E Shtunë, 31 Tetor 2026

ARMO, amerikanët ofertë fituese

 

Fabiola Çela

Është hapur dje tenderi ndërkombëtar për privatizimin e kompanisë shtetërore të naftës ARMO.
Ndonëse 25 firma kishin shfaqur interes për blerjen e ARMO-s, vetëm katër prej tyre kanë paraqitur ofertat në tenderin ndërkombëtar të mbajtur në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Oferta më e "majme" ishte ajo e kompanisë amerikane "Refinery Associates Texas", e cila ka ofruar plot 125 milionë euro për blerjen e 85% të aksioneve të ARMO-s. Por vendimi përfundimtar se kush do të jenë pronarët e rinj të kompanisë së naftës ARMO, do të bëhet e ditur vetëm pas disa ditësh.
Tenderi
Por zhvillimi i këtij procesi nuk kaloi pa incidente. Procesi u shty për disa minuta, pasi përfaqësuesit e një tjetre kompanie amerikane kërkuan të paraqisnin ofertën e tyre, edhe pse nuk ishin regjistruar në kohën e duhur. Por brenda pak minutave situata u normalizua dhe komisioni nisi hapjen e ofertave të katër kompanive. Pas hapjes së ofertave rezultoi se kompania që ofroi çmimin më të lartë ishte "Refinery Associates of Texas" dhe "Anika Enterprices Consortium", SHBA dhe Zvicër, oferta e së cilës arrinte në 125 milionë euro. Pas saj u rendit "Vitol US Ballkan Fund & Euroil sha", e cila ofroi një çmim prej 100 milionë eurosh.
Ndërsa kompania "Petrofac Energy Development International Limited", Britani e Madhe, ofroi një çmim prej 30 milionë eurosh për të privatizuar kompaninë ARMO. Kompania "Penta Investment Limited" me kapital çek dhe regjistruar si fond investimesh në Qipro me çmimin e ofruar 10 milionë euro. Gjithsesi kjo renditje është provizore, pasi në vlerësimin përfundimtar do të merret  parasysh edhe plani i biznesit. Përpara hapjes së ofertave, zëvendësministri i METE-s, Neritan Alibali, tha se "në vlerësimin e ofertave, sipas ligjit, oferta financiare për të blerë 85% të aksioneve zë 75% të pikëve, ndërsa 25% e zë vlerësimi teknik, i cili do të bëhet në ditët në vijim". Alibali theksoi se klasifikimi i ofertës së bashku me vlerësimin teknik do të jenë dhe klasifikimi i përgjithshëm për fituesin e blerjes së 85% të aksioneve të ARMO-s.
ARMO
Privatizimi i kompanisë ARMO sh.a. është konsideruar si një ndër më problematikët për vetë kompleksitetin dhe rëndësinë që paraqiste. Ofertat ekonomike të ofruara kanë tejkaluar mbi dy herë edhe vlerësimet më optimiste të dhëna nga konsulenti ndërkombëtar si dhe kanë tejkaluar vlerën e vetë aseteve të ARMO-s, duke i dhënë kompanisë një vlerë tregu shumë më të lartë. Kompania ARMO është krijuar në vitin 1999 dhe kapitali i saj arrin në vlerën e rreth 43 milionë eurove. Asetet kryesore të kompanisë janë dy impiante rafinerie në Ballsh dhe Fier, të cilat janë ndërtuar rreth 40 vjet më parë. Pjesë e saj janë edhe një numër pikash të tregtimit të vendosura kryesisht në zona jo shumë të zhvilluara. ARMO është njëra prej dy kompanive shtetërore të Shqipërisë që veprojnë në sektorin e naftës dhe nënprodukteve të saj. Nafta e prodhuar prej rafinerive në Ballsh dhe Fier është e një cilësie të dobët, por megjithatë vitet e fundit ARMO raportohet të sigurojë çdo vit në arkën e shtetit rreth 27 milionë dollarë. Privatizimi i kompanisë së përpunimit dhe shitjes së naftës është pjesë e një programi privatizimesh strategjike në ekonominë shqiptare, që përfshin ndër të tjera kompaninë e sigurimeve INSIG dhe Korporatën Elektroenergjetike.

"Refinery Associated Anica Texas"

 125 milionë euro oferta

 240.5 milionë euro investime për 4 vitet e ardhshme

Kush është konsorciumi amerikan

"Refinery Associates of Texas" drejtohet nga presidenti Joe Desormeaux, 58 vjeç, i cili ka shërbyer në ushtrinë amerikane që nga viti 1965 deri në 1967. Mësohet se ka punuar edhe për "Amerada Hess Corp" në Nju Jork. Ai është bërë pjesë e "Refinery Associates" në vitin 1978 dhe tani ka në pronësi 100 për qind të kompanisë. Kjo kompani ka fituar tenderin për furnizimin me karburant të avionit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Po kjo kompani furnizon me karburant edhe ushtrinë amerikane. "Refinery Associates" është një kompani tregtare ekskluzivisht për tregtinë e produkteve të naftës, që punëson pesë njerëz dhe ka shitje vjetore prej 120 milionë dollarësh. Drejtues të tjerë janë R.G. Wills Jr., që ka punuar për "Amerada Hess Corp" nga 1958 deri më 1981. "Aremada Hess" ka patur kontakte nëpërmjet Armand Hammer me naftën ruse që prej shumë dekadash. Rafineria në Teksas është kompania e tretë më e madhe e naftës në SHBA. Ajo ka një kapacitet dalës prej 437.000 fuçi në ditë (69.477.448 litra) që nga janari 2005.

