E Diel, 1 Nëntor 2026

Reshjet dëmtojnë qindra banesa, mijëra hektarë tokë pushtohen nga uji



Situatë kritike në disa rrethe të vendit si pasojë e reshjeve të rëna gjatë 36 orëve të fundit. Me qindra hektarë tokë bujqësore janë përmbytur, ndërsa shumë akse rrugore në veri dhe jug të vendit janë bllokuar përkohësisht ose janë dëmtuar. Burimet zyrtare në strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Transporteve në rrethe kanë pranuar dje gjendjen kritike të krijuar nga përmbytjet në Durrës, Shkodër, Lezhë, Gjirokastër etj. Por, Ministria e Bujqësisë mohoi dje se janë dëmtuar të mbjellat bujqësore. Mijëra ha tokë janë nën ujë në rrethe të ndryshme të vendit dhe disa qindra shtëpi janë dëmtuar, ndërsa mijëra banorë në fshatra të largëta të vendit janë izoluar si pasojë e rrëshqitjeve në rrugë.
Mbrëmjen e së dielës ka pasur shembje të masivit në rrugën Shkodër-Dukagjin, duke izoluar gjithë fshatrat e kësaj komune. Baltë dhe gurë kanë rënë në afërsi të fshatit Lotaj, në kilometrin 55 të rrugës dhe pastrimi po bëhet me lopata, pasi mungojnë makineritë.
Drejtori i Rrugëve Rurale për Shkodrën thonë se "situata është problematike për faktin se nuk ka makineri në dispozicion të kësaj ndërmarrjeje dhe pastrimi bëhet me lopata, çka dhe vonon hapjen e aksit. Mijëra banorë të këtyre fshatrave gjenden të izoluar dhe pa asnjë mundësi komunikimi me Malësinë e Madhe dhe Shkodrën. Drejtoria e Rrugëve bën me dije se aksi Shkodër-Dukagjin mund të bëhet i kalueshëm vetëm gjatë ditës së sotme.
Në shumë zona të Lezhës dhe të Mamurrasit banorët ankohen se janë gdhirë nën ujë dhe reshjet i kanë shkatërruar gjithë orenditë shtëpiake. Problematike raportohet situata edhe në zonën e Laçit, ku rreth 30 shtëpi janë përmbytur nga shirat. Shkak dyshohet se është bërë bllokimi i kanaleve kulluese. Dëme të shumta janë shënuar edhe në Barbullonjë të Lezhës, ku dhjetëra banesa ndodhen pjesërisht nën ujë. Sipas burimeve nga zona mësohet se shkaku kryesor ka qenë mosfunksionimi i hidrovoreve dhe për pasojë janë përmbytur edhe shumë sipërfaqe toke. Niveli i ujërave në tokë fushore është rritur me 50 deri në 60 cm. Banorët kërkojnë ndihmë, duke deklaruar se pajisjet elektroshtëpiake u janë dëmtuar krejtësisht. Tjetër problem në këtë zonë është edhe mungesa e energjisë elektrike.
Situatë problematike është edhe në Durrës, ku qindra shtëpi private u përmbyten nga reshjet, kryesisht në periferi, si në zonën e ish-Kënetës, Porto Romanos, Spitallës, Shkozetit etj. Janë përmbytur edhe disa lokale në katet e para, në qendër të qytetit. Situata është rënduar nga ndërprerja e energjia elektrike që furnizon hidrovorin më të madh të qytetit, në Porto Romano. Për pasojë, uji i kanaleve kulluese ka hyrë në banesat e qytetarëve në lagjet e sipërpërmendura. Situata është mjaft e rëndë, gjithë mobiliet dhe pajisjet shtëpiake të afro 300 familjeve janë dëmtuar plotësisht. Ata thonë se e kanë gdhirë natën për shkak të ujit që vërshoi në banesat e tyre. "Fëmijët i kishin të rrezikuar dhe i kemi vënë mbi dollapë", - thotë një prej banorëve.
Edhe në qarkun më jugor të vendit ka pasur probleme. Reshjet e shiut kanë shkaktuar rrëshqitjen e dherave dhe gurëve në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër. Rrëshqitja ka ndodhur në zonën e quajtur Shkallë e Zezë, duke bllokuar njërën korsi të autostradës. Punonjësit e Ndërmarrjes së Mirëmbajtjes së Rrugëve kanë filluar punën për zhbllokimin e autostradës, por për momentin rruga është e bllokuar dhe kalohet vetëm në një korsi.
Alarmi
Sipas të dhënave zyrtare është kërkuar nga Operatori i Shpërndarjes që energjia të mos ndërpritet për të vijuar puna në hidrovore. Për shkak të ndërhyrjeve në lumin Drin, për pastrimin e kolektorëve, sipërfaqet e përmbytjeve janë të vogla. Por, pavarësisht deklaratave zyrtare të institucioneve shtetërore, situata në terren rezulton ndryshe.
Prej 3 ditësh Shqipëria është përfshirë nga reshje masive, të cilat kanë shkaktuar probleme të mëdha. Po ashtu, nuk kanë munguar as viktimat. Tri ditë më parë 2 persona gjetën vdekjen në Gramsh si pasojë e fryrjes së ujërave të Shkumbinit. Ndërsa në Pukë humbi jetën një person dhe u shkrumbua një banesë gjatë kontaktit të linjës së tensionit të lartë me tensionin e ulët.

