E Diel, 1 Nëntor 2026

Kakome, maskat sulmojnë punëtorët

Gryka e Prodanit, dje, është mbajtur e mbyllur për të tretën ditë për automjetet e rënda të firmës sipërmarrëse të ndërtimit të fshatit turistik në Kakome. Dje, rreth orës 09:00 të mëngjesit, një nga automjetet e dislokuara prej tri ditësh në hyrje të Kakomesë, ka tentuar të hapë rrugën. Por një grup të banorësh, që thanë se kishin kaluar natën jashtë, bënë bllokimin e rrugës me gurë dhe qëlluan në drejtim të shoferit. Ky nuk ishte incidenti i vetëm i ditës së djeshme. Në një zonë tjetër, më afër vendit ku do të ngrihet fshati turistikë, disa punonjës të firmës "Riviera" janë sulmuar nga një grup prej dhjetë personash me maska. Këta punëtorë kanë hyrë në Kakome nga Gjiri i Marinës, pasi kanë kapërcyer malin e Sarandës, por janë diktuar nga vrojtuesit e grupit të qëndresës së banorëve nivicjotë dhe janë penguar që të hyjnë në vendin ku do të bëhet ndërtimi.

Burime nga Policia e Sarandës thanë se ishin pesë persona, të cilët denoncuan se janë keqtrajtuar nga nivicjotët në përpjekje për të hyrë në Gjirin e Kakomesë. Ata janë: Zano Çulli, Erbab Stroka, Aliko Roshi, Limos Kerma dhe Medin Majko, i cili është plagosur më rëndë se të tjerët. Sipas tyre, njerëz me maska u kanë dalë përpara me kosore e bishta lopatash dhe pasi i kanë sharë, i kanë kërcënuar, e më pas goditur. Të dëmtuarit kanë dyshuar se nuk përjashtohet që grupi i banorëve të ketë qenë edhe i armatosur, pasi hera-herës anëtarët e këtij grupi bënin lëvizje që të linin të kuptoje se fshihnin armë në brez. Të dëmtuarit thanë se kishin rënë dakord me firmën ndërtuese që të punësoheshin në të dhe kishin hyrë në Kakome për të nisur punë.

Ndërkohë, nga ana e firmës "Riviera" është vepruar me maturi e qetësi, në pritje që t‘u jepet mbështetja e Policisë së Shtetit. Inxhinieri Luftar Likaj tha se për çdo ditë që kalon, firma paguan qiranë mbi tokën e marrë në përdorim për 99 vjet. "Kontratat dhe i gjithë dokumentacioni është i rregullt dhe i lëshuar nga shteti, që tani për tani është pronari i vetëm në Gjirin e Kakomesë", u shpreh ai. Nëse gjykata vendos më pas që të bëjë pronarë banorët e Nivicës, sqaroi Likaj, ne jemi të gatshëm t‘i transferojmë aksionet tona nga shteti tek ata".

Kjo është hera e dytë kur banorët e Nivicës përplasen dhunshëm me punonjësit e kompanisë "Riviera". Tre vjet më parë, në të njëjtin vend u shënuan disa përleshje, ku u përfshinë edhe forcat e policisë së rendit. Pas këtyre përleshjeve, policia u tërhoq, së bashku me kompaninë që priti sqarimin e çështjes në rrugë ligjore. Këtë verë, pasi të gjitha agjencitë shtetërore saktësuan se toka ku do të ndërtohet fshati turistik është pronë shtetërore, kompania kërkoi rinovimin e lejes së ndërtimit dhe në fillim të këtij muaji dërgoi mjetet e rënda në terren, për të filluar punën. Por, edhe pse i humbën të gjitha gjyqet, nivicjotët, të udhëhequr nga kryetari i Komunës Lukovë, Vladimir Kumi bllokuan rrugën në Grykën e Prodanit, 4 km larg Gjirit të Kakomesë. Ata sprapsën një javë më parë mjetet e firmës, ndërsa prej tri ditësh kanë bllokuar përsëri rrugën, duke mos lejuar kalimin e asnjë makine të rëndë.

Komuna e Lukovës dhe kryesitë e fshatrave të Bregdetit kanë paralajmëruar mbajtjen në orën 10:00 të së shtunën të një tubimi në Grykën e Prodanit. Por ligjshmëria e tubimit është vënë në dyshim, pasi komisariati vetëm sa është vënë në dijeni për këtë dhe nuk është kërkuar leje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›