"Petrofac Energy Development Corp"

 30 milionë euro oferta

 66 milionë euro vlera e investimeve për katër vitet e ardhshme

Kush është grupi “Petrofac”

"Petrofac" është një grup kompanish që kanë të bëjnë me naftën, gazin dhe industritë e energjisë. Eshtë themeluar në Teksas në vitin 1981, por në vitin 1991 u bë "Petrofac International" dhe në vitin 2005 u bë një kompani mjaft e njohur publike. "Petrofac Limited" citohet në "London Stock Exchange" dhe është një nga 250 kompanitë e FTSE. Ajo është e regjistruar në Xhersi (numër 81792), por zyrat qendrore të saj janë në Britani. Zyra të mëdha të kësaj kompanie ndodhen në Aberdeen, Mumbai e Sharjah dhe rreth 20 zyra të tjera ndodhen në vende të tjera. Ajo ka tre nënndarje. "Petrofac Engineering and Construction", nga vetë emri sugjeron ndërtimin e produkteve që kanë të bëjnë me naftën dhe gazin si dhe impiante proceduese. "Petrofac Operations Services" ka të bëjë me naftën e impiantet dhe siguron pajisje si dhe trajnim personeli për to. "Petrofac Energy Developments" investon në pajisje nafte dhe gazi. Kjo kompani ka aksione në zhvillim në  Algjeri, Malajzi, Kirzikistan, Detin e Veriut në Britani dhe Tunizi.

"Penta Investment Group"

 10 milionë euro vlera e ofertës

 198.4 milionë euro vlera e investime për katër vitet e ardhshme

Kush është kompania çeke

"Penta" është një grup çek dhe sllovak i themeluar në vitin 1994. Kompania është e fokusuar në blerjen, zhvillimin dhe projektet e rikonstruktimit në tregjet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Kompania siguron shërbime për disa milionë klientë mbi baza ditore. "Penta" është një kompani private që operon në Evropë dhe Rusi. Ajo tashmë i është dedikuar blerjes së kompanive të mëdha dhe të mesme, LBO, LBI, projekteve ristrukturuese dhe që në vitin 2005 ka hyrë edhe në zonën e pronave të patundshme. "Penta" menaxhon një fond me vetëm 5 aksionerë. Projektet më të mëdha janë realizuar në republikën Çeke, Sllovaki dhe Poloni. Në katër degët e saj (Pragë, Bratislavë, Moskë dhe Qipro) "Penta" ka 200 nëpunës dhe mbi 20.000 punëtorë. Ajo operon në sektorin e energjisë, argëtimit, shëndetit, inxhinierisë mekanike, metalurgjisë, bankave private, pronave të patundshme, shitjes me pakicë, telekomunikacionit dhe transportit.

"Vitol Us Balkan Funds Euroil"

 100 milionë euro vlera e ofertës

 222 milionë euro vlera e investimeve për katër vitet në vijim

Kush është Grupi “Vitol”

Grupi "Vitol" është një nga grupet tregtare më të mëdha dhe më të suksesshme në botë në tregun e energjisë. Ky grup ka në dorë shumë "fuqi" që e ndihmojnë në biznes si eksperienca, burimet dhe arritjet globale, por sipas motos së tyre, asgjë nuk është më e rëndësishme se partnerët: prodhuesit, klientët, furnizuesit dhe vetë stafi. "Vitol" konsiderohet nga çdo standard një forcë e madhe në tregtinë e energjisë në botë. Ata dërgojnë 200 milionë tonë naftë në vit; kanë të ardhura mbi 100 miliardë dollarë dhe ofrojnë shërbim të plotë 24 orë në të gjithë tregjet botërore. E themeluar në vitin 1966, me qëllimin kryesor tregtinë e naftës dhe produkteve me të, "Vitol" mbetet ende një kompani e pavarur. Ata kërkojnë gjithmonë përgjigjet e analistëve dhe fondeve investuese. "Vitol" përbëhet nga disa kompani, secila prej tyre e përbërë nga profesionistë të energjisë me një eksperiencë të gjerë në biznesin e transportit të naftës, rafinimin, shpërndarjen, marketingun, tregtinë dhe financën.

Reagon kompania e refuzuar në tender

Vetëm pak minuta pasi zëvendësministri Alibali njoftoi mbylljen e procesit të pranimit të ofertave, një tjetër kompani amerikane kërkonte të dorëzonte ofertën e saj. Por për fat të keq kjo kompani nuk ishte regjistruar dhe për këtë arsye komisioni i vlerësimit të ofertave vendosi që të mos merrte pjesë në tender. Kompania që nuk u regjistrua në kohën e duhur ishte konsorciumi "Cayman Resorses Limited", amerikano-suedez. Ky vendim nuk u prit mirë nga drejtuesit e kompanisë amerikane, të cilët refuzonin të braktisnin sallën. Por pas disa minutash situata u vu nën kontroll. Drejtuesit e kompanisë kanë pritur pas dyerve derisa ka përfunduar procesi i hapjes së ofertave. Drejtoresha e një prej firmave të konsorciumit, Sazani Holding L.t.d., Rebeka Gaskin, tha se, "përfaqësuesit e saj nuk ishin sqaruar për procedurat e regjistrimit". Sipas saj, nëse ftesa dhe gjithë dokumentacioni ishte në gjuhën angleze, e gjithë procedura u bë në gjuhën shqipe. Për këtë arsye, përfaqësuesit e firmës gjykojnë se nuk kanë qenë të informuar dhe ky lloj diskriminimi është cilësuar prej tyre i padrejtë. Kompania do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore dhe do të ankohet, sipas ligjit, pranë komisionit të vlerësimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›