Ministri Basha: 40 banesa dhe 80 ha tokë u përmbytën në Lezhë

LEZHË - Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, inspektoi një pjesë të zonave të përmbytura në Prefekturën e Lezhës, ku ka deklaruar se janë përmbytur rreth 40 banesa dhe mbi 80 hektarë tokë bujqësore. Ai është shprehur se situata nuk është shqetësuese, por ka kërkuar nga strukturat shtetërore që të vlerësojnë situatën dhe të merren masa që të mos ndodhin më përmbytje të tilla. Gjatë inspektimit Basha shoqërohej nga prefektit Pal Dajçi, shefi i Emergjencës Civile, Alfred Olli, kryetari i Bashkisë së Laçit, Luigj Isufi dhe drejtori i Ndërmarrjes së Kanalizimeve, Luigj Franga. Fillimisht Basha u ndal në kryqëzimin e rrugës së Patokut për të parë situatën e krijuar në këtë zonë pas reshjeve të ditëve të fundit, ku qindra hektarë tokë vazhdojnë të jenë të përmbytura. Kryebashkiaku i Laçit, Luigj Isufi, u shpreh se është ndërhyrë në kanalet kryesore para reshjeve, gjë e cila është kundërshtuar nga banorët e Laçit. Pal Çoku, një nga banorët e Laçit u shpreh “kryebashkiaku Isufi nuk tregon realitetin, pasi ndërhyrja në kanale është bërë pas përmbytjes. “Unë familjarisht, së bashku me dy vëllezërit e mi, kemi lënë shtëpitë e banimit në fshat për shkak të përmbytjeve dhe kemi marrë shtëpi me qira”. Një situatë e tillë ka shkaktuar edhe reagimin e ministrit Basha, i cili kërkoi ndërhyrjen urgjente të strukturave lokale për të larguar ujërat në zonat e përmbytura si dhe vlerësimin e situatës në mënyrë që të investohet për të mos ndodhur më përmbytje në këtë zonë. Ministri i Brendshme inspektoi edhe zonën në kryqëzimin e Sanxhakut, ku janë për të përmbytura disa qindra hektarë tokë. Basha shkoi edhe në Shëngjin, ku disa ekipe po punonin për hapjen e një kanali për shkarkimin e ujërave. Sipas deklaratës zyrtare të ministrit të Brendshëm, në qarkun e Lezhës janë përmbytur 80 hektarë tokë buke dhe 40 shtëpi. Zoti Basha deklaroi se “situata nuk është emergjente, por duhet që të merren masa për të shmangur dëmtimet që mund të sjellë zhvendosja e ujit apo shtimi i reshjeve në ditët në vijim. Zoti Basha ka inspektuar edhe hidrovorin që ndodhet në ishullin e Shëngjinit. Ai konstatoi se vetëm dy prej pompave janë në funksion pune. Gjatë udhëtimit inspektues, zoti Basha nuk pa situatën konkrete në fshatin Spiten të rrethit të Lezhës, ku me qindra hektarë tokë ndodhen nën ujë. Po ashtu jashtë vëmendjes së ministrit ishin edhe fshatrat Barbullojë e Balldre, të cilat janë prekur nga përmbytjet. Në zonën e Kurbinit, më problematike janë fshatrat e Sanxhakut, Fushëkuqes, Adriatikut dhe Mamurrasit, ku largimi i ujërave është shumë i vështirë, për shkak të bllokimit të rrjetit të kanalizimeve.

