E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosjet, zbardhen debatet në grupin e PD

Pas gati dy orë debatesh në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit, PD-ja ka vendosur të konsultojë dy variantet e paraqitura së bashku me amendimet e Fatos Hoxhës si dhe të arrijë konsensusin me PS-në. 

ADI SHKEMBI

Gjatë mbledhjes së djeshme, Kryeministri Berisha i ka kërkuar Aldo Bumçit dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, të konsultojnë të gjithë variantet. "Deputetët Bumçi dhe Beja do t'i shqyrtojnë të gjitha variantet dhe të merret edhe konsensusi i PS-së për një projekt. E mira të ketë transparencë, qoftë edhe e pjesshme. Një transparencë e pjesshme është më e mirë se sa pa transparencë", deklaroi Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme.
Debatet
Gjatë diskutimeve pa praninë e mediave, ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, është shprehur se në p/ligjin që do të miratohet duhet të vihet theksi tek ata të rekrutuar që i kanë shërbyer agjenturave të huaja dhe të merret për bazë modeli gjerman, që çdo njeri që do të hapë dosjen e tij të ketë akses dhe nëse ka njerëz të përfshirë në politikë të denoncohen dhe të largohen. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha është shprehur se nuk ka pasur agjenturë të mirëfilltë të huaj në Shqipëri, teksa ka dalë edhe kundër variantit të deputetit Biberaj për sa i përket hapjes së dosjeve të përfaqësuesve të mediave dhe drejtuesve të komuniteteve fetare. Sipas tij, nuk mund të ketë kufizime për personat që merren me aktivitete private. Ndërkohë deputeti Biberaj është shprehur se projektligji i PD-së i vitit 2006 është i vjetruar dhe mbështeti variantin për hapjen e të gjitha dosjeve, por duke u bërë publike vetëm ato për vendimmarrësit. Ndërsa kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, gjatë debatit të djeshëm në grupin demokrat tha se, "ne nuk mund t'i referohemi ligjit polak, i cili është i kritikuar. Duhet të bëjmë një projekt që t'i referohet dënimit të krimeve të komunizmit". Ndërsa deputeti Preç Zogaj ka kërkuar që para se të shkohet tek miratimi i një ligji, një komision i posaçëm parlamentar ose Komisioni i Sigurisë të hartojë një raport, ku meqenëse flitet për dënimin e krimeve të komunizmit, fillimisht të përcaktohet hierarkia e organeve të diktaturës. Gjithashtu, sipas Zogajt, duhet të bëhet publike platforma e Partisë së Punës për Sigurimin e Shtetit dhe sidomos drejt cilave shtresa ishte i orientuar rekrutimi i bashkëpunëtorëve. Sipas Zogajt, "duhet të  përcaktohet sa për qind e dosjeve janë zhdukur, në cilën kohë dhe pse. Gjithashtu, duhet të përcaktohet sa për qind e bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit janë rekrutuar me kërkesën e tyre dhe sa të tjerë janë rekrutuar me detyrim. Si është zbatuar ligji i vitit 1995, sa persona janë verifikuar, sa janë përjashtuar nga komisioni i atëhershëm etj.". Ndërkohë deputeti Bujar Leskaj është shprehur se edhe gazetarët duhet të përfshihen në projektligjin që do të miratohet, teksa ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm ngritjen e një instituti, i cili do të dënojë krimet e periudhës së komunizmit.

Berisha: Tërheqja e PS ishte befasuese

Kryeministri Berisha kritikoi dje në grupin parlamentar të PD-së deklaratën e deputetit socialist, Arben Isaraj, lidhur me antikushtetutshmërinë e tre drafteve të paraqitura për hapjen e dosjeve. Sipas kreut të qeverisë: "Ishte befasues fakti që ata që ishin bërë promotor të rikthimit të këtij ligji në Parlament, dje u tërhoqën dhe bënë një kthesë të plotë. Në një aspekt nuk ka diskutim që PS-ja është trashëgimtare, me ligj dhe frymë, e Partisë së Punës. Por, nga ana tjetër, sot lidershipi i saj nuk është ish-nomenklatura e vjetër", u shpreh kreu i qeverisë. Sipas Berishës: "Dje ata dolën kundër e citonin ligjin dhe m'u duk sikur po i referoheshin Kushtetutës së Enver Hoxhës, duke thënë se është shkelur Kushtetuta në 14 nene. Unë jam dakord se kjo do të ndodhte vetëm po të ishte Kushtetuta e vitit '74. Me këto ligje, Kushtetuta e Shqipërisë nuk është shkelur në asnjë nen, madje as edhe ndonjë kushtetutë e vendeve ish-komuniste". Kryeministri tha para deputetëve demokrat se, hapjen e dosjeve e ka inkurajuar edhe Këshilli i Evropës nëpërmjet miratimit të një rezolute. "Nuk ka asnjë lidhje me pretendimet e tyre se në 13 nene është shkelur Kushtetuta. Kjo Kushtetutë nuk është miratuar një vit më parë, por në vitin 1998. Përfaqësuesit e PS-së që, dy vjet më parë, dorëzuan ligjin, nuk e dorëzuan atë për të shkelur Kushtetutën", theksoi Berisha.

Hoxha i PD: Të zgjedhurit me dosje duhet të lënë mandatin

Deputeti i PD-së, Fatos Hoxha, ka paraqitur dje në komisionin e Ligjeve disa amendamente lidhur me ligjin e vitit 2006 të PD-së. Kështu në nenin 18 të këtij ligji thuhet se, për kandidatët për deputetë, kryetar komune/bashkie ose kryetar i këshillave të qarkut, subjektet elektorale, i kërkojnë komisionit me shkrim, verifikimin e pastërtisë së figurës së kandidatëve përpara depozitimit të dokumentacionit të tyre në komisionet zgjedhore. Verifikimi bëhet brenda 10 ditëve kalendarike nga depozitimi i kërkesës. "Kur sipas një vendimi të formës së prerë, vërtetohet se deputetët, kryetarët e komunave/bashkive dhe kryetarët e këshillave të qarkut, në detyrë përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, kanë figurë të papajtueshme në kuptim të këtij ligji, pushojnë së ushtruari mandatin e tyre. Zgjedhja e funksionarëve zëvendësues për kohen e mbetur të mandatit bëhet në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse në fuqi", theksohet në draft.

Amendamentet

Në subjektet e verifikimit shtohet: i) Kandidatët për deputetë, kryetar bashkie, kryetar komune dhe kryetar i këshillave të qarkut. Subjektet e përcaktuara në fjalinë e parë të kësaj shkronje, i nënshtrohen verifikimit të përgjithshëm, sipas procedurës së caktuar në nenin '18' të këtij ligji.Në papajtueshmërinë e funksionit shtohet:
Punonjësit e sigurimit të shtetit, të periudhës 29 nëntor 1944 deri 11 dhjetor 1990 apo të organeve të punëve të brendshme, të cilët kanë rekrutuar drejtpërdrejt dhe/ose kanë drejtuar bashkëpunëtorët e organeve të sigurimit të shtetit, që përfshihen në kategorinë e shkronjës 'ç' të këtij neni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›