E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO, PS: “Taçi Oil” dhe vajza e Berishës në privatizim

Paratë e shituara nga ARMO janë përfshirë paraprakisht në buxhetin shtesë të qeverisë. 

Kështu deklaroi ministri i Ekonomisë, Genc Ruli gjatë raportimit në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese për procesin e privatizimit të shoqërisë së prodhimit të naftës. Ministri ka deklaruar se, synojnë që brenda muajit korrik të paraqesin kontratën e shitjes për miratim në Parlament. Deputetët socialistë kanë debatuar me ministrin në lidhje me faktin se, kush e ka blerë në të vërtetë "ARMO"-n, pasi kanë dyshime se blerësi i vërtetë është "Taçi Oil" dhe jo firma amerikane. "Ne nuk kemi ndonjë gjë që një firmë shqiptare ta privatizojë atë, por këtu në media përflitet se kjo kompani shqiptare ka aksionet kryesore në të", pyeti Bufi ministrin. Por Ruli deklaroi se Konsorciumi amerikano-zviceran "Rafenery Associates of Texas, Anika Enterprises and Mercuria Energy Group" është shpallur fitues në tenderin për privatizimin e 85 për qind të aksioneve të ARMO-s dhe se pjesë në të ka edhe "Taçi Oil". "Nuk e di se sa ka, por kjo duhet të pasqyruar nga firmat fituese pranë Autoritetit të Konkurrencës, i cili jep dakordësinë për shitjen e ARMO-s, pasi nuk duhet lejuar monopoli", deklaroi Ruli. Ndërsa një debat mes Rulit dhe Hysës u zhvillua në lidhje me konsultën juridike të kësaj firme.  Socialisti Hysi theksoi se, pas kësaj firme qëndron e bija e kryeministrit, Argita Berisha. "Në informacionet e mia kjo për faktin se, kompania kur ulet përpara nesh ulet edhe me konsulentët dhe juristët e saj që i ka dhe shqiptarë dhe të huaj, nuk më rezulton që të jetë konsulente zyra Malltezi, sikundër u përmend. Ti ke kamerën përpara dhe sa herë që ke një gjë të tillë vepron kështu", iu drejtua Ruli. Por Hysa iu kundërpërgjigj: "Jo, unë pyetjen e bëra pa kamera dhe ti ki burrërinë të thuash të vërtetën". Ruli iu kundërpërgjigj se: "Sa herë që ke kamera përpara e ke zakonin që thua se e bleu grupi mafioz filan apo e bleu grupi mafioz filan". Një çështje tjetër e ngritur është bllokimi i naftës D2 në treg. Opozita theksoi se: "Një vendim i tillë është realizuar për të rritur sasinë e depozitave të naftës për firmën private në momentin e kalimit në pronësi". Një gjë e tillë u hodh poshtë nga ana e ministrit, sipas tij, puna ka shkuar normalisht. "ARMO i respekton të gjitha kontratat e lidhura, si kontratat për D2, kontratat për bitumin, apo kontratat për solarin. Shitjet nuk kanë rënë, por është shtuar prodhimi drejt bitumit. Rezervuarët janë plot me naftë, gjë që nuk lejohet që të rijnë ashtu gjatë gushtit. Pra, nuk asnjë bllokim", theksoi Ruli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›