ARMO, Taçi i paguan qeverisë 128 milionë euro
Presidenti i shoqërisë "Taçi Oil", Rezart Taçi ka derdhur para afatit në arkën e shtetit shqiptar plot 128 milionë euro. Veprimi financiar kryhet në kuadër të privatizimit të ARMO-s nga shoqëria AMRA Oil, e krijuar nga koncerciumi i tre kompanive "Refinery Associates of Texas", "Anika Enterprises" dhe "Mercuria Energy Group". Taçi është shprehur për "Shqip" se pavarësisht krizës financiare në tregjet botërore, e cila preku dhe sektorin e naftës, reflektimi ndaj operacionit financiar ndaj tre shoqërive nuk pati asnjë efekt. Shuma prej 128 milionë euro, vijon presidenti i "Taçi Oil", e derdhur për shtetin shqiptar konfirmon edhe një herë potencialin financiar të kompanisë dhe planeve strategjike që ka ajo ndaj zhvillimit të shoqërisë rafineruese të naftës, ARMO. Tashmë, në fillim të javës pritet firmosja e kontratës mes shoqërisë AMRA Oil dhe qeverisë shqiptare, e cila mbyll ciklin disa vjeçar të posedimit nga ana e shtetit ndaj shoqërisë ARMO. Privatizimi saj në masën e 85 për qind të aksioneve është cilësuar si sukses më vete nga ana e kryeministrit Berisha, ndërsa ministri Ruli ka veçuar mbështetjen e dhënë për këtë proces nga kompanitë e huaja konsulente. Tashmë qeveria do të ketë në dorë rreth 128 milionë euro, aq shumë të nevojshme, tashmë në fund të vitit, ku zakonisht kryhen dhe një sërë shpenzimesh. Megjithatë, qeveria e ka bërë më kohë të ditur planin e saj rreth përdorimit të të ardhurave nga privatizimi i ARMO-s. Kështu, gjysma e parave do të shkojë për shlyerjen e borxhit, ndërsa pjesa e mbetur [për financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Ekziston një ide nga ana e deputetëve demokrat që një pjesë e të ardhurave, rreth 20 për qind të përdoret për dëmshpërblimin e të përndjekurve.