Greva për “Bolonjën”, studentët kërkojnë shkarkimin e rektorit
Jonida Tashi
Merr një tjetër drejtim greva e studentëve të diplomuar për Ekonomi dhe Agrobiznes pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ndërsa 15 studentë vazhdojnë të qëndrojnë të “ngujuar” prej gjashtë ditësh në ambientet e këtij universiteti, pjesa tjetër e tyre që është jashtë kanë firmosur dje një peticion për shkarkimin e rektorit të Bujqësorit, Fatos Harizaj. Në të njëjtin qëndrim me studentët ka dalë dje edhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve (ZMK).
Presioni
Drejtuesit e ZMK-së vendosën të dilnin dje publikisht në mbrojtje të çështjes dhe kërkesave të studentëve të Universitetit Bujqësor. Drejtuesit e saj bënë me dije se së bashku me përfaqësues të studentëve të këtij universiteti, do t’i paraqesin rektoratit detyrimet ligjore, që ka për plotësimin e kërkesave të ligjshme të studentëve. Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve është e autorizuar për mbrojtje ligjore nga studentët e grevës së urisë pranë këtij universiteti. ZMK-ja deklaron se në rast të mosplotësimit të kërkesave të ligjshme të studentëve nga ana e rektorit, ajo do t’i paraqesë ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj kërkesën për shkarkimin e rektorit, pasi ka shkelur ligjin dhe dëmtuar në mënyrë të qëllimshme studentët. Lidhur me një fakt të tillë, zyra e ZMK-së sqaron se kërkesa për shkarkimin e rektorit të Bujqësorit, mbështetet në bazë të Ligjit 9741 të datës 21.5.2007, “Për Arsimin e Lartë”, i ndryshuar me Ligjin 9832 të datës 12.11.2007, neni 64”.
Gjendja
Megjithë gjendjen e rënduar shëndetësore dhe vajtje-ardhjet në spital, studentët janë të vendosur për ta çuar deri në fund grevën e nisur. Ditën e djeshme, një nga studentët grevistë të Universitetit Bujqësor është dërguar në gjendje të rëndë në spital, për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij në ditën e gjashtë të protestës. Ndërkohë tetë studentë të tjerë, pasi morën ndihmë mjekësore në spital iu rikthyen sërish grevës së urisë. Duke marrë shkas nga gjendja jo e mirë shëndetësore e studentëve, mjekët kërkuan që të rinjtë të heqin dorë nga kjo formë proteste. Por studentët duken të palëkundur në qëndrimin e tyre dhe vijojnë protestën kundër vendimit të rektoratit, i cili e kushtëzon vazhdimin e Diplomës së Nivelit të Dytë me notën mesataren. Po ndërsa studentët grevistë kanë vijuar dje ditën e gjashtë të grevës, mbështetësit e tyre nga jashtë kanë zhvilluar një protestë para Kryeministrisë, për zgjidhjen e problemit të tyre. Gjithsesi, megjithë zhvillimet që ka pasur protesta e djeshme e studentëve, asnjë reagim nuk është bërë as nga vetë rektori i Universitetit Bujqësor e as nga Ministria e Arsimit.
Ligji i Arsimit të Lartë, çfarë parashikohet për shkarkimin e rektorit
Neni 64
Kontrolli i ligjshmërisë
1. Ministria e Arsimit dhe Shkencës kryen periodikisht, të paktën një herë në tre vjet, kontrollin e zbatimit të ligjshmërisë në institucionet publike ose private të arsimit të lartë dhe të paktën një herë në vit kontroll financiar në institucionet publike të arsimit të lartë.
2. (shfuqizuar me Vendimin nr.9, date 19.3.2008 të Gjykatës Kushtetuese).
