E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dypunësimi, Dhori Kule bën publike emrat e 948 pedagogëve të UT-së

Rektori i bën apel universiteteve private, të mos i “vjedhin” pedagogët. Botohet lista e plotë e stafit akademik sipas gradave, për Universitetin e Tiranës

Jonida Tashi

Pas vendimit të marrë për ndalimin e dypunësimit të pedagogëve në shtet dhe privat, Universiteti i Tiranës publikon listën e stafit të tij pedagogjik sipas gradave. Bëhet fjalë për emrat e 948 pedagogëve që japin mësim në tetë fakultetet e këtij universiteti, të cilët, përkatësisht të ndarë sipas gradave janë: “Profesor Doktor” 181, “Profesor i Asociuar” 131, “Docent” 12, “Doktor” 188, “Master” 436. Nëpërmjet publikimit të emrave të stafit të tij akademik, rektori i universitetit më të madh në vend për nga numri i studentëve që është ai i Tiranës, kërkon t’i bëj apel të gjithë universiteteve private që të mos i “vjedhin” pedagogët. Sakaq, duke nxjerrë emrat e pedagogëve që japin mësim në Universitetin e Tiranës, drejtuesi i këtij të fundit, Dhori Kule vendos t’i bëj ata të njohur publikisht, në mënyrë që të evitohen lëvizjet e tyre të “fshehta” shtet-privat. Nga ana tjetër, në këtë mënyrë, Universiteti i Tiranës i tregon qartazi opinionit publik dhe institucioneve të arsimit të lartë privat se stafi i tij akademik është me tituj dhe për këtë arsye ai është “lakmuar” prej universiteteve private. Vendimi për ndalimin e dypunësimit të pedagogëve në sektorin publik dhe privat të arsimit të lartë u mor para pak ditësh nga rektori Dhori Kule, pas ankesave të bëra nga studentët dhe dekanët. Kështu, duke marrë në konsideratë ankesat e tyre, Rektorati i Universitetit të Tiranës urdhëroi ndalimin e dypunësimit të pedagogëve të tij, për ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, ku përfshihen Masteri i Nivelit të Parë, Diploma e Nivelit të Dytë, Masteri i Nivelit të Dytë dhe Doktoratura. Sipas kushteve të vendosura nga drejtuesit e Universitetit të Tiranës, nëse pedagogët nuk do ta zbatojnë urdhrin e marrë nga drejtuesit e tij, atyre do t’u ndërpritet kontrata e punës. Vendimi i marrë nga Kule nuk është mirëpritur aspak nga drejtuesit e universiteteve private, të cilët e kanë konsideruar atë si ndëshkim ndaj angazhimit të mësimdhënies së sektorin privat të arsimit të lartë.

10 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›