E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria do shesë rërën e Vlorës

Pas centralit atomik, duket se Berisha ka vendosur t'u japë edhe tokë italianëve. 

Nuk bëhet fjalë për kontratë koncesionare, por për dhurim, ose shitje fizike të tokës. "La Stampa", një gazetë e përditshme e madhe në Itali dhe "The Guardian", kanë zbuluar një tjetër kontratë të habitshme mes shtetit shqiptar dhe atij italian. Shqipëria do të japë rërë nga bregu i Vlorës për të mbushur atë të Leçes. Zbulimi, i cili sigurisht lë të habitur gjithkënd, do të zgjidhë një nga çështjet më të debatueshme mes komunave të qyteteve bregdetare të Italisë. Lufta e rërës, e nisur që në vitin 2001 mes Leçes dhe Brindisit, do të zgjidhet me tokë shqiptare. Nuk bëhet fjalë për sasi të vogla, por për rreth 10 mijë kamionë të mëdhenj rëre, që parashikohet të "rrëmbehen" nga bregdeti i Vlorës. E përkthyer, do të thotë rreth 200 mijë metra kub rërë.
Konflikti italian
Sipas gazetës "La Stampa", ekspertët vlerësojnë se lufta e rërës në Itali ka bërë shumë dëme gjatë periudhës shtatëvjeçare që debatohet mbi të. Dhe do të vazhdojë të bëjë edhe më tej nëse nuk gjendet një zgjidhje brenda gjashtë muajve. Plazhi që duhet të shpëtohet është ai i San Cataldos, tetë kilometra nga Leçe në Adriatik. Aty janë ndërtuar vila të mrekullueshme në një vijë prej disa kilometrash. Ndër vite, deti i ka marrë plazhit me dhjetëra metra sipërfaqe rëre. Erozion bregdetar, kështu quhet fenomeni hidrogjeologjik. Shkak i rritjes së nivelit të detit është derdhja e lumenjve që transportojnë materiale gërryese, ndikimi i madh i njerëzve me ndërtime abuzive, shkatërrimi i florës dhe përplasja e dunave të rërës. Rezultati: në vitin 2001, nga plazhi i San Cataldo ka mbetur shumë pak. Një rrip i hollë toke për pak rreshta çadra. Dhe në disa pika nuk ka fare tokë ranore, deti arrin deri në rrugë. Komuna e Leçes ka paraqitur një plan shpëtimi. Bëhet fjalë për një trapiant rëre. Rajoni e financon me 5 milionë euro të marrë nga fondet evropiane. Mbetet vetëm për të vendosur se ku do të merret rëra për San Cataldon. Sipas llogaritjeve, plazhi i Brindisit ka një sasi rëre të disponueshme. Leçe dhe Brindisi ndahen nga 40 km dhe rëra është e përputhshme, që do të thotë edhe sukses i garantuar. Pasi janë bërë llogaritjet, kompania fituese nis punimet. Çdo gjë shkon mirë deri në momentin kur qytetarët e Brindisit marrin vesh lajmin. Ata nuk duan në asnjë mënyrë t'i japin 200 mijë metra kub rërë fqinjëve (10 mijë kamionë të mëdhenj). Shoqatat ambientaliste organizuan disa protesta në plazh. Një kilometër  me njerëz që rrotulloheshin për të mbrojtur rërën, me dhjetë mijë firma të mbledhura, me lidhje direkte në radio dhe pamje televizive të marra nga një avion për ta ruajtur përgjithmonë markën e protestës së madhe. Edhe në qytet u organizuan manifestime dhe kudo u shfaqën parulla protestash. Një prej tyre edhe në stadium: "Rëra nuk preket". Sherri ka përfshirë edhe dy përfaqësuesit e qyteteve. Michele Errico, president i provincës së Brindisit dhe ambientalist i Pd, përballet me Adriana Poli Bortone, ish-ministre e An, ish-bashkiake pa të drejtë rikandidimi, tashmë zv.bashkiake me fuqi të plota në Leçe. Errico thotë se heqja rërës do të ketë "dëme të pakthyeshme", ndërsa Poli Bortone replikon: "Ai ka paragjykime të forta". Për të qartësuar gjërat mjaftonte një plan rajonal, i detyrueshëm me ligj, por pas dy vitesh kjo nuk është zgjidhur ende.
Përfshirja e Shqipërisë
Duke mos gjetur gjuhën e përbashkët mes dy qyteteve, çështja përfundoi në gjykatë. Për një vit iu dha të drejtë dy herë Leçes dhe më pas për surprizë u përkrah nga gjykata varianti i Brindisit: "Rëra nuk preket, sepse ndërhyrja do të sillte dëme të barabarta, në mos më të mëdha edhe për Brindisin dhe kështu nuk riparohet asgjë". Kështu kanë kaluar shtatë vjet. Ndërsa avokatët bëhen gati për raundin e dytë në Këshillin e Shtetit, Poli Bortone ka një goditje të fundit rezervë. "Brindisi nuk do të na japë rërën? Na vjen keq, por do ta marrim nga Shqipëria". Falë marrëdhënieve të mira me Kryeministrin Sali Berisha, nis praktika zyrtare. Mirë se erdhët përgjigjen shqiptarët, që në të kaluarën kanë kontribuar me shpëtimin e plazhit të Korfuzit. Rëra shqiptare është në dispozicion. Kur u mor rëra e parë nga Himara, nga grekët, reagimi i popullsisë ishte i dobët. Një ekspert i komunës së Leçes i ka nisur analizat e para: Durrësi nuk është gjë, Vlora e përsosur. Duhet ndërhyrë shpejt, se në fund të vitit skadon afati për të fituar financimin 5 milionë euro. Pas kësaj, shkruan "La Stampa", Leçe humbet gjithçka: paratë, plazhin, fytyrën. Nuk dimë nëse qeveria shqiptare ka bërë një marrëveshje me Italinë për këtë çështje dhe nuk dimë as se si do të reagojnë qytetarët shqiptarë kur të merret vesh nëse mikja e Kryeministrit Berisha ia ka dalë të marrë firmën e qeverisë, për të cilën është shprehur mjaft e sigurt, për të rrëmbyer rërën nga Vlora.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›