3. Në raste flagrante ose shkelje të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore nga rektori i një institucioni të arsimit të lartë, ministri i Arsimit dhe Shkencës urdhëron pezullimin e tij, duke ia dërguar atë për procedura të mëtejshme Presidentit të Republikës, i cili duhet të përgjigjet brenda një muaji. Ministri i Arsimit dhe Shkencës cakton njërin prej zëvendësrektorëve që do të zëvendësojë rektorin e pezulluar, deri në zgjedhjen e rektorit të ri, sipas këtij ligji. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, menjëherë pas dekretimit të shkarkimit, shpall zgjedhje të parakohshme.
4. Në raste flagrante ose shkelje të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore nga një autoritet drejtues i një njësie kryesore, rektori urdhëron pezullimin e atij autoriteti dhe i propozon ministrit të Arsimit dhe Shkencës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Rektori cakton njërin prej zëvendësve të autoritetit që do ta zëvendësojë autoritetin drejtues të pezulluar deri në zgjedhjen e autoritetit të ri, sipas këtij ligji. Rektori organizon zgjedhjet e parakohshme.
5. Në raste të ngjashme, dekani/drejtori urdhëron pezullimin e përgjegjësit të një njësie bazë dhe i propozon rektorit shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Dekani/drejtori cakton njërin prej përgjegjësve të grupeve kërkimore ose shkencore që do ta zëvendësojë autoritetin drejtues të pezulluar deri në zgjedhjen e autoritetit të ri, sipas këtij ligji. Dekani/drejtori organizon zgjedhjet e parakohshme.
6. Në rastet kur Ministria e Arsimit dhe Shkencës konstaton raste flagrante ose shkelje të rënda të ligjit dhe akteve nënligjore nga një autoritet drejtues i një njësie kryesore ose bazë të një institucioni të arsimit të lartë, ministri i përcjell materialin organit të emërtesës për veprime të mëtejshme, sipas këtij ligji.
7. Ministri i Brendshëm ka të njëjtin autoritet mbi institucionet e arsimit të lartë që ka në varësi.
Projekti
Largësia nga shkollat, Ministria e Arsimit do të vendosë autobusë për zonat e thella
Largësia nga shkolla, vendi ku fëmijët duhet të marrin dijet është kthyer në një kalvar të vërtetë vuajtjesh për nxënësit që duhet të bëjnë orë të tëra rrugë për të mësuar. Kjo situatë sa e vazhdueshme aq edhe e vjetër njëkohësisht ka bërë që Ministria e Arsimit të mendojë për zgjidhjen e saj në mënyrë sa më të shpejt. Duke marrë shkas nga kjo situatë si dhe nga ankesat e shpeshta të prindërve në disa zona të vendit, Ministria e Arsimit ka vendosur të zbatojë një projekt për transportin e fëmijëve në zona të thella, me autobusë të veçantë, për të çuar fëmijët nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas. Autobusi do të marrë fëmijët nga shtëpia dhe do të bëjë transportin e tyre për në shkollën më të afërt. Sipas burimeve nga Ministria e Arsimit, ky projekt është ende në faza diskutimi, por shumë shpejt do të përcaktohen kostot dhe kërkesat për ta vënë në zbatim. Mungesa e mësuesve, pamundësia e ndërtimit të shkollave apo mosrealizimi i rikonstruksionit për godinat aktuale janë problemet kryesore, të cilat po e bëjnë çdo ditë edhe më të vështirë arsimimin e fëmijëve shqiptarë. Edhe më problematike paraqitet kjo situata sidomos në zonat e thella, në fshatrat e largët, ku nxënësit janë të detyruar të kalojnë pengesa, madje të vendosin në rrezik edhe shëndetin e tyre për të ndjekur mësimin në shkollat e fshatit ngjitur. Shpeshherë në kohë dimri, kur dëbora e bën të pamundur lëvizjen e lirë të nxënësve të vegjël, edhe kalimi i pengesave bëhet tejmase i vështirë, duke i lënë ata pa mësim.
10 Nentor 2009