajë të kafshuar nën presion garzën e vënë midis dhëmbëve për 15 minuta;
Nëse heqja ka qene traumatike dhe ka zgjatur mbi 15 minuta, të marrë një qetësues (Aulinë 100mg ,OKI 80mg 1-2 bustina çdo 8 orë), duke e filluar menjëherë pas operacionit dhe jo kur të filloje dhimbja;
Menjëherë pas operacionit, të vendosë qese me akull mbi një garzë të thatë jashtë gojës mbi zonën e operuar me alternim (20min+20min pushim) për 4 orë pas operacionit;
Ditën e dytë pas operacionit të mos vendosë asnjë lloj komprese;
Nëse enjtja vazhdon, ditën e tretë mund të vendosen kompresa të ngrohta mbi lëkurën e zonës së operuar (jashtë gojës), çdo 20 minuta;
Të marrë ushqime të lëngshme dhe të ftohta për 24 orët e para (supa të vakëta, qumësht, lëngje, ujë ose akullore);
Nëse është operuar në gojë, të vazhdojë këtë dietë për më shumë se një ditë;
Të ruajë higjienën e gojës në nivele sa më të mira, pasi një higjienë e mirë e gojës, bën që edhe plagët të shërohen më shpejt. Larja e dhëmbëve të bëhet normalisht me përjashtim të zonës së operuar;
Të shpëlahet goja me çaj kamomili ose me antiseptikët e përshkruara nga mjeku për disa ditë, duke filluar të nesërmen e operacionit, sidomos pas ushqimit disa herë në ditë për 1 javë.
Të shkojë për kontroll pas 1 javë. Nëse plaga është qepur, fijet hiqen pas ditës së shtatë. Në rast se mendon se ka probleme, të kontaktojë mjekun.
Pas heqjes së dhëmbit ose operacionit në gojë, pacienti duhet të mos:
Pijë duhan për të paktën 12 orët e para pas operacionit;
Pështyjë, thithë plagën, përdorë pije ose ushqime të nxehta;
Flasë shumë për 3-4 orë pas operacionit;
Përtypë garzën e vendosur, por ta mbajë atë nën presionin e dhëmbëve;
Bëjë ushtrime fizike (palestër, lojëra sportive) për 12-24 orë pas operacionit;
Përdorë ushqime të forta 3-4 ditët e para pas operacionit;
Vendosë aspirinë mbi plagë ose të shpëlajë gojën me alkool në rast se ka dhimbje;
Neglizhojë në asnjë mënyrë marrjen e mjekimit të dhënë nga mjeku;
Hezitojë të kontaktojë mjekun në rast nevoje.
Foto 1. Krahasim dhëmbë - implant
Foto 2. Vendi ku mungon dhëmbi
Foto 3: Vendosja e Implantit
Foto 4: Vendosja e Abutmentit
Foto 5: Vendosja e punimit protetikor
10 Nentor 2009