E Diel, 1 Nëntor 2026

Titujt e pronësisë, Opozita: Topi të mos dekretojë ligjin

Socialistët i kërkojnë Presidentit Bamir Topi mosdekretimin e ligjit të miratuar nga maxhoranca "Për verifikimin e titujve të pronësisë". 

BLEDAR HOTI

Nënkryetari i Kuvendit, socialisti Ylli Bufi ka kërkuar dje publikisht që kreu i shtetit të mos e dekretojë një ligj të tillë, pasi pasojat sociale mund të jenë tepër të mëdha. Opozita votoi kundër nismës së paraqitur nga maxhoranca, duke e cilësuar si tepër të dëmshme. Nëse Topi nuk e ndërmerr një hap të tillë, atëherë socialistët do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për ta rrëzuar nismën e miratuar me 71 vota në Kuvend. "Është absurde që të nxjerrësh një ligj, që të kontrollojë mënyrën e zbatimit të një ligji, nuk ka sens, nuk ka logjikë ligjore", deklaroi Bufi. Për kryetarin e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Ylli Bufi, kriteret e ligjit janë preludi i një kaosi të ri me tokat. "Imagjinoni nëse në dyert e gjykatave do të shkojnë 20 mijë familje çfarë do të kemi përsëri një proces nga e para", theksoi kryekomisioneri. Ligji mbi tokat bujqësore, i jep të drejtë prefektëve të rilëshojnë tituj pronësie, duke i tejkaluar kështu kompetencat e tyre. "Nuk duhet të ketë rishikim të titujve të pronësisë mbi bazën e komisioneve partiake, pasi do të ketë vendime politike pastaj", tha më pas Bufi. Kundër miratimit të këtij ligji doli dje edhe kreu i LSI-së, Ilir Meta. "Ligji 'Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore' mund t'i hapë rrugë rishqyrtimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore nga komisione partiake të maxhorancës aktuale qeverisëse. Ndaj, ne jemi të shqetësuar se, ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën dhe njëkohësisht, rrezikon të cenojë edhe pronarët e ligjshëm për t'i zhveshur nga pronat e tyre të fituara sipas ligjit", deklaroi Meta. Lideri i LSI-së theksoi gjithashtu, se nisma më e fundit e maxhorancës, "nuk mund të jetë e pranueshme që gjykatat të zëvendësohen me komisione partiake brenda qeverisë për të marrë apo për të dhënë prona bujqësore, sepse kjo do t'i shtojë dhe më tej problemet e pronësisë në vendin tonë". "Ne jemi kundër marrjes së kompetencave të gjykatës nga ana e qeverisë, apo nga çdo lloj komisioni të ngritur prej saj. Nëse ka konflikte pronash apo abuzime, personat e prekur mund ta zgjidhin çështjen vetëm në sistemin gjyqësor dhe qeveria e gjithë sistemi politik duhet të jenë garant në pavarësinë e këtij sistemi", theksoi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›