Box 1
PS: Qeveria të kompensojë të përmbyturit

TIRANË - Partia Socialiste i kërkon qeverisë të mbështesë financiarisht të gjitha familjet dhe bizneset e dëmtuara për shkak të përmbytjeve, që sipas saj, vijnë si papërgjegjshmëri në drejtimin e vendit. Deputeti Ilir Beqja deklaroi dje se me gjithë situatën shumë kritike nuk ka ende asnjë lloj reagimi nga qeveria e Sali Berishës, aq më pak nuk është marrë ndonjë masë për të ndihmuar banorët e prekur nga përmbytjet. Sipas tij, janë me qindra hektarë tokë bujqësore e kullota në Lezhë, Shkodër, Kurbin, Peqin të mbuluara nga uji, duke shkatërruar krejtësisht punën e mundin e fermerëve të këtyre zonave. Janë me dhjetëra biznese që kanë pësuar dëme të mëdha dhe qindra banorë që sot s'guxojnë të kalojnë natën në shtëpitë e tyre nga frika e përmbytjeve. Janë me dhjetëra shtëpitë që janë përmbytur duke shkaktuar dëme të pallogaritshme materiale për banorët e këtyre zonave.
"Faji për këtë gjendje nuk është i motit, por i kësaj qeverie të paaftë e cila ndër vite ka neglizhuar të marrë masa për të përballuar situata të tilla. Është e pafalshme që në një kohë kur qeveria flet për investime të mëdha e për zhvillimin e bujqësisë, për të katërtin vit radhazi ajo dështon të marrë qoftë edhe masat më minimale për të parandaluar këtë gjendje që sot nuk mund të quhet më e paparashikueshme", - tha ai.

Box 2
Parashikimi i motit, shi edhe gjatë ditës së sotme

I gjithë territori shqiptar do të përfshihet nga mot me vranësira e reshje shiu, si dhe ulje temperaturash gjatë ditës së sotme. Deri në mesditë i gjithë territori do të dominohet nga mot me vranësira dhe shira. Sipas Meteoalb, “shira më të konsiderueshëm do të bien në zonat malore verilindore - juglindore. Pjesa e dytë e ditës do të dobësoje vranësirat dhe shirat në bregdet dhe zonën e ulët, ndërsa zonat malore do të mbeten me vranësira dhe shira të konsiderueshëm. Mbrëmja dhe nata përmirëson kushtet atmosferike në pjesën më të madhe të vendit duke lënë vranësira dhe shira të dobët vetëm në zonat malore.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë si në vlerat e mëngjesit dhe në ato të mesditës. Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det me shpejtësi 50 km/h dhe drejtim jugperëndimor, kjo do të bëjë që në det të ketë dallgë deri 7 ballë.

10 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›